Blerja e pajisjeve, financimi për individët
Jemi mësuar që këtë lloj kredie mund ta përfitojnë vetëm bizneset, e kategorive të ndryshme. Por financimi për blerjen e pajisjeve nuk është i pamundur për individët. Konkurrenca në rritje nga ana e institucioneve financiare ka bërë që kjo lloj kredi të shtohet në listën e produkteve që individët mund të përfitojnë me anë të procedurave të shpejta. Kjo kredi sipas specialistëve të bankave përshtatet më shumë me profilin e individëve që ushtrojnë profesione të pavarura, siç janë juristët, noterët, kontabilistët, inxhinierët, etj. Me anë të financimit të bankave kjo kredi mund të krijojë mundësi për realizimin e një karrierë të suksesshme. Kredia ofrohet nga ana e bankave në vlera limit që shkojnë në rreth 40 mijë euro, ose ekuivalenti i tyre në dollarë dhe lekë. Afatet Kjo kredi klasifikohet nga ana e bankave në ato financime që janë afatmesme për sa i përket shlyerjes. Zakonisht bankat financojnë blerjen e pajisjeve për zyra, me një afat maturimi që shkon nga tre deri në pesë vjet. Edhe garancia financiare për marrjen e kësaj kredi vendoset mbi pajisjet të cilat blihen me këtë kredi nga ana e klientëve. Mbi këto pajisje zakonisht aplikohet edhe kontrata juridike e pengut, që zbatohet në rast të moskthimit të kredisë. Interesat Kredia për pajisje të tregtueshme jepet nga bankat e nivelit të dytë me interesa që për lekun vërtetën në intervalin 11%-13%. Një pjesë e bankave të nivelit të dytë negociojnë edhe për afatin kohor të pagimit të kësteve brenda intervalit limit të shlyerjes së kësaj kredie. Marrja e kredisë në monedhën evropiane mbetet edhe për këtë kredi një alternativë më e mirë pasi interesat janë më të ulëta se ato në lekë. Por kjo alternativë mbetet me një risk të lartë për shkak të kursit të këmbimit. Interesat për monedhën evropiane dhe për dollarin janë vendime që nuk mbeten në dot të bankave të nivelit të dytë, por të vendimeve të marra nga Rezerva Federale dhe Banka Qendrore Europiane. Specialistët e financave bëjnë të ditur se për shkak të thellimit të deficitit tregtar me hapa galopantë, një zhvlerësim i lekut mund të jetë një fenomen i pritshëm në vijim. Kjo do të thoshte një shtrenjtim për të gjithë ata që kanë një kredi në valutë dhe të ardhurat në lekë.