E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e biznesmenit, policia ndërton skemën e ngjarjes



Një variant i ndërtuar prej policisë për ngjarjen mendohet se biznesmeni është rrëmbyer në qytetin e Vlorës, ku është torturuar dhe më pas është vrarë me armë zjarri. Më pas autorët kanë dashur ta largojnë duke mos përshkuar rrugën nacionale, por kanë kaluar në rrugën e Nartës, më pas në Akerni, Novoselë, duke dalë në fshatin Bishan. Itinerari i tyre ka vazhduar në rrugët rurale duke përfunduar në rrugën Fier-Darzezë, ku në një zonë të pabanuar dhe të fshehur nga bimësia e lartë është tentuar zhdukja e trupit me lëndë djegëse. Autorët janë larguar menjëherë dhe nuk kanë mundur të shihnin se trupi nuk ishte djegur plotësisht. Pas gjetjes së trupit policia e Fierit dyshoi që në fillim se bëhej fjalë për biznesmenin e zhdukur, por ishin familjarët e viktimës ata që bënë identifikimin. Në Vlorë dhe në Fier vazhdojnë paralelisht hetimet për vrasjen e biznesmenit Genc Abazaj. Drejtoria e Policisë së Vlorës po hetonte për zhdukjen e tij kur u lajmërua Fieri për gjetjen e kufomës. Në Vlorë hetuesit kanë kryer shoqërimet e para për të gjetur autorët dhe shkakun e kësaj vrasje. Po dje u morën në pyetje shokët e viktimës me të cilët ai ishte shoqëruar edhe ditën kur u zhduk. Ndërsa Drejtoria e Policisë së Fierit ka marrë në pyetje kryeplakun e fshatit Darzezë, si dhe çobanin që gjeti i pari trupin e biznesmenit. Hetuesit kanë rindërtuar vendin e ngjarjes dhe itinerarin që mund të kenë ndjekur autorët

Librazhd

Burri tentoi të digjte gruan me benzinë

Një 50-vjeçar tentoi të digjte të gjallë gruan e tij benzinë. Ngjarja ndodhi në fshatin Dorëz të Rrethit të Librazhdit, rreth 15 kilometra larg qytetit. Viktimat e dhunës kanë qenë në fakt dy gra, bashkëshortja dhe nusja e djalit të 50-vjeçarit Sherif Topi, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Por, ndërsa nusja ka “ngrënë” vetëm disa goditje me grushte e shkelma, bashkëshortja e Topit ka rrezikuar seriozisht jetën, pasi burri e ka spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën. Sipas burimeve policore, Sherif Topi ka lyer me benzine bashkëshorten e tij, Makbulen, dhe më pas i ka vënë flakën. Sipas të afërmve të familjes, ka qenë vetëm nëna e Topit ajo që ka shpëtuar Makbulen, duke ia mbuluar shpejt trupin me një batanije dhe 45-vjeçarja mundi të shpëtonte nga vdekja. E dëmtuara deklaroi se dhuna e ushtruar nga bashkëshorti ka qenë e vazhdueshme dhe për këtë kohë me parë kishte denoncuar në polici.
Rasti do t’i kalonte për shqyrtim Gjykatës së Librazhdit, por kjo e fundit e kishte mbyllur çështjen dy muaj më parë. Makbulja ka kërkuar të denonconte faktin se bashkëshorti i saj kishte filluar të rrihte edhe nusen e djalit për shkaqe banale. Fill pas kësaj ngjarjeje të rëndë gruaja e dhunuar ka bërë kallëzimin e dytë në polici. Nëna e katër fëmijëve ka vendosur të kërkojë të drejtën e saj po në dyert e asaj gjykate që kohë më parë kishte heshtur.

Laç

Arrestohet 30-vjeçari, mbante armë luftarake pa leje

Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për mbajtje pa leje të armëve luftarake është arrestuar dje nga policia. Burime nga policia thanë se u ndalua Fran Deda, 30 vjeç, banues në fshatin Fradec, komuna Kastrat, rrethi Malësi e Madhe. Sipas policisë, ndalimi i tij u krye për arsye se Deda ka qenë person i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Laç për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Arrestimi i tij u bë i mundur nga shërbimet policore të Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe, në fshatin Bajzë të Komunës Kastrat, pas një informacioni të marrë në rrugë operative.

Gjirokastër

Arrestohet trafikanti i klandestinëve, u merrte nga 400 euro

Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë arrestuar në flagrancë 30-vjeçarin Patriot Mema, lindur dhe banues në Skrapar. Sipas të dhënave policore, arrestimi i tij është bërë për arsye se në afërsi të fshatit Zhepë në Përmet ky person është kapur duke shoqëruar 3 persona nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilët i kishte rekrutuar vetë dhe do t’i ndihmonte të kalonin kufirin jeshil për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit 400 euro për person, gjithsej 1200 euro. Kapja e këtij personi u bë e mundur mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative.

Gjirokastër

Kapet i kërkuari për vjedhje sa mbërriti nga Greqia në Kakavijë

Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar 23-vjeçarin Edison Groshi, lindur dhe banues në fshatin Hormovë të rrethit Tepelenë. Burime policore thanë se ndalimi i tij është bërë pasi rezultonte i dënuar nga gjykata me 1 vit burg për veprën penale të “vjedhjes”. Kjo pasi ky person, në nëntor të vitit 2007, ka vjedhur herë pas here naftën e automjeteve të firmës që ndërtonte autostradën Gjirokastër–Tepelenë. Kapja e tij u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas do të kthehej për në Shqipëri nëpërmjet pikës së Kakavijës dhe në momentin që ka hyrë në Kakavijë është prangosur.

Durrës

Manovroi gabim kamionin, godet për vdekje motrën

Duke kryer manovrën e gabuar me mjetin e tij kamionçinë, me targë TR 7161 C, një 16-vjeçar ka shkaktuar vdekjen e motrës së tij 6-vjeçare pas përplasjes. Sipas të dhënave policore ngjarja e rëndë ka ndodhur në Sukth të Durrësit dhe autor i saj është personi me inicialet A. P., i cili drejtonte automjetin pa pasur lejen e drejtimit të tij. Grupi hetimor kreu veprimet procedurale në vendngjarje dhe u vendos që A. P., për arsye të moshës, të ndiqet në gjendje të lirë duke e lënë nën kujdesin e babait të tij, Kol Pepkola. Materialet në ngarkim të A. P. do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›