E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2007, ndërtuesit: Sektori në krizë

Ndërtuesit e kanë përkufizuar vitin që kaloi si tepër të vështirë pas pengesave ligjore
Shoqata ka renditur një sërë ligjesh që kanë ndikuar negativisht në klimën e biznesit
"Qeveria ka vendosur gjatë këtij viti edhe dispozitën për bërjen të detyrueshme të çmimeve të ashtuquajturit "manual ndërtimi", duke bërë një shkelje flagrante të parimit të ekonomisë së lirë të individit në shoqëri, si edhe kontrollin e fiskut mbi këto çmime të diktuara".
Lëvrimi me vonesë i fondeve publike për investime dhe bllokimi i lejeve të ndërtimit në të gjithë vendin, kanë qenë sipas ndërtuesve dhe faktorët kryesorë të krizës të sektorit më vital të ekonomisë. Rënia e shitjeve, rritja e çmimeve dhe volumi i paktë i punimeve kanë qenë simptomat e dukshme të recesionit në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2007-të
Sektori i ndërtimit po përballet me krizën më të madhe në 10 vitet e fundit. Ka qenë vetë aktivi i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë që ka analizuar vitin 2007 dhe ka dalë në konkluzion se ky ishte një vit tepër i vështirë për ndërtuesit, me pengesa të shumta ligjore dhe administrative, ku ndër më kryesoret kanë rezultuar mosdisbursimin në kohë të investimeve publike, si dhe bllokimet e KRRT-ve. Ndërtuesit bëjnë të ditur se gjithashtu gjatë vitit 2007 janë miratuar një sërë ligjesh që bien në kundërshtim të hapur me interesat e ndërtuesve dhe zhvillimit normal të biznesit, në kushtet e një ekonomie të hapur tregu. "Pasojat e këtyre masave janë ndjerë dukshëm në veprimtarinë e kompanive të ndërtimit dhe në tregun e punësimit. Shoqata në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë prezent shqetësimet e veta në të gjitha institucionet, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë diskutuar dhe janë marrë në konsideratë", ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi.
Bllokimi, në Tiranë vetëm 8 leje
Gjatë vitit 2007 janë dhënë në kryeqytet vetëm 8 leje ndërtimi nga 66 që ka qenë numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2006 dhe 149 leje që janë dhënë për ndërtim në vitin 2005. Ndërsa, për sa i përket lejeve në të gjithë vendin, gjatë vitit 2007 janë dhënë 415 leje, kur në vitin 2006 ky numër ishte
2 168 leje, kurse në vitin 2005 numri i lejeve të ndërtimit ka qenë 2 234. Rënia e numrit të lejeve të ndërtimit ka qenë me rreth 4 herë gjatë vitit 2007, nëse e krahasojmë këtë vit me dy vitet 2005 dhe 2006.
Ligjet kundër ndërtimit
Një nga ligjet më të debatueshme, që biznesi tashmë e ka çuar për shqyrtim në gjykatën kushtetuese, është ligji i gjobave. Sipas ndërtuesve, gjatë këtij viti u hartua dhe u miratua ligji i gjobave, i cili detyron parapagimin e gjobës më parë se të kesh të drejtën e ankimimit. Vendime të tjera sipas ndërtuesve, që kanë ndikuar në penalizimin e ndërtuesve, kanë qenë mosnjohja e shpenzimeve që sektori i ndërtimit kryente me biznesin e vogël, ku duhet theksuar se kjo masë u mor vetëm për këtë sektor. Njëkohësisht qeveria miratoi pagat referuese në ndërtim, duke detyruar arbitrarisht pagesën e detyrimeve fiskale, pavarësisht se ato nuk janë reale. Ministria e Financave ka vendosur gjatë këtij viti edhe dispozitën për bërjen të detyrueshme të çmimeve të ashtuquajturit "manual ndërtimi", duke bërë sipas ndërtuesve një shkelje flagrante të parimit të ekonomisë së lirë të individit në shoqëri, si edhe kontrollin e fiskut mbi këto çmime të diktuara. "Një dispozitë sa absurde, aq edhe e pazbatueshme. Ne s'kemi pasur dhe s'kemi asnjë vërejtje për manualin e çmimeve, por jo për investitorët privatë dhe firmat private. Gjatë vitit, në mënyrë të pakuptimtë u hoq e drejta e kreditimit të TVSH së karburanteve që përdoren në ndërtim",kanë bërë të ditur ndërtuesit.
Puna me tre turne
Ndërtuesit kanë deklaruar se janë dakord me kërkesën e kryeministrit Berisha për të punuar me orare të zgjatura dhe të zbatojnë afatet e punimeve. Sipas anëtarëve të Shoqatës, vetë volumi i investimeve të parashikuara për t'u realizuar gjatë vitit 2008 kërkon që nga ana e sipërmarrjes së ndërtimit të ndërmerren të gjitha masat për realizimin e projekteve. Ndërtuesit kanë mbështetur edhe ndryshimet ligjore në procedurat e licencave të biznesit për këtë sektor. "Kemi mundur të krijojmë bindjen se licencimi i firmave të ndërtimit duhet të ndryshojë. Me porosi të Ministrit PPTT u krijua një grup pune dhe propozimi ynë u analizua dhe u mbajt si bosht për hartimin e një projekt rregulloreje të re të licencimit të shoqërivetë ndërtimit, ku licencat personale individuale nuk do ekzistojnë më (vetëm për zbatimin e punëve) dhe shoqëritë do të licencohen me klasa (sipas vlerës) dhe kategori (sipas natyrës së punës). Ky proces do të ndikoje shumë në eliminimin e firmave fantazmë, atyre që blinin licencën individuale etj., dhe do të frenojë ndjeshëm abuzimin në tenderët me fonde publike",tha Aleksi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›