Leskaj: Kuvendi shantazh ndaj Topit
Opozita e konsideron qëndrimin e djeshëm të mazhorancës, e cila hodhi poshtë dekretet e Presidentit të Republikës, si një rast alarmant për pavarësinë e Gjykatës së Lartë, si një presion direkt mbi gjyqtarët.
Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj tha se: “Situata në Gjykatën e Lartë mbetet bllokuar për shkak të këtij qëndrimi politik, i cili nuk bazohet në asnjë argument po në logjikën e shantazhit ndaj Presidentit “
“Mbetet e qartë që kemi një presion ndaj presidentit, kemi një presion ndaj gjyqsorit duke vënë në pikpyetje pavarësinë e institucioneve”.
“Qendrimi ynë është i qartë: Partitë nuk mund t'i imponojnë Presidentit të Republikës, emrat e gjykatësve të cilët Kushtetuta i jep të drejtën atij që t'i dekretojë” – vazhdoi Leskaj. “Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në një proces të tillë, që mendojmë se duhet të fillojë sa më shpejt për të mos lejuar degradimin e kësaj krize në një kolaps me pasoja të paparashikueshme” – përfundoi Leskaj.