E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëshimi i vizave, fituesit do të shpallen brenda datës 10 gusht 2010



Emrat e maturantëve shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në universitetet italiane do të shpallen brenda datës 10 gusht 2010. Sipas afatit të vendosur nga Ministria e Universiteteve Italiane, brenda datës 10 gusht do të dalin listat e kandidatëve të pranuar për t’u regjistruar në universitetet italiane, datat e regjistrimit, informacion në lidhje me procedurat, kriteret dhe përmbajtja e provimeve të pranimit etj. Sikurse gjatë vitit të kaluar, edhe këtë vit, maturantët shqiptarë, të përzgjedhur nga Ambasada Italiane, për të nisur pararegjistrimin në universitetet italiane dhe që kanë kaluar me sukses dy provimet me zgjedhje të Maturës do të nisen drejt Italisë në ditët e fundit të muajit gusht.
Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur që nga data 24 gusht. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Por, me gjithë mbërritjen në shtetin fqinj, ata duhet të kalojnë disa kohë në pritje para nisjes së studimeve në këtë vend, derisa universitetet italiane të shprehen zyrtarisht se cili prej tyre do të pranohet. Kështu, pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Përcaktimi i fituesve në Itali do të bëhet para nisjes së vitit të ri akademik 2010-2011. Ndërkohë që të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk do të renditen te listat e fituesve në universitetet italiane nuk duhet të dëshpërohen, pasi për ta do të ketë një shans të dytë për të studiuar në Itali, megjithëse jo në degën e preferuar. Brenda datës 12 dhjetor 2010 universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira në fakultetet e tyre. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla me të cilat aplikojnë edhe italianët.

Kalendari i datave për konkurset e pranimit
1 shtator 2010
Provimi i njohjes së Gjuhës italiane
2 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degët Mjekësi dhe Kirurgji
3 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degën Stomatologji
6 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degën Mjekësi Veterinare
7 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degën e Arkitekturës
8 shtator 2010
Konkursi i pranimit për Profesionet e Shëndetësisë
20 shtator 2010
Konkursi i pranimit për Shkencat e Formimit Bazë

Afatet e aplikimit
17 maj 2010
Duke nisur prej kësaj date deri në afatin që do të caktohet nga përfaqësitë diplomatike italiane, duhet të bëhet paraqitja e aplikimit për regjistrim te përfaqësuesit italian në vendin e origjinës.
10 gusht 2010
Sipas afatit të vendosur nga Ministria e Universiteteve Italiane, brenda datës 10 gusht do të dalin listat e kandidatëve të pranuar për t’u regjistruar në universitetet italiane, datat e regjistrimit, informacion në lidhje me procedurat, kriteret dhe përmbajtja e provimeve të pranimit etj.
24 gusht 2010
Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur që nga data 24 gusht. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›