E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhezni motorët

Drejtuesit e hendbollit kosovar shpresojnë që sivjet klubet do të mobilizohen për t’u paraqitur më denjësisht në garat ndërkombëtare sesa në edicionin e kaluar. Ata u bëjnë thirrje donatorëve, komunave dhe Ministrisë së Sportit që t’i mbështesin financiarisht skuadrat, në mënyrë që ato ta përfaqësojnë më fort Kosovën në Evropë. Nga Valon Konushevci më 06 korrik 2011 në ora 12:14

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) të hënën e dha një lajm të mirë për Kosovën, kur njoftoi se vendin tonë në edicionin e ri të garave evropiane do ta përfaqësojnë pesë skuadra, një më shumë sesa në sezonin e kaluar.

Mirëpo, në edicionet e kaluara ekipet kosovare u paraqitën shumë zbehtë në Evropë, duke u mposhtur bindshëm nga skuadrat e huaja. Përveç kësaj, skuadrat ishin edhe të paorganizuara shkaku i krizës financiare.

Ky problem nuk është shenjë e mirë, pasi edhe në edicionin e ardhshëm vështirë se do të kenë paraqitje më të mira për dallim prej sezoneve të kaluar.

Megjithatë, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) mbetet me shpresë që klubet do të ndihmohen nga sponsorë seriozë që veprojnë në vendin tonë, komunat përkatëse dhe Ministria e Sportit, në mënyrë që sivjet të paraqiten më denjësisht në Evropë.

“Problemi është se klubet tona nuk kanë donatorë të mirëfilltë, seriozë. Plot gojën e kemi ndërkombëtarizim, por hendbolli është i ndërkombëtarizuar, derisa nuk po i shërbejmë këtij ndërkombëtarizimi. Është koha që në klubet tona të inkuadrohen sponsorë të fortë, siç është PTK, Ipko, etj, sepse është edhe në interes të tyre t’i ndihmojnë klubet kosovare, të cilat do të garojnë në Evropë”, deklaroi për Express sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci.

“Ministria e Sportit vazhdimisht i ka mbështetur dhe sigurisht se do të vazhdojë t’i mbështesë klubet. Por, komunat e atyre klubeve nuk i ndihmojnë. Gjithsesi se klubet kanë nevojë për t’u ndihmuar nga komunat përkatëse. Kështu, klubet do të mobilizoheshin mirë për garat evropiane”, shtoi ai.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Gjinovci thotë se askush mos të çuditet nëse klubet kosovare sërish paraqiten zbehtë në garat evropiane.

“Humbjet që i pësuan klubet tona nuk janë turp për to. Turp është për ata që nuk i ndihmojnë. Normalisht që humbasin me rezultate të atilla se aq e kanë fuqinë. Klubet tona i shpenzojnë rreth 20 apo 30 mijë euro në sezon, kurse Vardari i Maqedonisë ka buxhet vjetor 2 milionë, apo Metalurgu i Shkupit 3 milionë, Zagrebi 5 apo 6 milionë, e mos të flasim për klubet e vendeve tjera që e kanë hendbollin shumë më të zhvilluar”, vazhdoi Gjinovci.

Sipas tij, shtëpia e hendbollit kosovar do të ishte e kënaqur që klubet kosovare të paktën sikurse skuadrat maqedonase të ishin konkurruese në garat evropiane në edicionit e ri.

Gjinovci mendon se nëse sponsorët i ndihmojnë klubet të mobilizohen, me nga dy apo tri përforcime, ato do të kishin paraqitje shumë më të mira në Evropë.

Në edicionin e kaluar, Kosova është përfaqësuar me katër skuadra, derisa vetëm vashat e Prishtinës ia dolën të kualifikohen një rund, duke eliminuar skuadrën qipriote Enosi Neoleas.

Fillimisht Kosovën në garat evropiane e kishin përfaqësuar gjashtë ekipe. Mirëpo, pas një sezoni, EHF kishte vendosur që kosovarëve t’u mundësonte pjesëmarrje vetëm me katër ekipe, duke parë organizimin jo të mirë dhe krizën financiare të klubeve.

Në garat evropiane sivjet do të garojnë tri klube në konkurrencën e meshkujve: Kastrioti (EHF Cup), BESA Famiglia (Cup Winners Cup ) dhe Prishtina (Challenge Cup). Ndërsa, në konkurrencën e femrave, Prishtina do të paraqitet në EHF Cup, e Kastrioti në Cup Winners Cup.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›