Opozita e "hallakatur", grupi i PS-së injoron grevën
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ishte surpriza e ditës së djeshme. Me të mbërritur në seancë, deputetët e kësaj partie janë mbledhur për të diskutuar në lidhje me qëndrimin që do të mbanin. Burimet sqarojnë se kryetarja Valentina Leskaj u ka kërkuar ligjvënësve të selisë rozë të mos bien pre e provokimeve që mund të bëhen. Direktiva ishte e qartë që, edhe nëse do të fyheshin, nuk duhet të reagonin, për të shmangur kështu incidentet. Më pas është diskutuar në lidhje me personat që do mbajnë fjalën dhe është caktuar nënkryetari i grupit, Erjon Braçe. Çdo gjë rreth ecurisë së punimeve të seancës është rënë dakord t‘i lihet Kryeparlamentares Jozefina Topalli, për shkak se ajo është drejtuesja e Kuvendit. Në këtë formë, deputetët socialistë kanë qenë të gatshëm të zbatojnë ato çka do të caktonte Topalli për ecurinë e seancës. Diskutimet nuk kanë zgjatur edhe për shkak se deputetët që mund të kontestonin nuk ishin prezentë. Ish-kryeministri Pandeli Majko ndodhej në një udhëtim pune në Madrid, ish-kreu i grupit parlamentar, Ben Blushi, në Korçë, ndërsa ish-ministri i Financave, Arben Malaj, nuk ishte prezent në grup. Në seancë u duk qartë një opozitë e "shkalafitur", ku përçarja mbizotëronte. Deputetët socialistë ndiqnin si spektatorë kolegët grevistë, madje në disa raste nuk mungonin batutat. Disa prej tyre rrinin në korridoret e Parlamentit, duke mos preferuar të ulen në sallë. Gjysma e opozitës ishte vendosur në shesh, teksa gjysma tjetër vijonte normalisht me rendin e ditës. Irritimi i protestuesve në mjediset jashtë Parlamentit ishte tej mase i dukshëm teksa kalonin deputetët e Partisë Socialiste. Këta të fundit u vunë në qendër të akuzave jo vetëm nga grevistët, por edhe nga deputetë të mazhorancës, si Nikollë Lesi apo Spartak Ngjela. LSI-së, që protestonte në shesh, iu bashkua në një reagim publik edhe Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Kreu i socialistëve, Edi Rama, ka komunikuar në distancë me deputetët e tij teksa vijonte aktivitetin si kryebashkiak i Tiranës. Në orët e pasdites, ligjvënësit e selisë rozë janë rimbledhur, por për të diskutuar në lidhje me projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009. Edhe në këtë takim është shmangur diskutimi për çështjen e grevës dhe atë të Kodit Zgjedhor.