E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Berisha po saboton shpërndarjen e kartave të identitetit, zgjedhjet të rrezikuara

Opozita kërkon që letërnjoftimet të shpërndahen vetëm nga një qendër aplikimi
Për të zgjidhur ngërçin e shpërndarjes së letërnjoftimeve, Partia Socialiste i ka propozuar kryeministrit Sali Berisha parimin One Stop Shop ose e thënë ndryshe Të gjithë shërbimin në një sportel. Këtë deklaratë e ka bërë Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj. Sipas propozimit të bërë nga opozita, votuesi duhet të shkojë drejtpërdrejt te stacioni i aplikimit pa qenë i detyruar të shkojë te zyra e bashkisë, komunës, e pensioneve apo te posta e kryeministrit. Ai duhet të vetëdeklarojë në një dokument standard të nënshkruar prej tij për statusin përkatës të përqasur me listat zyrtare. Ndërkohë që, dokumenti i vetëdeklarimit mbahet nga firma konçesionare dhe i paraqitet shtetit për efekt të detyrimit financiar. Gjithashtu sipas parimit One Stop Shop, organet shtetërore realizojnë në vijimësi procesin e shlyerjes së detyrimit nga shtetasit që kanë përfituar këtë shërbim kundrejt tarifës përkatëse. Duke u bazuar në këtë vendim, Xhafaj tha se mundësohet eliminimi tërësisht i taksës së votës, burokracia e tepërt, mundësit për aplikim selektiv, çdo lloj mundësie për manipulim si dhe fitohet koha e humbur në kushtet kur jemi në afatet minimale kohore. Partia Socialiste konsideron se në rast të mosmarrjes së masave të menjëhershme dhe radikale për të ndryshuar qëndrim në pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimi elektronik, atëherë, politikisht, ligjërisht, moralisht dhe praktikisht, procesi mund të konsiderohet i dështuar. Dhe bashkë me të, edhe detyrimi solemn për të garantuar zgjedhje sipas standardeve evropiane për qytetarët shqiptarë, deklaroi Xhafaj. Sipas tij, duke qenë se jemi në momentin e fundit të afatit kohor që do ta çojë procesin në pikën e moskthimit, taksa e votës është duke u shndërruar kështu, në taksë për demokracinë dhe të nesërmen e saj. Në emër të PS, Xhafaj denoncoi fuqimisht qeverinë shqiptare dhe në veçanti kryeministrin e saj, si iniciues dhe organizatorë të qëllimshëm të këtij procesi të çorganizuar. Ndërkohë shprehet Xhafaj se, kryeministri gjen kohë të mburret me vendimet e tij për abuzimet në mënyrë kolegjiale nuk gjen dot kurajon dhe përgjegjësinë institucionale të miratojë një vendim kolegjial për të drejtën e votës së shqiptarëve. Sipas tij, masat gjysmake dhe qesharake që ka marrë deri në këto momente qeveria dëshmojnë sa paaftësinë e saj për zgjidhjen e problemit, po aq dhe tentativën e saj të paprerë për ta drejtuar procesin në qorrsokak dhe bashkë me të, orientimin për të futur gjithë vendin në një spirale të papranueshme dhe të paparashikueshme krize politike, e cila do t´i shtohej si një barrë jashtëzakonisht e rëndë krizës ekonomike ku tashmë kemi hyrë. Duke iu referuar vendimit të fundit të qeverisë Xhafaj u shpreh se pavarësisht brohorive shtetërore e partiake, megjithëqë ka kaluar një javë nga firmosja, ende nuk ka nisur të zbatohet dhe nuk ju është shpërndarë njësive vendore nën justifikimin absurd se mungon udhëzimi i ministrisë së financave dhe kjo sepse ministri na qenka te muri i madh kinez, atje ku është duke u kënduar versioni i ri i këngës së vjetër Dy luanë ka sot bota, një Azia e një Evropa. Gjithashtu sipas tij, duke i shtuar kaosit të krijuar, edhe vështirësitë reale të procesit në terren, faktin që ende procesi i aplikimit nuk ka filluar në jo pak, por në 111 komuna të vendit, atëherë mund të kemi të qartë që nuk bëhet më fjalë vetëm për paaftësi të qeverisë, por për një atentat të paramenduar të saj ndaj themelit të shoqërisë demokratike e shtetit ligjor, zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndaj të nesërmes së vendit. Partia Socialiste është e vendosur maksimalisht në përpjekjen e saj për të garantuar votën e lirë. E ka bërë atë që në nisje të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe do të vazhdojë ta bëjë deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij ngërçi kanceroz që po sulmon sistemin në pikën e tij më delikate, deklaroi me bindje Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›