Pa Kosovën, Olimpiada e pakuptimtë
— Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, të martën në Prishtinë është takuar me Michael Bates, anëtarin e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, vendi i të cilit do të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike ‘Londra 2012’.
Gjatë këtij takimi, Krasniqi ka diskutuar me përfaqësuesin e nismës ‘Olympic Truce’ (Armëpushimi Olimpik) rreth mundësisë që edhe Kosova të përfaqësohet nga sportistët e vet në Olimpiadën ‘Londra 2012’, ndonëse Komiteti Olimpik i Kosovës ende nuk është anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Ministri ka kërkuar nga lordi britanik që ta ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, të cilat mbahen gjatë verës së vitit të ardhshëm në Londër.
Krasniqi ia ka tërhequr vërejtjen Komitetit Olimpik Ndërkombëtar se do t’i shkelë parimet e veta në rast se nuk i lejon kosovarët të udhëtojnë drejt Londrës. Madje, kjo deklaratë e ministrit kosovar është mbështetur edhe nga vetë Bates.
“Ishte pajtim i përbashkët se mosdhënia e mundësisë Kosovës për të marrë pjesë në këto lojëra do të ishte në një mënyrë edhe mosrespektim i parimeve olimpike, të kartës olimpike dhe do të ishte një hap negativ për sa i përket zhvillimit të sportit në Kosovë, por që mund të them konkretisht edhe për sa i përket implementimit të këtyre parimeve të nivelit global”, ka deklaruar Krasniqi pas takimit me lordin britanik.
“Kërkova nga zoti Bates që të na mbështesë në rrugën tonë, që të bëjë atë që mundet për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, gjithmonë duke pasur parasysh se lordi Bates vjen nga shteti që do të organizojë Lojërat Olimpike të ardhshme dhe pata kënaqësinë që të marr një miratim pozitiv nga ana e tij”, ka theksuar Krasniqi.
Nisma që përfaqëson Bates, ‘Olympic Truce’ (Armëpushimi olimpik) në fokus ka bashkimin e njerëzve në një eveniment siç është Olimpiada dhe ndërprerjen e luftërave apo ndasive mes shteteve dhe kombeve.
Andaj, Bates ka pohuar se ky parim do të shkelej nëse Kosova nuk lejohet ta valojë flamurin e vet shtetërore në ‘Londra 2012’. Ai ka premtuar se do të jetë një zë i fuqishëm pro pjesëmarrjes së kosovarëve në Olimpiadën e radhës.
“Lojërat Olimpike bashkojnë njerëzit në emër të paqes. Dhe mendoj se nuk ka arsye që Kosova nuk duhet të jetë pjesëmarrëse në ‘Londra 2012’. Për mua lojërat nuk do të kishin idealin origjinal nëse nuk merr pjesë Kosova dhe të garojë me flamurin e vet”, ka deklaruar Bates. Ai u bëri thirrje kosovarëve të mos dorëzohen në rrugën të cilën veçse e kanë nisur drejt Olimpiadës ‘Londra 2012’.
Në takimin mes Krasniqit e Bates i pranishëm ishte edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, por edhe xhudistja Majlinda Kelmendi me trajnerin e vet Driton Kuka, e cila njëherësh është shpresa më e madhe për ta përfaqësuar Kosovën në ‘Londra 2012’.