Leskaj: Ligji për dosjet kërkon ekspertizën e ndërkombëtarëve
Partia Socialiste kërkon ekspertizë ndërkombëtare për projektligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë” ose siç njihet ndryshe projektligji për hapjen e dosjeve të bashkëpuntorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në një kohë kur ky projektligj është përcaktuar që të miratohet në seancë plenare në datën 9 tetor, selia zorë ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e saj se një draft i tillë duhet të hartohet mbi bazën e rrezolutës së Këshillit të Europës për denimin e krimeve të komunizmit. Nisur pikërisht nga kjo domosdoshmëri kryetarja e grupit parlamentar soicialist, Valentina Leskaj, ka deklaruar nga Elbasani ku ka marrë pjesë në një aktivitet partiak me gratë dhe të rinjtë socialistë të këtij qyteti, se përpara se projektligji të paraqitet për diskutim dhe miratim në Kuvend duhet të kalojë më parë në gjykimin e organizmave nderkombëtarë që asistojnë vendin tonë në rrugën e forcimit të demokracisë, siç është OSBE dhe ODIHR. “Ky është një ligj që duhet konsultuaredhe me OSBE-ODIR apo çdo organizim tjetër. Shqipëria ka bërë dy herë ligjin për hapjen e dosjeve dhe këtë herë është e treta, pra synimi ynë është të bëjmë një ligj të qëndrueshëm”, - tha Leskaj. Ndërkohë duke iu referuar draftit që PD ka paraqitur në Kuvend numri një i deputetëve socialistë e ka vlerësuar atë si në kundërshtim me frymën kushtetuese. “Ne jemi për hapjen e dosjeve, por jemi edhe për një qëndrim i cili vë në qëndër rezolutat e Këshillit të Europës. Të gjithë e pranojmë që Këshilli i Europës është garantues i të drejtave të njeriut. Pra ne kërkojmë që ligji për dosjet të konsiderojë rezolutën e Këshillit të Europës e cila e përmend edhe Shqipërinë në mënyrë specifike, kushtetutën e vendit dhe rregulloren e parlamentit. Jemi për një ligj i cili vë në themel rezolutën e Këshillit të Europës, Kushtetutën e vendit dhe natyrisht rregulloren e parlamentit. Ndërsa ajo çfarë trumbeton Partia Demokratike nuk është hapje dosjesh, por një ligj lustrimi i cili cenon kushtetutën. PD i mbajti për dy vjet në sirtar projektet dhe e solli me nxitim për ta bërë në minutën e fundit”, - tha më tej ajo. Leskaj është ndalur edhe tek vendimi më i fundit i Komisionit të Reformës Zgjedhore për të sanksionuar në Kod detyrimin që partitë politike të përfshijnë në listat e kandidatëve për deputet 30 për qind kandidate femra, duke theksuar se ky është një hap i duhur në drejtim të zbatimit të të drejtave të grave për t’u përfshirë në jetën politike.