E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, ndjekësi i përjetshëm i teorive humbëse

22-05-2013 / Nga Ilirian Dahri

Edi Rama dhe socialistët e tij e kanë  nisur fushatën për gjuetinë e votave me një autobus mavi që shëmbëllen me një plagë të stërmadhe. Ka shumë gjasa që të majtët e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian të kenë braktisur internacionalen socialiste jo vetëm për faktin se e konsiderojnë atë si një organizatë – fosile të shekullit 19, por edhe sepse nënkryetari i saj Edi Rama lëviz në fushatën e partisë së tij me një autobus që patjetër i kujton liderëve të së majtës europiane akoma dhe më shumë humbjet që vetë ata kanë pësuar nga efekti - autobus fushate. Kështu ka ndodhur disa vite më parë edhe në vendin fqinj të Italisë. Pikërisht një autobus, i blerë për fushatën nga Romano Prodi si një okazion i vërtetë (i dorës së dytë) edhe pse të majtët më pas investuan për t’i bërë vetëm motorin e ri madje krijuan enkas një zyrë të liderit brenda autobusit. E lyen me ngjyrën e ullirit ndërsa vite më vonë Veltroni zgjodhi për autobusin e tij një ngjyrë tjetër, ngjyrën e shpresës flitej asokohe, po aq të pafat. Nuk i fituan dot zgjedhjet. Edhe pse kërkonin simbole nga më të ndryshmet në ngjyrat e autobusit nuk arritën të fitonin në zgjedhjet përkatëse. Natyrisht me profesion nuk ishin piktorë si Edi Rama. Ndjekës i përjetshëm i teorive humbëse, Edi Rama nuk dorëzohet por kërkon të fitojë pikërisht aty ku socialistët europianë humbën me autobusin e fushatës së tyre. Një autobus i lyer pink dhe të mendosh që përdorimi i kësaj ngjyre ndihmon të luftosh energjitë pasive duke pasqyruar një forcë vullneti, sinonim të një pasioni të fortë (nënvizohet), personalitet të madh dhe besim në vetvete. Kush preferon këto ngjyra kërkon me ngulm vendet me pushtet por të cilat nuk i arrin kurrë. Kërkon të vihet në garë me të tjerët por sidomos me vetveten dhe kërkon që të rrëmbejë gjithmonë vëmendjen njerëzve. Por nëse Romani Prodi ribëri motorin e autobuzit të tij të pafat, defektet më të mëdha që mbart autobusi mavi janë të përqendruara tek mendjemadhësia, vrazhdësia dhe paqëndrueshmëria e pasagjerëve kryesorë. Njerëz të pasigurtë, që nuk ja dalin dot me vështirësitë që ju ofron jeta, njerëz gjithmonë të veçuar, personazhe që fillërojnë. Njerëzit nuk harrojnë lehtë bëmat e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës dhe do të hakmerren sërish në ditën e zgjedhjeve. Një njeri që kërkon t’u imponojë zgjedhjet e tij zgjedhësve. Një njeri që nuk dëgjon askënd madje kur të tjerët flasin merret me skicat apo vizatimet e tij. Një kryetar partie që nuk e kupton se nëse kërkon që të përmirësosh një komb duhet që në fillim ta dëgjosh, ta njohësh dhe pastaj t’i kërkosh votën. Një kryekooperativist të cilit i mungon vetëdija dhe serioziteti për të qenë mes njerëzve. A nuk thuhet se kush zgjidhet nga populli është i zgjedhur nga Zoti?  A mundet dot një humbës që të paraqesë idetë e tij dhe të kandidatëve të tjerë? Sepse politika është e lidhur gjithmonë me dimensionin simbolik dhe komunikues dhe ka një ndërvarje mes politikës dhe komunikimit. Por kur komunikimi shoqërohet me vrazhdësinë, mendjemadhësine dhe paqëndrueshmërinë përfundon gjithmonë me humbje. 23 qershori po afron. Dita e një tjetër humbjeje të radhës të Edi Ramës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›