E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet shëndetësore, ISKSH: Sa duhet të paguajë çdo kategori



Jonida Tashi

Shqiptarët nuk po preferojnë të jenë të siguruar nga ana shëndetësore, megjithëse kur paraqiten në dyert e spitaleve duhet të paguajnë një më një çdo shërbim që u ofrohet. Ndërkohë që krejt e kundërta do të ndodhte për xhepat e tyre, nëse ata do të ishin të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore, falë së cilës do të përfitonin vizita falas në spitale ose në disa raste me tarifa të reduktuara. Niveli i ulët i derdhjes së kontributeve shëndetësore në vendin tonë është pranuar edhe nga drejtuesja e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana. Në të një takim të posaçëm që është zhvilluar dje për këtë çështje, Hana u shpreh se përfitimet nga skema e sigurimeve kane ardhur në rritje, ndërsa pagesa e kontributeve shëndetësore vazhdon të mbetet 3.4%, më e ulëta në rajon. Sipas ISKSH-së, pjesa relativisht e ulët e të ardhurave që vjen nga kontributet lidhet më faktin se përqindja e kontributit shëndetësor, ndaj totalit të të ardhurave të punonjësve është mjaft e ulët. Në këto kushte, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor i propozon qeverisë që kontributet shëndetësore të derdhen përmes një takse, e cila të shkojë direkt për shëndetin. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, kjo taksë për shëndetin do të bënte transparente çdo shërbim shëndetësor që i ofrohet qytetarit, i cili e paguan atë.
Pagesat
Aktualisht pagesa e kontributeve shëndetësore në vendin tonë është 3.4% e pagës mujore deri në kufirin maksimal për të punësuarit, ndërsa për të vetëpunësuarit 7% e pagës minimale. Sipas ISKSH-së, për personat e punësuar pagesa e kontributeve është 3.4% e pagës mujore deri në kufirin maksimal, të vendosur me vendim qeverie, nga të cilat 1.7% i paguan punëdhënësi dhe 1.7% i paguan punëmarrësi. Për të vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe punonjësit e papaguar të familjes në qytet, pagesa e kontributeve është 7% e pagës minimale të përcaktuar çdo vit me vendim qeverie. Për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes në fshat kontributi është 3-5% e pagës minimale të përcaktuar me vendim qeverie. Për të siguruarit vullnetar është 3.4% e pagës minimale, të përcaktuar me vendim qeverie. Pagesa e kontributeve llogaritet mbi bazën e një page minimale dhe një page maksimale, të përcaktuara me vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat sot janë përkatësisht 16.120 lekë dhe 80.600 lekë.
Niveli
Edhe pse buxheti i shtetit është rritur nga vit në vit përsa i përket financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore, sërish niveli i derdhjes së kontributeve nga qytetarët është i ulët, duke sjellë një pengesë në reformimin e sistemit shëndetësor. Kjo ka qenë deklarata e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. “Në vitin 2006 ka pasur një rritje pak më domethënëse, për shkak edhe të politikave të reja të qeverisë, megjithatë masa e kontributit ngelet gjithmonë e vogël. Në 2009 u përfshinë edhe spitalet, çka tregon atë hopin në financim. Është një hop cilësor që janë rritur fondet, por janë kalime fondesh nga Ministria e Shëndetësisë tek Instituti i Sigurimeve Shëndetësore”, - tha Hana. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka përqindjen më të ulët të nivelit të kontributeve për personat e punësuar. “Shëndetësia është në një gjendje mjaft të vështirë, në qoftë se do ta krahasojmë atë në vendet rreth e qark. Në mënyrë që ne të mund të financojmë një shëndetësi bashkëkohore duhet edhe financimi të jetë siç është në vendet e rajonit”, - deklaroi Hana. Kontributet e sigurimeve shëndetësore tek ne financojnë rreth 10-11% të totalit të shpenzimeve për shëndetësinë, buxheti i shtetit rreth 37-38% dhe pjesa tjetër financohen nga vetë individët apo burime të tjera.

Pagesa vullnetare e kontributeve shëndetësore
Për të filluar sigurimin vullnetar, personi i interesuar duhet të paraqitet pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shëndetësore. Vetëm një vit pas derdhjes së shumave të caktuara të kontributeve, i siguruari mund të përfitojë nga shërbimet që ofron skema. Libreza e shëndetit është një dokument mjaft i rëndësishëm, që provon se një person është i siguruar. Pacientët që janë të siguruar, kur shkojnë në spital, përveç librezës, duhet të paraqesin dhe rekomandimin e dhënë nga mjeku i familjes. Vetëm në rastet kur faktohet se mjeku i familjes nuk e merr përsipër trajtimin e mëtejshëm, pacienti i nënshtrohet vizitës në spital duke mos paguar tarifa. Për rastet e tjera, kur pacientët që janë të siguruar shkojnë në spital pa rekomandim, do të aplikohen tarifat e reja të shërbimeve të miratuara në fillim të këtij viti nga Ministria e Shëndetësisë.

Të vetëpunësuarit, shumat minimale mujore për kontributet shoqërore dhe shëndetësore
Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, aktualisht është 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 128 lekë;
I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi) paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30% (23%, sigurim shoqëror, dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh, të barabartë me 4 836 lekë në muaj;
I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së vet, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi) paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind (23 për qind sigurim shoqëror dhe 7 për qind sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 16 120 lekësh, e barabartë me 4 836 lekë në muaj;
Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare, shërbimi, apo ambulante, duhet të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 1 200 lekë;
Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, që nuk janë të punësuar diku tjetër, paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh;
Të vetëpunësuarit në bujqësi, duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 14 400 lekë;
Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie është 1 200 lekë në muaj.

Skema e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore
Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit është:

Degët e sigurimit % në lekë
Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.3 48
Dega e sigurimit të barrëlindjeve 1.4 226
Dega e sigurimit të pensioneve 21.6 3 482
Dega e sigurimit të aksidenteve
dhe sëmundjeve profesionale 0.3 48
Dega e sigurimit të papunësisë 0.9 145
Sigurimet shëndetësore 3.4 548

Orhan Pamuk merr titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës

Shkrimtari i njohur turk, nobelist në vitin 2006 në Letërsi, Orhan Pamuk, u nderua dje nga Universiteti i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa”. Në ceremoninë përkatëse të zhvilluar në sallën e mbledhjeve të senatit, morën pjesë krahas rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, zëvendësministri, Halit Shamata, anëtarët e senatit akademik të Universitetit të Tiranës, ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri e të tjerë. Gjatë fjalës hapëse, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule theksoi se Letërsia i sjell afër kombet, duke përshëndetur arritjet e shkrimtarit Orhan Pamuk në këtë fushë. Orhan Pamuk falënderoi të pranishmit për nderin që i bën dhe deklaroi se ishte mirënjohës për të. Titulli “Doctor Honoris Causa” iu dha shkrimtarit të njohur turk, me motivacionin “Për kontribut të shquar në fushën e letrave, të emancipimit shoqëror dhe të dialogut mes qytetërimeve”, pas propozimit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›