Leskaj: Komisioni i Kodit Elektoral, të votohet sot
Tiranë- Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ka reaguar dje pas mbledhjes së grupit, duke i cilësuar abuzime dhe të pavërteta deklaratat e kreut të qeverisë, Berisha.
Ajo ka theksuar se PS-ja, kohë më parë ka propozuar që të ngrihet Komision të Kodit Elektoral, për shkak se komisioni i reformës zgjedhore ka pushuar së qëni. “Me sa duket Berisha është mësuar që reformat t’ia bëjnë të tjerët, dhe nuk merr përsipër përgjegjësi, sepse në shoqëritë demokratike, përgjegjësitë për reformat i marrin maxhorancat. Githsesi, unë besoj se opozita ka qënë një hap më përpara, sepse ka bërë propozime konkrete. Ky është abuzimi i radhës”- tha ajo.
Në emër të grupit, Leskaj ka pohuar se janë dakord, që pasdite të miratohet Komisioni i Reformës Zgjedhore, që do të jetë ashtu si e ka propozuar PS-ja, një Komision i Kodit Elektoral, me përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare.
Fatmir Xhafaj do të jetë bashkëkryetar nga ana socialiste, ndërsa për sa i përket vendimmarrjes, do të jetë me votë të ponderuar.
Ajo ka foluar edhe për kërkesën e Topallit për ligjin e “spiunëve” dhe më pas edhe për ndryshimin e rregullores.
Topalli, sipas saj, nuk ka nevojë t’i dërgoj letër Bejës, sepse e ka aty dhe mund ta kishte urdhëruar si javën e kaluar, për të bërë amendime në rregullore, për të propozuar apo siç e ka futur edhe herë të tjera, qoftë edhe në kalendar në mënyrë arbitrare propozimet që ajo ka dashur.
Më tej, ajo ka sqaruar se e ka kërkuar këtë që një muaj më pare në seancën e parlamentit, ku bëhet edhe vendimmarrja, dhe jo me letra. “Nuk kam marrë përgjigje nga kryetarja. Fakti që ajo kërkon me nxitim, është si puna e rregullores, bëhet përpara dekreteve të Presidentit, për t’i treguar atij forcë, dhe e sa herë që Partia Demokratike ka probleme, hedh kësisoj kartash, për të spostuar vëmendjen”- tha ajo.
Sa i përket rregullores, ajo sipas Leskajt nuk ka motiv për t’u ndryshuar me proçedurë të përshpejtuar dhe motivi që futet në proçedurë të përshpejtuar, ka të bëjë me faktin se po vijnë dekretet, duke i treguar “dhëmbët” Presidentit.
Për këtë PS-ja ka propozuar ngritjen e një grupi pune, për shqyrtimin e të gjithë propozimeve të bëra.