Rriten tarifat për dokumentet që merren në gjendjet civile
Laureta Rryçi
Tiranë - Rritet pagesa për të gjitha dokumentet që lëshohen nga gjendjet civile në vend. Këshilli i Ministrave miratoi dje tarifa të reja për aktet që përfshihen në ligjin për taksat kombëtare. Falë këtij vendimi, qytetarët do të nxjerrin më tepër para për të marrë një dokument për lënien apo dhënien e shtetësisë, për aktin e martesës apo dhe shumë dokumente të tjera. I vetmi çmim që qeveria ka vendosur të mos e ndryshojë ka të bëjë me certifikatat e gjendjes civile. Mirëpo, me krijimin e kartave të identitetit, pakkujt prej qytetarëve shqiptarë iu duhen ato. Po sipas këtij vendimi, për dekretet e nxjerra nga Presidenti i Republikës për lënie të shtetësisë shqiptare, të pazbatuara deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk zbatohet taksa e pullës.
Taksat e reja
Për lëshimin e certifikatave për përdorim brenda vendit do të paguhet 50 lekë. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë për lidhje martese” në gjuhë të huaj qytetari do të paguajë 200 lekë. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë lindjeje” në gjuhë të huaj do të paguhet tani e tutje 200 lekë. Për regjistrimin e shtetasve të huaj, pas dhënies së shtetësisë shqiptare, do të paguhet 2000 lekë. Për procedurën e ndryshimit të emrit/mbiemrit tarifa disafishohet duke u bërë në 1000 lekë. Për mbajtjen e akteve të lidhjes së martesës do të paguhet 1000 lekë. Për procedurën për veçim/bashkim familjesh të shtetasve 1000 lekë.
Taksat e vjetra
Deri tani qytetarët ishin të detyruar të zbatonin vendimin e qeverisë që u mor në vitin 2008. Sipas këtij vendimi qytetarët paguanin 50 lekë për të marrë një certifikatë. Për kartat e identitetit brenda vendit paguanin 100 lekë. Për marrjen e çdo akti të emetuar ose të zhdukur të gjendjes civile si dhe për korrigjimet e tyre paguanin 50 lekë. Për regjistrin e dhënies së shtetësisë paguhej nga qytetari që kërkonte këtë shërbim 700 lekë. Po kështu edhe ata që linin shtetësinë shqiptare paguanin të njëjtën tarifë, pra 700 lekë. Për rastet kur kërkohej regjistrimi i vendimit të ndërrimit të emrit ose mbiemrit paguhej 700 lekë dhe për çdo lidhje martese ishte 600 lekë.
Taksat kombëtare për aktet
ishin...
50 lekë
për lëshimin e certifikatave të gjendjes civile
100 lekë
për lëshimin e kartave të identitetit për brenda vendit
50 lekë
për marrjen e çdo akti të emetuar ose të zhdukur të gjendjes civile, si dhe për korrigjimet e tyre
700 lekë
për regjistrimin e dhënies së shtetësisë
700 lekë
për regjistrimin e lënies së shtetësisë
700 lekë
për regjistrimin e vendimit të ndërrimit të emrit ose mbiemrit
600 lekë
për çdo lidhje martese
Taksat kombëtare për aktet
Bëhen...
50 lekë
për lëshimin e certifikatave për përdorim brenda vendit
200 lekë
për lëshimin e dokumentit “Certifikatë për lidhje martese” në gjuhë të huaj
200 lekë
për lëshimin e dokumentit “Certifikatë lindjeje” në gjuhë të huaj
2000 lekë
për regjistrimin e shtetasve të huaj, pas dhënies së shtetësisë shqiptare
1000 lekë
për procedurën e ndryshimit të emrit/mbiemrit
1000 lekë
për mbajtjen e akteve të lidhjes së martesës
1000 lekë
për procedurën për veçim/bashkim familjesh të shtetasve
3 Shtator 2009