E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo eshte trajneri i Interit. Morati Jo per inat te Milanit

Presidenti pritet ta prezantojë pas 26 dhjetorit

Zyrtarisht është arritur marrëveshja: Leonardo është trajneri i ri i Interi dhe do të zërë kështu vendin e Benitezit. Ish-tekniku brazilian i Milanit do të ulet për vitet e ardhshme në pankinën e rivalëve zikaltër: Masimo Morati ka zgjedhur ish-milanistin. Lajmin e ka bërë të njohur klubi në një komunikatë për shtyp në faqen zyrtare. Leonardo, 41 vjeç brazilian, ka firmosur një kontratë, që do ta lidhë me Interin deri më 30 qershor 2012. Interi ka dashur të përshëndesë trajnerin e ri me një mesazh në faqe: “Leonardos i urojmë me sinqeritet shumë fat, të bindur se do të dijë të vërë klasin e tij, eksperiencën e tij prej kampioni të madh dhe mentalitetin e tij në dispozicion të klubit dhe skuadrës, për të arritur së bashku rezultate, që i gjithë Interi dhe interistët i presin. Në ditët e ardhshme Interi do të komunikojë edhe ditën e prezantimit zyrar të Leonardos, i cili do të drejtojë stërvitjen e parë më 29 dhjetor në ‘Apiano Xhentile’”. Në fakt vendosi gjithçka pas një takim kokë më kokë i presidentit me teknikun brazilian (nga Niteroi, qytet në periferi të Rio de Zhaneiros), dhe takimi, i cili u pasua nga firma. Dje Morati ishte në punë në zyrën e tij në Saras, ku ka takuar "ministrin e Financave zikaltër”, Rinaldo Ghelfi. Dhe në dalje Morati ka konfirmuar: “Diçka do të ndodhë pas Krishtlindjeve, me 29 do të rifillojmë stërvitjen. Leonardo është i zgjedhuri për inat të Milanit? Nuk më pëlqen ky version, do të më vinte keq nëse do të shikohej kështu”. Kapitulli “Benitez” është mbyllur me një dëmshpërblim prej tre milionësh eurosh (trajneri spanjoll ka kushtuar 60 mijë euro në ditë) Trajneri ka firmosur një kontratë deri në 30 qershor 2012 me një opsion për një sezon të tretë: 2,5 milionë euro në vit do të jetë rroga. starti i punës do të jetë në emergjencë, njëlloj si kohët e fundit të Benitezit (më 6 janar kundër Napolit do të mungojnë Shnajder dhe Eto'o), pastaj mundet të ringjallë "4-2-fantazi" të lindur te Milani. Një modul që nuk ndryshon nga ai i përdoruri nga zikaltërit në sezonet e fundit, dhe që me shumë mundësi do të përforcohet nga ndonjë blerje, duke filluar që nga Ranokia, Moltolivo e Aleks Snaçes. Qarkullojnë edhe emrat e Fabregas dhe Kaka. Sipas mediave italiane, ardhja e Kaka do të kompletonte një hakmarrje të zikaltërve ndaj Milanit. Por gjithçka është hedhur poshtë nga drejtori i përgjithshëm i Realit të Madridit, Horge Valdano, i cili nuk beson aspak në një largim të brazilianit nga "Santiago Bernabeu". Ish-futbollisti i Milanit, i cili në ditët e kaluara u vu në qendër të shkrimeve të medias për shkak të marrëdhënies jo të mirë që ekziston mes tij dhe trajnerit portugez të madrilenëve, Zhoze Murinjo. Ky i fundit e ka konfirmuar Kakanë te “Los blancos”: “Kaka po punon mirë, ai është bashkuar me grupin e futbollistëve të tjerë dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë në dispozicion të trajnerit. Portugezi do ta përfshijë në planet e tij/ edhe rikthimi i Kakasë do t’i japë diçka më shumë klas dhe cilësi skuadrës së Realit të Madridit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›