Leonardo: Me Mançesterin si të barabartë
“Në raste të tilla, llogaritë nuk vlejnë. Mançesteri është një skuadër me traditë të madhe, ashtu si Milani, prandaj, do të luajmë si të barabartë. Megjithatë, duhet të presim për të parë se si do të jemi në shkurt”, deklaroi Leonardo në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes ndaj Fiorentnës.Por përpara është Fiorentina, që nesër do të presë në “Artemio Franki” kuqezinjtë, në një ndeshje ku gabimet janë të ndaluara. Leo ka besim se ekipi nuk do të bëjë tjetër ndalesë, pas asaj ndaj Palermos, e cila do të ndërlikonte ecurinë në kampionat.“Nuk besoj se humbja me Palermon na ka prishur humorin. Në atë takim kundërshtari ishte në formë të mirë, por ne nuk luajtëm keq”, nënvizoi numri një i pankinës kuqezi.Nesër Milani rikthehet në Firence, aty ku në përballjen e fundit të sezonit të kaluar, ndodhën shumë ngjarje, të cilat Leonardo i kujton sot: “Ajo ishte ndeshja e fundit për Ançelotin, Kakanë dhe Maldinin. Gjithashtu rikthehej Nesta dhe Gatuzo. Ishte emocionuese”.