Lepenci përforcohet me lojtar nga Maqedonia

Pasi e siguroi hyrjen në Superligë, skuadra e Lepencit po mundohet të përforcohet me futbollistë për t’u paraqitur denjësisht në elitën e futbollit kosovar në edicionin e ri, që nis në muajin gusht.
Klubi nga Kaçaniku është në bisedime me shtatë lojtarë, derisa është shumë pranë finalizimit të transferimit të pesë prej tyre.
Kaçanikasit në parim veç kanë arritur marrëveshje me sulmuesin e deritanishëm të Flamurtarit, Përparim Livoreka, ndërkohë deri në fundjavë, sipas të gjitha gjasave, do t’i zyrtarizojnë edhe katër përforcime tjera nga Maqedonia.
Bëhet fjalë për ish portierin e Prishtinës, Dardan Miftari, ish mbrojtësin e Prishtinës, Vebi Alievski, mbrojtësin Nimetulla Ajdari dhe mesfushorin defanziv Xhunej Sali.
“Me Livorekën veç kemi arritur marrëveshje në parim, kurse deri të shtunën besoj se do t’i mbyllim me sukses bisedimet edhe me Dardan Miftarin, Vebi Alievskin, Xhunej Sali dhe Nimetulla Ajdarin. Po ashtu jemi në bisedime edhe me dy futbollistë tjerë nga Kosova, por që nuk është koha e duhur t’i përmendi emrat e tyre”, deklaroi për Express trajneri i Lepencit, Selajdin Zeneli.
Ai pohoi se klubi i tij ka vendosur të përforcohet me këta futbollistë me qëllim që në edicionin e ri mos t’i rrezikohet statusi i anëtarit të Superligës.
“Në edicionin e ri objektiv kryesor e kemi t’i shmangemi luftës për mbijetesë. Pra, pozicionimi kah mesi i tabelës është objektivi ynë, apo edhe pjesa e epërme e tabelës, normalisht nëse na jepet rasti”, përfundoi Zeneli.