E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnerët e huaj, sa të dështuar në Shqipëri

Speciale nga Dash Frashëri dhe Franc Hoxha

Me largimin e gjermanit Ulrich Shulse nga pankina e Vllaznisë, trajneri i 14-të i huaj që ka drejtuar një ekip në Shqipëri, që kur u punësua te Lushnja, kampioni i Botës, argjentinasi Mario Kempes (1996) u largua edhe trajneri i fundit i huaj (datë 14 nëntor 2006, duhet fiksuar mirë data!) nga drejtimi i një skuadre shqiptare gjatë këtij edicioni. Disa javë më parë ishte larguar drejt atdheut të tij edhe rumuni Silviu Dumitresku që i dha Apolonisë vetëm 1 pikë në 5 ndeshje. ASNJË GJURMË Në fillim të sezonit në "poltronin" e minuar të pankinave shqiptare u mendua se do të debutonin tre trajnerë të huaj: gjermani Urlih Shulze te Vllaznia (finaliste e Kupës së Shqipërisë), rumuni Silviu Dumitresku te Apolonia ( rikthyer në Superligë) dhe maqedonasi Nikola Ilievski te kampioni i Shqipërisë, Elbasani. Por, Ilevski u largua mënjeherë pas prezantimit te Elbasani, duke nxjerë si arsye të braktisjes kontigjentin e varfër të verdhebluve. Në javën e pestë pritej që Besën e Kavajës ta drejtonte kosovari Rafet Prekazi, por edhe ai për arsye të panjohura "tradhëtoi" presidentin Bizhdili. REZISTENCË E DOBËT Gjatë Kampionatit të 67-të Kombëtar të futbollit (sezoni i kaluar) drejtimi i huaj iu besua kroatit Luka Bonacic te Dinamo, italianit Leonardo Menikini te Tirana dhe të vetmit trajner kampion të huaj në Shqipëri, malaziasit Dervish Haxhiosmanovic te Vllaznia, por që të tre nuk arritën ta përfundonin sezonin. Nëse rezistenca në qëndrim në krye të skuadrës e kroatit Bonacic ishte vetëm një ndeshje, ajo e malaziasit Haxhiomanovic 5 javë, ajo e italanit Leonardo Menikini ishte vetëm 20 javë. Këti vit javët nuk ndurshuan shumë: Dumitresku u largua pas pesë javësh (1 barazim dhe 4 humbje), ndërsa Shulse pas 11 javësh ( 3 fitore, 5 barazime, 5 humbje) TË PASUKSESHËM Shtatë klube shqiptare: Dinamo (6 herë), Vllaznia (4), Tirana (3), Partizani (2), Lushnja (2), Erzeni (2), Flamurtari (1) dhe Apolonia (1) herë, kanë patur duke filluar nga sezoni 1996-1997 trajnerë të huaj në drejtimin e tyre. Por, në Shqipëri me përjashtim të malaliziasit Dervish Haxhiosmanovic që arriti nën presidencën e të ndjerit Myftar Cela të fitonte titullin kampion në sezonin 2000-2001, dhe rumunit të Dinamos, Aurel Cikleanu në fitimin e Kupës në sezonin 2002-2003, të gjithë të tjerët kanë dështuar pothuajse të gjithë në misionin apo objektivat e para, edhe pse në Shqipëri kanë ardhur me C.V. disa faqëshe dhe me pretendime për të ndryshuar mentalitetin e futbollistëve shqiptar apo korrigjuar e përsosur modulet e gabuara të trajnerëve diletantë, sipas tyre. TË DËSHTUAR Këtë gjë e provoi i pari hungarezi "lektori i FIFA-s", Miklos Temeshavari (sezoni 2000-2001), kur i punësuar nga presidenti i atëhershëm i Tiranës, miliarderi egjiptian kërkoi disiplinë të fortë te Tirana: përfundimi i larguar pas 8 muajsh. Të njëjtin fat pësoi më pas edhe profesori boshnjak Enver Haxhiabdic (sezoni 2002-2003) që i rezistoi klaneve të bardhebluve vetëm 5 muaj. Edhe një trajner me përvojë shumë të madhe në drejtim si Aurel Cikleanu rezistoi te Dinamo vetëm 7 muaj. Një fat më të zi, e ka patur bullgari Nikolaj Arabov, që pasi erdhi në krye të Partizanit (sezoni 2000-2001) duke zëvendësuar në detyrë një emër si Neptun Bajko, por rezistenca e Arabovit pas një operacioni në zemër të kryer në Gjermani, zgjati vetëm një muaj. Arabov njihej për temperamentin e tij problematik, që solli dështimin e bullgarit edhe me ekipet e Naftëtarit dhe Flamurtarit. Kësaj liste i shtohen pa asnjë argument më shumë: italiani Menikini (Tirana), agjentinasi Paskuli (Dinamo), kroati Katalinic (Dinamo), etj. RASTI I DHIMBSHËM Qysh prej kohës së largët, kur në Shqipërinë e viteve '30, drejtoi një hungarez me emrin Samo Singer, kroati Luka Bonacic do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar si "diktatori" i rrëzuar brenda një jave, kur Dinamo barazoi me Lushnjën 2-2 në sezonin 2005-2006. Bonacic ishte përzgjedhur nga presidenti Besnik Sulaj pas eksperiencave të dështuara me argjentinasit Pedro Pablo Paskuli dhe Ramon Kabrero, më jetëshkurtëri te Dinamo me vetëm 10 ditë, por me një dy ndeshje ndërkombëtarë në Kupën Intertoto. DO VINË TË TJERË? Dështimi i trajnerëve të huaj në Shqipëri është një realitet. Është shumë e vështirë të thyesh disa tabu në futbollin shqiptar, duke përfshirë lojtarët që më shumë se të luajnë, janë organizatorë të shkëlqyer klanesh, presidentë që vuajnë për shou mediatik dhe më pas u presin biletën e kthimit, ambientin regresiv të stadiumeve tona. Por a do të sjellin presidentët të tjerë. Zor se besohet kur kemi një Vasil Bici apo Ilir Daja, një Neptun Bajko apo Alfred Ferko, një Vasil Ruci apo Agim Canaj, që të gjithë të papunë. Por ndoshta edhe po. Nga presidentët e klubeve të futbollit shqiptar mund të presësh gjithcka... TRAJNERËT E HUAJ NË SHQIPËRI 1.Mario Kempes, Argjentinë (Lushnja) 2.Miklos Temesvari, Hungari (Tirana) 3.Nikolai Arabov, Bullgari (Partizani, Flamurtari, Naftëtari) 4.Dervish Haxhiosmanovic, Mali i Zi (Vllaznia 3 herë, Erzeni) 5.Ticiano Gori, Itali (Erzeni, Partizani) 6.Enver Haxhiabdic, Bosnjë (Tirana) 7.Aurel Tikleanu, Rumani (Dinamo, Lushnja) 8.Pedro Pablo Pasculi, Argjentinë (Dinamo, 2 herë) 9.Ramon Cabrero, Argjentinë (Dinamo) 10.Luka Bonacic, Kroaci (Dinamo, 2 herë) 11.Ivan Katalinic, Kroaci (Dinamo) 12.Leonardo Menikini, Itali (Tirana) 13.Ulrih Shulse, Gjermani (Vllaznia) 14.Silviu Dumitresku (Apolonia) Gjithsej trajnerë të huaj: 14; Klube që kanë marrë të huaj: 7 (Tirana 3 herë, Partizani 2 here, Vllaznia 4 herë, Lushnja 2 here, Erzeni 2 here, Dinamo 6 herë, Apolonia 1 herë)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›