E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, kalendari i datave të aplikimit për vitin akademik 2010-2011



Jonida Tashi

Ministria e Universiteteve Italiane shpall kalendarin e datave të aplikimit për studentët e huaj, përfshirë edhe të rinjtë shqiptarë, që duan t’i ndjekin studimet e larta në Itali, gjatë vitit të ardhshëm akademik. Sipas njoftimit zyrtar të kësaj ministrie, duke filluar që nga dita e djeshme, të gjithë maturantët shqiptarë që dëshirojnë ta kryejnë universitetin në Itali, duhet të paraqesin pranë përfaqësive diplomatike italiane aplikimin paraprak. Përveç vendosjes së afateve të aplikimit, Ministria e Universiteteve Italiane, ka përcaktuar edhe datat se kur do të zhvillohen provimet e pranimit për degët me konkurs të veçantë.
Degët me konkurs
Konkurseve të pranimit për degët e specialiteteve në universitetet italiane do t’u nënshtrohen vetëm maturantët shqiptarë që kanë marrë vlerësim pozitiv në dy provimet me zgjedhje të Maturës, si dhe kanë aplikuar për degët: Arkitekturë, Mjekësi, Odontoiatri, Veterinari, Profesionet Sanitare, Shkencat e Formimit Bazë. Për këto degë, autoritetet italiane kanë vendosur që përveç provimit të njohjes së gjuhës italiane dhe kalimit me sukses të katër provimeve të Maturës, të rinjtë shqiptarë të kalojnë disa prova të tjera në lidhje me disiplina të veçanta. Sipas kushteve të vendosura nga universitetet italiane, të rinjtë shqiptarë që do të arrijnë të kalojnë me sukses konkursin që do t’u bëhet nga fakultetet ku ata kanë aplikuar, do të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në këto degë. Në këto konkurse maturantët shqiptarë do të testohen për dijet specifike që karakterizohet secila prej degëve të mësipërme. Arsyeja pse universitetet italiane kanë vendosur t’i testojnë maturantët shqiptarë para se t’i pranojnë në auditorët e tyre qëndron në faktin se këto degë ofrojnë një numër të kufizuar kuotash pranimi. Madje jo vetëm kaq, por duke qenë se ato janë tepër të preferuara edhe nga të rinjtë italianë, është parë si e nevojshme që të bëhet një seleksionim i mirë i kandidatëve, me qëllim që të përzgjidhen studentët më të mirë, pavarësisht origjinës së tyre.
Data e konkurseve
Ministria e Universiteteve në Itali ka publikuar datat e provimit specifik për degët me konkurs në universitetet italiane. Sipas kalendarit të provimeve për konkurset e pranimit, këto të fundit do të zhvillohen duke filluar që nga data 1 shtator deri në datën 20 të po këtij muaji. Në ditën e parë të çeljes së sezonit të konkurseve të pranimit, të gjithë studentët shqiptarë që kanë fituar të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të testohen me shkrim dhe me gojë për njohjen e gjuhës italiane. Pas mbajtjes së provimit të gjuhës do të zhvillohet konkursi i parë i pranimit për degët Mjekësi dhe Kirurgji. Më konkretisht, testimi i kandidatëve për studentë në Itali për dy degët e mësipërme do të bëhet në datën 2 shtator. Në këtë provim kandidatët do të testohen për dijet që ata kanë marrë gjatë shkollës së mesme në lëndën e Biologjisë dhe Kimisë. Në datën 3 shtator do të zhvillohet konkursi i pranimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin studimet në specialitetin Odontoiatri dhe Proteza Dentare (Stomatologji). Tri ditë më pas, në datën 6 shtator, konkursit të pranimit do t’u nënshtrohen studentët që kanë zgjedhur si specialitet degën e Mjekësisë Veterinare. Edhe në këtë konkurs specifik pranimi studentët do të testohen për lëndët që lidhen me këtë degë, ku përfshihen Kimia, Biologjia dhe Fizika. Ndërsa në datën 7 shtator do të zhvillohet konkursi i pranimit për studentët që kanë preferuar degën e Arkitekturës, për të vijuar studimet e larta në Itali. Sikurse edhe testimi në vendin tonë, konkursi i pranimit për këtë degë do të përfshijë Vizatimin Teknik dhe testim për njohuritë e kandidatëve në Matematikë dhe Fizikë. Në datën 8 shtator do të mbahet konkursi i pranimit për Profesionet e Shëndetësisë. Të fundit që do t’i nënshtrohen konkursit të pranimit do të jenë studentët që kanë zgjedhur si degë Shkencat e Formimit Bazë. Konkursi për studentët që kanë zgjedhur një specialitetet të tillë për të ndjekur universitetin në Itali do të mbahet në datën 20 shtator, që do të jetë edhe dita e fundit e konkurseve.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›