Pranga gruas, kapo e rrjetit të drogës në Gjermani
Zbardhen detajet e dy operacioneve të zhvilluara dy net më parë, ku përfunduan në pranga katër persona. Mes të arrestuarve është edhe një femër, që është gruaja e organizatorit të trafikut të drogës me Gjermaninë. Në operacionin e koduar “Triss”, ku u arrestua Meliha Gjuzi, 46 vjeçe, bëhet fjalë për një hetim të nisur që në Gjermani dhe që më pas, emrat e disa të dyshuarve kanë rezultuar edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave policore, Gjuzi, me profesion rrobaqepëse, që punonte pas Ministrisë së Drejtësisë, ka qenë personi i kontaktit për gjithë të arrestuarit në Tiranë, pasi burri i saj drejtonte trafikun e drogës në Gjermani.
Operacioni “Triss”Drejtori i Policisë së Tiranës, i cili doli në një konferencë për shtyp, deklaroi se gjykata kishte vendosur “arrest me burg” për Meliha Gjuzin. Arrestimi i saj u bë pas një hetimi gjashtëmujor, i shtrirë në Tiranë, Kosovë dhe Gjermani, që në periudha të ndryshme kohore janë arrestuar 12 shtetas shqiptarë dhe disa të huaj për kryerje të veprës penale “të prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “prodhimi e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Ky operacion u krye në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane të zbatimit të ligjit dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka synuar në dokumentimin e veprimtarisë kriminale dhe vënien përpara drejtësisë së pjesëtarëve të këtij grupi kriminal. Të parët e arrestuar në Tiranë gjatë këtij operacioni janë Arif Zelo 53 vjeç dhe Ermir Dalipaj 32 vjeç, të dy me banim në Lushnjë. Pikërisht më 2 mars të këtij viti, policia deklaroi se gjatë operacionit “Qerreti II”, arrestoi këta dy persona, si dhe sekuestroi një sërë armësh e municionesh. Ata u kapën në afërsi të Qerretit, në Kavajë, gjatë momenteve që lëviznin me një “Benz”, me targa LU 0692 C, ku pas një kontrolli në të, u bllokuan dy pistoleta “Zastava” me 50 fishekë, si dhe një silenciator. Ndërsa në banesë iu gjetën dy pistoleta të tjera, një automatik dhe 50 fishekë të tjerë pistolete. Në sajë të hetimeve, u konkludua se ata i blinin në Malin e Zi dhe i shisnin në Shqipëri.
Pas tyre, policia arrestoi tre vëllezërit Qefalia, mes tyre dy binjakë, të cilët u kapën rastësisht pas një sherri banal dhe gjatë kontrollit në banesë u gjetën 2 kg e 815 gramë heroinë. Gjithçka ka nisur rreth orës 11.00 të datës 13 mars, kur shërbimet e policisë kanë marrë njoftim se në Spitalin Ushtarak Tiranë kanë shkuar të dëmtuar dy vëllezër. Ata ishin goditur me shkopinj bejsbolli, pas një konflikti të ndodhur në afërsi të kodrave të liqenit, në pjesën e Farkës. Sipas të dhënave policore, nga dëshmitë e dy të plagosurve, Gentian dhe Alehandro Memaçi, përkatësisht 28 dhe 27 vjeç, është mësuar se autorët ishin binjakët, Alfred dhe Artan Qefalia, 26 vjeç, dhe vëllai i tyre më i madh, Kujtim Qefalia, 37 vjeç. Tre vëllezërit ishin të njohur nga policia, ndërkohë që Alfredi nuk kishte shumë që ishte liruar nga burgu, pasi ka qenë i dënuar për grabitje me armë. Duke kontrolluar banesën, policia gjeti drogën. Por deri në ato momente policia shqiptare nuk paraqiti të dhëna që i lidhnin tre vëllezërit me dy lushnjarët. Megjithatë, Meliha Gjuzi duket se i ka lidhur mes tyre dhe pas ardhjes së dosjes edhe nga Gjermania, ku janë kapur edhe gjashtë shqiptarë të tjerë, publikohet se ata kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Sipas drejtorit Vocaj, në Gjermani janë kapur Dhimitri Rapi 54 vjeç, nga Tirana Ilia Bregu, 33 vjeç, nga Leskoviku dhe me banim në Tiranë, Gëzim Hasandocaj, 30 vjeç, nga Tropoja, Leonard Brunga 38 vjeç, nga Tirana, Iljan Zeka, 25 vjeç, me kombësi kosovare e shtetësi gjermane dhe Faruk Istrefi, 26 vjeç, lindur në Kosovë, rezident ne Gjermani. Të gjithë këta persona dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Kreu i policisë së kryeqytetit, Vocaj, tha se grupi drejtohej nga Ilia Bregu dhe Dhimitri Rapi.
#