E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat profesionale, Tafaj: “Degë të reja të Teknologjisë së Informacionit”



Hapja e degëve të reja të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, sikurse në universitete, do të përfshijë edhe shkollat profesionale në vend. Kështu ka deklaruar dje ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në tryezën e rrumbullakët me temë: “Përmirësimi i cilësisë dhe zhvillimi i degëve të reja të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), në shkollat profesionale”, të organizuar në shkollën teknike të Tiranës “Harry Fultz”. Tafaj ka bërë të ditur se në kuadrin e iniciativës së shpallur nga kryeministri Berisha “Shqipëria Dixhitale” në fushën e arsimit, janë marrë disa hapa, jo vetëm në nivelin e arsimit të mesëm, por dhe atë të lartë që synojnë të rrisin numrin e nxënësve që mësojnë dhe studiojnë në degët dhe profesionet e lidhura me Teknologjinë e Informacionit. Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit së bashku me drejtoritë arsimore dhe shkollat profesionale, me mbështetjen e Agjencisë së Arsimit dhe Formimit Profesional dhe me mbështetjen e donatorëve ka zhvilluar një projekt përmes të cilit synohet të hapen degët e Teknologjisë së Informacionit së në disa shkolla profesionale të rretheve të vendit tonë. Projekti parashikon paraprakisht që degët e reja të hapen në 12 shkolla. Aktualisht degë të tilla ka vetëm në 5 shkolla nga 49 shkolla profesionale në shkallë vendi.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›