Lionel Mesi Veshtire ta fitoj une Topin e Arte
Ylli argjentinas, Lionel Mesi, ka deklaruar se me përjashtim të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut, viti 2010 ka qenë mjaft pozitiv për të. Sulmuesi është kthyer në vendlindje për të festuar festat e fundvitit. Ai është treguar indiferent pas “humbjes” për çmimin “Olimpia” (një vlerësim në Argjentinë, që jepet çdo vit nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë prej 1954-s). Përpara lojtarit të Barcelonës, i cili konsiderohet edhe si futbollisti më i mirë në botë, u klasifikua pas lojtares së hokejit në bar, Lusiana Ajmar. “Ka qenë një vit i ngjeshur, ku kam luajtur mjaft ndeshje dhe në përgjithësi koha në dispozicion për të pushuar ishte e vogël. Gjithsesi, 2010-a ka qenë një vit i shkëlqyer në nivel personal dhe klubi. Duke përjashtuar zhgënjimin me Kombëtaren argjentinase në botëror, ky ishte një vit shumë i mirë”, ishin fjalët e Mesit për “Record”.
Ai ka folur edhe rreth “Topit të Artë”, duke pohuar se do të jetë shumë e vështirë që ta fitojë sërish trofeun prestigjioz, duke marrë parasysh paraqitjet që shokët e tij të skuadrës, Ksavi Hernandez dhe Andres Iniesta kanë bërë gjatë këtij viti. Gjithsesi, 23-vjeçari nuk duket i shqetësuar nëse nuk klasifikohet i pari. “Gara për ‘Topin e Artë’? Vështirë se do ta fitoj unë trofeun, por nuk shqetësohem aspak për këtë. Dua të qëndroj në formë, për të vazhduar rritjen si lojtar dhe për të ndihmuar ekipin tim”. Objektivi kryesor i Mesit për vitin 2011 është triumfi në Kupën e Amerikës, që do të zhvillohet në Argjentinë. “Albicelestet” nuk e fitojnë këtë trofe prej vitit 1993 në Ekuador.