E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, zgjidhen me gogla tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor

Këshilli i Lartë i Drejtësisë
zgjodhi dje anëtarët e Kolegjit
Zgjedhor. Pas hedhjes
së shortit me gogla janë përcaktuar
edhe emrat e gjyqtarëve
që do të përbëjnë kolegjin që
do të merret me ankesat e zgjedhjeve.
Procedura u zhvillua në
transparencë të plotë, në prani
të katër anëtarëve të partive me
numrin më të madh të mandateve
në Kuvend dhe medias. KLD-ja
tha se janë përfshirë në short të
gjithë gjyqtarët e nivelit të dytë që
plotësojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor.
Janë tërhequr emrat me
përzgjedhje rastësore të tyre nga
vetë anëtarët e Këshillit të Lartë
të Drejtësisë, duke përjashtuar
anëtarët që përfshihen në listën
e gjyqtarëve të Apelit. Janë respektuar
vullneti i përfaqësuesve
të katër partive politike nga
pozita dhe opozita, me numrin
më të lartë të mandateve në
Kuvendin e Shqipërisë, të cilët
janë: Partia Demokratike, Partia
Republikane, Partia Socialiste
dhe Partia Socialdemokrate.
Në përfundim të procedurës së
shortit, rezultuan se emrat rastësisht
të përzgjedhur si më poshtë
janë: Dhurata Haveri, Bashkim
Dedja, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi,
Zegjine Sollaku, Stavri Kallço,
Sashenka Jonuzi dhe Meriban
Mullaj. "Në zbatim të së drejtës
së përfaqësuesve të partive politike,
pjesëmarrëse në këtë proces,
për të përjashtuar nga lista e
përzgjedhur një prej tetë emrave
të përcaktuar me short, e drejtë
kjo e cila u aplikua nëpërmjet
një procedure të fshehtë dhe
pa argumentim të shkaqeve të
përjashtimit, u evidentua vullneti
i katër subjekteve politike për
të përjashtuar pjesëmarrjen nga
Kolegji Zgjedhor të gjyqtarëve:
Bashkim Dedja, Zegjine Sollaku
dhe Stavri Kallço. Pas kësaj
procedure, KLD-ja brenda afatit
kohor të parashikuar nga Kodi
Zgjedhor, organizoi hedhjen
e dytë të shortit për tre emrat
e përjashtuar, nga ku përfundimisht
u përzgjodhën dhe
plotësojnë Kolegjin Zgjedhor
të Gjykatës së Apelit gjyqtarët:
Entela Prifti, Tom Ndreca dhe
Petraq Koço. KLD-ja tha se gjyqtarët
e mësipërm u deleguan menjëherë
në detyrë në funksionin e
posaçëm të anëtarëve të Kolegjit
Zgjedhor të Gjykatës së Apelit
Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›