E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo shigjeton rivalët: Interi, skuadra më e mirë

TIRANE-Seria A do të zhvillojë sot ndeshjet e javës së 18-të, ndërsa vëmendja e të gjithëve është e përqendruar në Sardenjë dhe në Milano. Në orën 15.00, Milani do të luajë në transfertë kundër Kaljarit, duke synuar të ruajë diferencën me ndjekësit, ndërsa në mbrëmje Interi do të presë në "San Siro" Napolin, në atë që konsiderohet si supersfida e javës. Për zikaltërit është një ndeshje e veçantë, pasi ata do të kenë për herë të parë në stol brazilianin Leonardo, i cili zuri vendin e Benitez 10 ditë më parë. Ish-tekniku i Milanit është parë i emocionuar në konferencën e djeshme për shtyp, ndërsa pret që entuziazmi i skuadrës të shpërblehet sonte në fushë. "Kanë qenë ditë shumë pozitive, gjeta një disponueshmëri absolute nga ana e lojtarëve, - tha braziliani. - Ka një kulturë të madhe të të punuarit, ndërsa dëshira për t'u rinisur mirë është e madhe". Po, një nisje e mirë për të harruar zhgënjimet e fazës së parë të sezonit. Zikaltërit kanë zhgënjyer shumë pas një edicioni ku fituan gjithçka dhe tashmë rrezikojnë të mos jenë as në Champions League. "Sezonin e shkuar kjo skuadër bëri diçka unike dhe ne duhet të jetojmë me këtë vetëdije. Interi fiton rregullisht prej 5 vjetësh, por askush nuk e ka lënë punën. Të gjithë janë duke u stërvitur me dëshirë dhe qetësi", deklaroi Leonardo.
Napoli
Ndeshja me Napolin është nga ato që nuk duhet humbur, ndonëse përballë është ekipi i vendit të dytë në renditje. "Nuk është një ndeshje e lehtë, ata janë duke kaluar një moment të madh. Mendoj se do të jetë një sfidë shumë strategjike. Emocionet e debutimit? Nuk mendoj aspak...", tha braziliani Leonardo. Trajneri i Interit foli edhe për ndryshimin kur e merr skuadrën në mes të sezonit. "Është ndryshe kur e nis që në verë, por kjo skuadër gjithsesi ka krijuar një identitet të sajin, kështu që nuk ka nevojë për ndërhyrje të mëdha. Unë nuk do ta ndaj këtë Inter nga ai i sezonit të shkuar", shtoi tekniku zikaltër. Leonardo ka folur edhe për raportet me Milanin dhe Berluskonin. "Me presidentin situata është e zgjidhur, ajo që mund të bëj është vetëm të ta bëj të ndryshojë mendje".
Merkato
Një nga problemet kryesore të Interit në fazën e parë ishin dëmtimet. Leonardo ka bërë një analizë të tyre, duke nisur nga portieri Zhulio Sezar. "Dëmtimi i tij ishte një surprizë, - u shpreh braziliani. - Pati një vit të vështirë, por tani është në rregull dhe duhet të kthehet kur të jetë vërtet mirë. Kastelaci ka luajtur mirë në vendin e tij. Gjithsesi, nuk mendoj se numri i dëmtimeve është më i lartë se mesatarja", shtoi ai. Një tjetër temë e nxehtë mbetet merkatoja. "Do të shohim çdo mundësi me Brankën, por mendoj se kemi ekip të kompletuar. Ronaldinjo? E lexova atë që u shkruajt, por unë me Dinjon nuk kam folur kurrë për këtë mundësi", shtoi Leo.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›