Lesi ngre padi: Më kërcënoi me vdekje Fatos Nano
-Zëvendësministri: Më kërcënon se loboj kundër tij si president. Por nuk dua ti përgjigjem siç bëjmë në Veri
Kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikoll Lesi, ka depozituar një padi në prokurori ndaj ish- kryetarit të PS, Fatos Nano. Siç raporton e përditshmja Panorama, padia është ngritur për shkak se Lesi pretendon se ka marrë mesazhe kërcënuese nga Fatos Nano. Lesi i ka dërguar edhe një letër Ministrit të Brendshëm, Presidentit dhe Kryeministrit, ku u shpjegon problemin. Lesi thotë se Nano është acaruar për shkak se ka marrë vesh që Lesi po lobon kundër kandidaturës së tij për president. Lesi thotë se Nano ka zero shanse që të fitojë një post të tillë. Megjithatë i shqetësuar nga kërcënimet e Nanos, Lesi i është përgjigjur ashpër Nanos.
Unë nuk dua të shkel ligjin pasi paguhem të zbatoj ligjin, dhe nuk mendoj kurrsesi ti them personit në fjalë ato që zakonisht thonë në Veri se, po cenove familjen apo tu bësh keq, siç bën mafia, atëherë ka vetëm një zgjidhje plumbin në lule të ballit në mes të Tiranës, shkruan Lesi në letrën e tij.
Unë jam njeri i ligjit dhe respektoj vetëm atë dhe Kushtetutën, ndaj merrni masat, pasi kërcënimi është konkret, me regjistrim që nuk ka Zot ta fshijë dhe po nga një person konkret që nuk është trim, por ka trima pas vetes dhe në Angli, shkruan zëvendësministri i Kulturës, Lesi, që po kryen një specializim në Britaninë e Madhe.