Leskaj: Duka, "arkitekti" i dhunës në futboll

Kreu i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, ka qenë mjaft i ashpër me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, dhe drejtuesit e tjerë të futbollit shqiptar, duke bërë akuza konkrete, gjatë emisionit "Top Story" në televizionin "Top Channel". Në debatin e organizuar nga ky televizion, Ministri Leskaj ka rikonfirmuar edhe një herë pozicionin e tij dhe të institucionit që ai drejton, si rrjedhojë, edhe atë të qeverisë aktuale, se Federata Shqiptare e Futbollit, e dalë nga Asambleja e 27 shkurtit 2006, dhe, këtë paligjshmëri të organizmit që drejton futbollin shqiptar, ai e cilësoi si shkaktare të dhunës së këtij sezoni.
"Kam ardhur të debatoj dhe jo të akuzoj, - ka deklaruar Ministri Leskaj. - Dhuna nuk është koncept statik, por të qenit në kundërshtim me ligjin ... paligjshmëria pjell dhunën dhe dhuna që po vërejmë janë pasojë e paligjshmërisë së FSHF-së." Përsa i përket kreut të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Leskaj theksoi se "Presidenti i jashtëligjshëm i FSHF-së, është personi që është bërë simbol i mungesës së transparencës, duke krijuar një "ishull" ku shteti shqiptar, organet kompetente nuk kanë mundësi të auditojnë, të bëjnë kontrolle në këtë institucion". Madje, kreu i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk ka ngurruar ta cilësoj dhe ta quajë Dukën si "arkitektin" i kësaj dukurie dhune të shfrenuar.
"Dhuna është proces mendimi dhe veprimi, dhe dhuna në futbollin shqiptar nuk mund të ndahet nga "arkitekti" i kësaj dukurie, Armand Duka, - theksoi Leskaj. - E quaj kështu sepse, duke uzurpuar FSHF-në, ai ka shkaktuar gjendjen kur kemi arritur dhe ky "qelb" plasi më së fundi, dhe Burreli dhe Policani ishin rrjedhojë logjike e këtij procesi dhune." Ndërkohë, kreu i FSHF-së, duke u munduar ta anashkalojë thelbin e diskutimit mbi dhunën, me fraza të tilla si "Nuk i interesojnë sharjet e ministrit popullit, por a mund të gjejmë zgjidhje për të shmangur dhunën...?" apo, "A ka mundësi që MTKRS të vlerësojë me të vërtetë sportin dhe të mos e neglizhojë atë?", etj.
Këtyre pyetjeve të drejtuar nga Duka, Leskaj i është përgjigjur duke ripërsëritur atë që ai e quajti të rëndësishme për të. "Unë e dua futbollin, por ju nuk doni futbollin", - tha Leskaj, i cili vijoi të shpjegonte se futbolli në Shqipëri është në një fazë të ndërlikuar, pasi, me ligj, nuk janë ndarë ende kompetencat e pronësisë së klubeve dhe Ministria dhe shteti shqiptar po tregohet i kujdesshëm në këtë drejtim. "Qeveria nuk mund të privatizojë klubet kur 30% e atyre që i financojnë janë me precedentë penalë dhe ne nuk mund t'ia japin klubet atyre që duan që nesër ata t'i bëjmë pallate", - ka deklaruar Leskaj, duke bërë një akuzë mjaft të rëndë ndaj drejtuesve të futbollit shqiptar.
Ndërkohë që Duka ka theksuar se "unë nuk fërkoj duart kur ka dhunë dhe kur i bëhet keq njeriu dhe reagimi i MTKRS-së për ngjarjet të Burrelit lë për të dëshiruar", Ministri është përgjigjur se shteti ka reaguar, duke ngritur dhe mbledhur rregullisht Komisionin kundër Dhunës në sport, me përfaqësues nga MTKRS-ja, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), si dhe ka informuar se "janë liruar nga detyra 14 policë në Burrel dhe 5 në Polican, në bazë të bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme". Ndërsa lidhur me mungesën e Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së në këtë Komisioni, Leskaj është përgjigjur: "Sekretari i Federatës është ish-avokat i Aldo Bares dhe unë nuk e ftoj sepse FSHF është e paligjshme".