E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus shkon në Madrid për Agueron

Por Antonio Konte kërkon edhe malazezin Vuçiniç, që e sheh si prioritet pas argjentinasit

Janë prenotuar që tani “biletat” për në Madrid. Sot Marota dhe Parataçi do të shkojnë në zyrat e Atletikos për sprintin final ndaj Agueros. Në këto orë janë të vazhdueshme kontaktet me agjentët e Kun, sidomos për të shmangur rrezikun Premier, me Mançester Sitit që të fut frikën me milionat arabe. Megjithatë, duhet thënë që në bardhezi Aguero do të ishte në qendër të projektit, ndërkohë që kjo gjë nuk do të vlente në një ekip ku janë Baloteli, Xheko, David Silva, me Nasri në ardhje dhe Tevez akoma jo në shitje. Dhëndrit të Maradonës, Juventusi i ofron 5 vjet kontratë prej 7,5 milionë eurosh në sezon. Për Atletiko Madritin janë gati 35 milionë euro.

Vuçiniç i ka ritheksuar Romës që nuk ka ndërmend të vazhdojë aventurën e tij me verdhekuqtë. Për motive ambientimi, të pranuara edhe nga familja e tij. Dhe tani Juventusi lëviz me të vërtetë. Ditën e premte agjenti i tij Luçi ka shpjeguar se “për Mirkon situata është disi e komplikuar, ka kaluar një sezon të veçantë në Romë përsa i përket jetës personale. Kështu që, për të ardhmen nuk përjashtohet asnjë mundësi. Juventus? Për momentin janë vetëm zëra, por gjithçka mund të ndodhë”. Kjo për vetë faktin se nga Torino vijnë sinjalet e para për klubin e “amerikanëve”. Për të motivuar Marotën mendon Konte, që e konsideron sulmuesin 27-vjeçar nga Mali i Zi si prioritet absolut. Roma e vlerëson Vuçiniç-in 18 milionë euro, Juvja kërkon të fusë në marrëveshje edhe lojtarë të tjerë. Pasi janë skartuar hipotezat Amauri dhe Iakuinta, marrëveshja mund të marrë formë me hyrjen e Markizios, lojtar që pëlqehet shumë nga verdhekuqtë. Shumë gjëra varen nga mesfushori italian, edhe pse Juventusi preferon zgjidhje të tjera: 12 milionë para në dorë, ose futja në marrëveshje e njërit ndërmjet Sisokos dhe Felipe Melos. Jemi akoma në fillim, me Sabatinin që nuk lëshon pe dhe me Marotën që mbështet shumë te dëshira e lojtarit për të ardhur në Torino. Vuçiniç ka treguar se nuk e ka marrë fare parasysh mundësinë Totenham, klub i cili i ka ofruar Romës 15 milionë euro. Përshtypja është se vullneti i lojtarit do të bëjë diferencën në këtë marrëveshje, edhe pse Roma shpreson në një interesim të Interit, fakt që do të rriste çmimin e lojtarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›