E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo: Në Kievo me grintën e Realit

Pas asaj fitore befasuese 3-2 të mërkurën në “Bernabeu” përballë Realit në Ligën e Kampionëve, Milani do të udhëtojë sot në mbrëmje drejt Veronës, për të luajtur në stadiumin “Bentegodi” kundër Kievos vendas. Sipas numrit një të pankinës kuqezi, Leonardo, ekipi që ai drejton duhet të tregohet shumë i kujdessshëm në këtë takim, pasi sipas tij, Kievo është një kundërshtar i rrezikshëm në fushën e tij.

Trajneri brazilian e sheh fitoren ndaj Romës javën e kaluar si kthesën e Milanit pas rezultateve të dobëta në ndeshjet e fundit. “Madridi na dha një shtysë të madhe – ka nënvizuar Leonardo në konferencën për shtyp -. Por fitorja me Romën ishte e rëndësishme, sepse aty pashë Milanin sulmues që prisja”.

Leo jep edhe një mendim në lidhje me deklaratat e Hoze Mourinjos mbi futbollistët e rinj. “Të rinjtë ndikohen nga shembujt në shoqëri. Por problemi është se ka edhe shembuj të këqinj. Megjithatë, shembuj si Adriano, p.sh., nuk funksionojnë më, sepse të gjithë e shohin se sjellje të tilla nuk e kanë përfundimin e mirë. Ai është 27 vjeç dhe luan për Flamengon, ndërkohë që mund të luante për klubet më të mira në botë. Besoj se të rinjtë e sotëm e dinë se është më mirë të ndjekin shembullin e Kakasë, në vend të Adrianos”, theksoi trajneri i Milanit.

E pashmangshme edhe pyetja për Didën, pas gabimeve në ndeshjen kundër Realit: “Dida do të luajë, sepse ka besimin e të gjithëve – tha Leonardo -. Një portier ka nevojë për vazhdimësi dhe për karakteristikat psikologjike që ka, unë e di se edhe kur gabon, mbetet po ai. Bëri një gabim, sepse donte të riniste aksionin me shpejtësi. Megjithatë, pas një gabimi të tillë, e mori veten gjatë pjesës tjetër të ndeshjes dhe këtë nuk e bën kushdo”.

Në fund, ai ka theksuar se një fitore sot ndaj Kievos është shumë e rëndësishme, sepse klasifikimi është shumë i ngjeshur dhe një rezultat pozitiv apo negativ, ndryshon pozicionin e skuadrave në tabelën e klasifikimit.

“Vazhdimësia është thelbësore. Ky është një kampionat më i ekuilibruar se të tjerët. Ne kemi grintën e duhur për t’ia dalë dhe besoj se do të arrijmë të renditemi në një pozicion të mirë”, theksoi braziliani.

Kievo – Milan, ja si mund të luajnë skuadrat në ndeshjen e sotme:

Kievo (4-3-1-2): Sorrentino; Frey, Morero, Mandelli, Mantovani; Luciano, Iori, Marcolini; Pinzi; Pellissier, Bogdani. Të gatshëm: Squizzi, Sardo, Scardina, Ariatti, Bentivoglio, Gasparetto. Trajner: Di Carlo  

Milan (4-3-3): Dida; Oddo, Nesta, T. Silva, Jankulovski; Flamini, Pirlo, Seedorf;  Pato, Huntelaar, Ronaldinho. Të gatshëm: Roma, Zambrotta, Favalli, Strasser, Antonini, Borriello, Inzaghi. Trajner:  Leonardo  

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›