Spektakël motorësh në rrugë, të rinjtë thyejnë katër postblloqe policie
GJIROKASTËR - Dy të rinj janë vënë në pranga dhe një i tretë është në hetim pasi kanë thyer 3 postblloqe policie në rrugën Gjirokastër-Tepelenë, duke vënë në gatishmëri dy komisariate policie. Burime zyrtare nga policia lokale kanë bërë të ditur se rreth orës 19:30 të dy ditëve më parë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Klemend Killo, i datëlindjes 1989, lindur dhe banues në Durrës dhe Indrit Belegu, i datëlindjes 1989, lindur dhe banues në Durrës. Në hetim në gjendje të lirë është Kreshnik Kuçi. Tre të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar me motoçikletat e tyre nga Saranda në drejtim të Durrësit. Në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Derviçan, Policia e Gjirokastrës u ka bërë shenjë për të ndaluar, pasi po udhëtonin me shpejtësi të madhe. Por asnjëri nga këta nuk ka ndaluar, duke vazhduar rrugën me shpejtësi akoma më të madhe. Menjëherë është lajmëruar sallën për ndihmë dhe në vendin e quajtur Ura e Lumit në Gjirokastër ka dalë në postbllok Patrulla e Përgjithshme. Kur të tre motoçikletat janë afruar në postbllok, Patrulla e Përgjithshme u ka bërë shenjë të ndalojnë dhe ka bllokuar rrugën, por të tre përsëri nuk i janë bindur urdhrit të policisë duke u larguar me shpejtësi, pasi kanë shpërthyer postbllokun. Në ndjekje të tyre janë vënë disa makina të Patrullës së Përgjithshme. Njëkohësisht është lajmëruar Komisariati i Policisë Tepelenë për të bllokuar rrugën në vendin e quajtur Uji i Ftohtë. Patrullat e Komisariatit të Gjirokastrës kanë mundur të ndalojnë njërën nga motoçikletat në afërsi të Subashit, i cili ka kundërshtuar forcat e policisë gjatë ndalimit të tij. Ndërkohë, dy motoçikletat e tjera janë larguar me shpejtësi të madhe. Postblloku tjetër i policisë, në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, Tepelenë, kishte bllokuar rrugën me mjete të policisë dhe ka bërë të mundur ndalimin e motoçikletës së dytë që drejtohej nga Indrit Belegu. Por motoçikleta e tretë ka shpërthyer postbllokun e policisë dhe është larguar në drejtim të Tepelenës me shpejtësi të madhe. Një tjetër postbllok është ngritur nga policia në Memaliaj. Në këtë vend është vetëdorëzuar Kreshik Kuçi. Pas ndalimit, tre të rinjtë janë shoqëruar në Policinë e Gjirokastrës. Nga hetimet është mësuar se ata nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar pasi motoçikletat e tyre ishin pa dokumente. Policia ka bllokuar motoçikletat si prova materiale. Ndërkaq, është bërë dhe arrestimi në flagrancë i Klemend Killos dhe Indrit Belegut për veprat penale “fyerje për shkak të detyrës”, “kundërshtim i punonjësve të rendit publik” dhe “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
18 Maj 2010