Vëzhgimi/Tani Rama nuk do t’i bjerë më fyellit se do të bëhet kryeministër!
Tani, ende pa dalë peshku nga deti (‘Peshku në det, tigani në zjarr!’) duket se Edi Ramës iu ngri ajo formula shabllon se do të bëhet kryeministër. Edi ka ecur gjithmonë me skema të gatshme. Njëra është ajo që thamë, se do të bëhet kryeministër! Disa nga drejtuesit e programeve ia kanë gëlltitur këtë lajtmotiv antipatik. Ndonjë tjetër nuk e ka duruar dot: - “Po sikur të mos bëhesh? Në këto raste të refreneve për të krijuar bindje tek ata që ngopen me lugë të zbrazët, ata që kanë pas dëgjuar, me kanoçet e kohës, këngën satirike të Fred Buskaliones, shtrembëronin buzët duke vënë ré kontrastin ndërmjet një kënge artistike humoristike dhe një këmbëngulje inatçore si të një fëmije zemërak: E dua atë, E dua, E dua, E dua! Disa nga dëgjuesit e TV-së së përtej detit e mbajnë mend edhe sot, mbase jo plotësisht, atë këngë të famshme: “-Vengo anch’io, -No, tu no!” (Kjo, përsëritur disa herë). Më së fundi: -“Perche no? - Perche no!” (Përse jo? - Sepse jo!).
Në këtë rast kemi personin autoritar, i vendosur që ’jo’ dhe pikë. Por, megjithatë, ngjashmëria qëndron, në një kuptim pohues: - Do bëhem – Po sikur jo? –Do bëhem! Po sikur…? - në përsëritje të drejtuesit këmbëngulës të emisionit. Gjithmonë. “Do bëhem kryeministër!”. Këtu shtrohet një pyetje e vetvetishme: - Me të vërtetë, vallë, është kaq i sigurt ky njeri që - me rast e pa rast - i bie fyellit në një birë me të njëjtën shprehje: “Do bëhem kryeministër!”. Blendi sikur e parashikoi se Ramës do t’i ngecte sharra në gozhdë, para 24 nëntorit! Por ne po merremi me një ngjarje të pamundur, hipotetike. ER-ja (shkruar ‘er’ në “Kurbanin”) , i ka dalë së keqes përpara, me një strategji djallëzore: Po fitova, zgjedhjet janë të lira e të ndershme. Po humba: “M’i kanë vjedhur votat!”.
Por ja që tani z. Nasip Naço, e ngatërroi paksa këtë muzikë kakofonike, çjerrëse për timpanet e veshit të njerëzve normalë. Ne jemi në hullinë e ëndrrave të përfundimit pozitiv për koalicionin e Majtë, gjë e cila është e pamundur. Veç në qoftë se ky popull s’e ka marrë vesh endé se Rrugën e kohës kur ishin në fuqi, por që nuk u bë, as nuk u fillua, pavarësisht se u pagua në avancë edhe taksa.... (me emër të autorit), - këtë rrugë imagjinare, pra, - duhet ta fusnim në defterin e veprave të kryera (!); ndërsa rrugën tejetej gjatësisë së Atdheut, bashkë me një mori rrugësh të tjera, ndërmjetëse që lidhin fshatrat me autostradat duhet t’i quajmë të pakryera, sepse kështu përkëdhelet nihilizmi i falsifikatorit të regjur, Edi Rama...
Nga ana tjetër, është e pakuptimtë ajo zvarritja e bashkëpunimit parlamentar për të tri kushtet e BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat, me përfitime milionash, në dobi të përparimit të gjithanshëm të vendit nga fondet që do të përdoreshin jo në interesa partiake, por në interesa kombëtare. Përse ajo dinakëri perverse me bllokime artificiale, duke vënë kushte suplementare për interesa vetjake? Apo ‘një byrek që s’është për mua, le të digjet në furrë’? Tani na del, për çudi, edhe z. I. Meta, me mëtime se bllokimin na e paska bërë z. Berisha dhe jo E. Rama? Aleatit të tanishëm të Ramës, mund t’i bëhet vetëm një pyetje, dhe vetëm një: - Përse këtë vërejtje ai nuk e bëri kur ishte aleat i dr. Berishës? Janë më shumë se 90 % e popullit shqiptar të interesuar për ngritjen e mëtejshme të mirëqenies së popullit! Ky bishtnim i Ramës do të materializohet në votim të lirë e të ndershëm, paçka se do të dalë sërish ajo farsa e dalë boje “M’i vodhën votat!”.
Prandaj themi se jemi në rrafshin hipotetik, kur një fitore (e pamundur, - thamë) do të vinte në rend të ditës, postin e kryeministrit! Lorenc Vangjeli, në një panel përkundrejt Çim Pekës, e mori si me të qeshur këtë thënie të z. Nasip Naço, sikur nuk ishte në krah të tij kryetari i LSI-së, të cilit i dallohej nënqeshja aspak enigmatike, domethënë miratuese, I. Metës. Por Lorenci, mbrojti tezën se ithtari i tij e kishte shfaqur shumë herë pretendimin se do të ishte Rama kryeministër! Asnjë argument! Si njëri, edhe tjetri në fjalí që duheshin pranuar ‘a priori’! Ai (ithtari i Ramës) mund të thoshte se kjo varej nga fakti se kush nxirrte më shumë deputetë. Por ekziston edhe kundërargumenti: Se kryetari i LSI-së kondicionoi këtë fitore. Sikur ai të kalonte sërish atje ku ishte (me PD-në) atëherë kujt i mbetej posti i kryeministrit?
Meqë u bë njëherë kjo piruetë, përse të mos bëhej edhe njëherë tjetër? Ç’do të bënte Rama, nën këtë kërcënim?
Pra, edhe në një rast të hamendësuar, ajo thënia e Nasipit nuk është për të mos u marrë pak më seriozisht! Sigurisht nga Rama, që e ka deklaruar veten si jo politikan, por me ambicien për t’u bërë kryeministër, kur nuk e ka aspak një staturë të tillë!