E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja finale për Universitetin e Tiranës

Janë dorëzuar rreth 1200 kërkesa për vazhdimin e studimeve të larta në kryeqytet. Si do të përzgjidhen fituesit gjatë fazës së tretë të regjistrimit dhe dokumentacioni që duhet dorëzuar

TIRANË - Universiteti i Tiranës jep një tjetër shans për kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta pranë fakulteteve të tij. Vendet vakante që u ofruan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kandidatët që nuk arritën të fitonin dot një vend në universitet gjatë dy fazave të para, janë parë si një rast i mirë nga rreth 1200 kandidatë që kanë plotësuar formularin A3. Një pjesë e këtyre të fundit do të kenë një tjetër mundësi për të vazhduar shkollën e lartë, falë 4 mijë vendeve vakante nëpër të gjithë universitetet e vendit. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të mesatares së arritur gjatë shkollës së mesme, si dhe pikavarazhit që kanë arritur të marrin gjatë provimeve me zgjedhje. Sipas specialistit të Drejtorisë Arsimore në Tiranë, Muharrem Mesi, “1 mijë e 200 formularët e aplikuar do të dorëzohen sot pranë Agjencisë Kombëtare të Pranimeve, e cila do të bëjë përcaktimin e fituesve deri në datën 5 nëntor”. Kjo agjenci do të bëjë shpalljen e rezultateve të fituesve, duke u bazuar mbi disa kritere. Shpallja e fituesve do të bëhet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, provimeve të Maturës Shtetërore, disa programeve studimi, rezultateve të konkursit, si dhe vullnetit të kandidatëve i shprehur përmes preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A3. Pas përpunimit të rezultateve që do të bëhet në bazë të këtyre kritereve nga APRIAL, në datën 6 nëntor, Ministria e Arsimit do të dorëzojë listat e kandidatëve fitues pranë universiteteve përkatës. Duke filluar nga data 7 deri 15 nëntor, kandidatët fitues do të bëjnë regjistrimet e tyre pranë sekretarive të fakulteteve ku kanë fituar, ku do të dorëzojnë edhe dokumentacionin përkatës. Kandidatët fitues do të evidentohen gjithashtu edhe në lista të veçanta nga sekretaritë e fakulteteve, të cilat do të verifikohen nga MASH-i. Kandidatët që do të fitojnë statusin e studentit pas përpunimit të rezultateve nga APRIAL, duhet të dorëzojnë pranë sekretarive të fakulteteve këto dokumente: dëftesë pjekurie, certifikatë lindjeje me fotografi, dy fotografi dhe mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1 mijë e 500 lekësh. Në formularin A3, aplikimi i të cilit nisi pesë ditë më parë në Drejtorinë Arsimore në Tiranë, përfshiheshin pothuajse të gjitha degët universitare. Kjo, për arsye se edhe në ato fakultete ku kuotat ishin plotësuar, janë shtuar nga pesë ose dhjetë kuota. Gjithashtu, ka pasur edhe degë të reja, të cilat janë hapur së fundmi nga qeveria.  

 Shpallja e fituesve do të bëhet sipas:

1-         Pikëve të grumbulluara në bazë të shkollës së mesme

2-         Provimeve të Maturës Shtetërore

3-         Disa programeve të studimit

4-         Rezultateve të konkursit

5-         Vullnetit të kandidatëve i shprehur përmes preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A3

  Dokumentacioni që duhet dorëzuar

1-         Dëftesë pjekurie

2-         Certifikatë lindjeje me fotografi

3-         Dy fotografi

4-         Mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›