E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në Maqedoni, mbeten të plagosur 9 shqiptarë

Dy grupe rivalësh shqiptarë u përplasën me njëri-tjetrin

Nëntë persona janë plagosur si pasojë e një përleshje të armatosur në Maqedoni. Ngjarja ndodhi në fshatin Radushë të Shkupit, ku dy grupe rivalësh shqiptarë u përplasën me njëri tjetrin duke shkaktuar të plagosur. Mes të plagosurve ishte edhe Besfort Haliti 25 vjeç, djali i deputetit të partisë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Rafiz Haliti. Pas incidentit të plagosurit u dërguan në spital, 4 prej tyre vazhdojnë të marrin ndihmën mjekësore, kurse 5 të tjerët në gjendje më të lehtë kanë dalë prej andej. Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni vërtetoi incidentin dhe bëri të ditur se të plagosurit janë banorë të të njëjtit fshat, Radushës. Gjuajtja me armë zjarri është shkaktuar nga personat me iniciale R.S, S.S, M.S, E.S dhe V.S të gjithë nga Radusha. Ata kanë gjuajtur me pushkë gjuetie, me revole dhe pushkë automatike. Sipas MPB-së, sulmuesit e lartpërmendur kanë qenë në dy makina dhe në një moment kanë filluar të sulmojnë Besfort Halitin, i cili së bashku me të tjerët ka qenë para një lokali në këtë fshat, pronësi e M.S.
Si pasojë e këtij sulmi ka mbetur i plagosur rëndë djali i deputetit dhe bashkë me të, të plagosur mbetën edhe R.A.(52), Z,T.(46), H.M.(47), M.P. (53), J.P. ( 44), B.F. (36) dhe XH.S. të gjithë banorë të fshatit Radushë. Në këtë shkëmbim zjarri ka mbetur i plagosur edhe personi me inicialet S.S. i cili ka qenë pjesë e grupit që sulmoi. Pas incidentit kanë qenë ta pakta informacionet lidhur me ngjarjen dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë hollësi për shkaqet dhe arsyet që çuan në përplasjen me armë mes shqiptarëve që për pak u kushtoi dhe jetën. Burime jozyrtare kanë pohuar se përleshjet ndodhën mes grupeve të partive shqiptare BDI dhe PDSH, por burime policore nuk e kanë konfirmuar këtë lajm duke u shprehur se ata janë thjesht banorë të një fshati të cilët nuk rezultojnë të jenë mbështetës të asnjë partie politike. Në vendin e ngjarjes është bërë ekspertiza e duhur në praninë e gjykatësit, hetuesit dhe prokurorit publik, ndërsa vazhdojnë masat për gjetjen e agresorëve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

Mitrovicë, shqiptarë dhe serbë përleshen me gurë

Banorë shqiptarë dhe serbë janë konfrontuar gjatë ditë së djeshme në fshatin Suhadoll të Mitrovicës. Konflikti që përfundoi në gjuajtje gurësh kundër njëri-tjetrit, nisi pasi një grup serbësh qëlloi disa punëtorë shqiptarë që po kryenin punimet e hapjes së kanaleve të ujësjellësit. Incidentin e përleshjes me gurë në mes të serbëve dhe shqiptarëve e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të policisë në Mitrovicë. Serbë të fshatit Suhadoll të Epërm kanë penguar punimet në hapjen e kanalit të ujësjellësit për fshatrat Gushafc, Vinarc dhe Vinarcë i Epërm të banuara me shqiptarë. Sipas serbëve, punimet mund të vazhdojnë vetëm kur kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, të ulet dhe bisedojë për këtë problem me kryetarin e Komunës Serbe të Mitrovicës të dalë nga zgjedhjet serbe. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka theksuar se incidenti në Suhadoll ka filluar pak pas orës 10. Sipas tij, serbët e revoltuar kanë filluar të gjuajnë me gurë punëtorët si dhe shqiptarët që po ndihmonin. Pas kësaj, edhe shqiptarët janë kundërpërgjigjur me gurë. Si pasojë e gjuajtjeve, disa banorë shqiptarë të Suhodollit kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore në Mitrovicë.

Qeveria e Kosovës zgjati mandatin e kryetarëve të komunave serbe

Pas tentimeve të dështuara të ish shefit të UNMIK-ut Joakim Ryker, Qeveria e Kosovës arriti të zgjasë mandatin e përfaqësuesve të emëruar të komunave serbe. Ky vendim megjithatë nuk është marrë parasysh nga autoritetet serbe të dala nga zgjedhjet e 11 majit të cilat u zhvilluan edhe në Kosovë.
Presidenti Fatmir Sejdiu ka pohuar se vazhdimi i mandatit është bërë në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë. Ai pranoi se institucionet janë duke hasur në vështirësi të zgjerimit të shtrirjes së autoritetit të tyre, për shkak të pengesave që vijnë nga Beogradi. Qeveria ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe të Kosovës, në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe Shtërpcë. Pavarësisht vendimit të autoriteteve kosovare, përfaqësuesit serbë, të cilëve Qeveria e Kosovës ua ka zgjatur mandatin në funksionet e kryetarëve të komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë thënë se nuk do ta respektojnë këtë vendim, njoftuan mediat serbe.

Policia e Kosovës merr kompetencat e UNMIK-ut

Shërbimi Policor i Kosovës ka marrë të gjitha kompetencat nga policia e UNMIK-ut, e cila e ka udhëhequr këtë sektor të sigurisë që nga viti 1999. Përfaqësues të policisë së UNMIK-ut i dorëzuan drejtuesve të lartë të policisë së Kosovës certifikatën e kalimit të plotë të kompetencave në policinë e Kosovës. Krerët e policisë së Kosovës janë shprehur se tashmë të gjitha të drejtat për zbatimin e ligjit për sigurinë në vend, do t’i kenë vetëm pjesëtarët e saj, nën monitorimin e EULEX-it. Misioni EULEX do të ketë më shumë përgjegjësi në sektorin kundër krimit të organizuar. Ministri i brendshëm, Zenun Pajaziti, shprehu mirënjohjen ndaj UNMIK-ut për ndihmën që i ka dhënë Kosovës gjatë tetë viteve të shkuara. Ai u shpreh se policia e Kosovës ka arritur një shkallë pjekurie ndonëse, policia do të jetë nën vëzhgimin e strukturave ndërkombëtare që janë të nevojshme jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin, në luftën kundër krimit. Kushtetuta parashikon që Policia e Republikës së Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e saj. Procesi i kalimit të kompetencave nga policia e UNMIK-ut në policinë e Kosovës ka filluar që në vitin 2003. Ky proces përfundoi pak ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi në Samitin e Kroacisë 2008

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të homologu kroat, Ivo Sanader, mori pjesë në Samitin e Kroacisë 2008, që po zhvillohet në qytetin historik të Dubrovnikut, më 4-5 korrik.
Në samit marrin pjesë kryeministrat e rajonit të Europës Juglindore si dhe ministra të Jashtëm dhe zyrtarë të lartë nga Europa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tema e samitit është integrimi i Europës Juglindore në strukturat euroatlantike, siguria, zhvillimi dhe prosperiteti. Nga zyra e kryeministrit Thaçi është bërë e ditur se ai do të flasë për sfidat e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe pritet të takohet me zyrtarë të lartë të vendeve të rajonit, që marrin pjesë në këtë samit. Disa takime dypalëshe do të zhvillohen me homologët nga rajoni dhe më gjerë.

Serbi, PD-PSS nënshkruan marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re
Koalicioni i formuar nga Partia Socialiste e Serbisë dhe Partia Demokratike nënshkroi dje marrëveshjen e koalicionit, në të cilën u përcaktuan parimet e bashkëpunimit dhe qëllimet e qeverisë së ardhshme të Serbisë, tha lideri i SPS-së, Ivica Daciç pas nënshkrimit. Ai tha se deklarata lidhur me pajtimin politik mes DS-së dhe partisë SPS të ish-presidentit serb dhe jugosllav, Sllobodan Millosheviç do të nënshkruhet pas krijimit të qeverisë së re javën e ardhshme. Në koalicionin e formuar rreth PSS-së marrin pjesë gjithashtu Partia e Pensionistëve të Bashkuar të Serbisë (PUBS) dhe partia Serbia Unike. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë “Për një Serbi Europiane”, Nada Kolunxhija tha se ajo priste që seanca parlamentare për zgjedhjen e qeverisë të re serbe të planifikohej për të hënën.

Mediat maqedonase: “BDI-ja dhe PDSH-ja, pjesë e qeverisë së re”

Në kabinetin e ardhshëm qeveritar, sipas të gjitha mundësive do të marrin pjesë të dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni. Kështu kanë bërë të ditur burime partiake për gazetën maqedonase “Utrinski Vesnik”. Sipas të njëjtave burime PDSH-ja dhe BDI-ja do të jenë pjesë e koalicionit qeveritar edhe pse të dy liderët e partive shqiptare, Ahmeti dhe Thaçi e kanë mohuar një gjë të tillë. “Në mungesë të detajeve zyrtare nga takimet e mandatarit Gruevski me Thaçin dhe Ahmetin, të cilat po zhvillohen larg syve të opinionit, me siguri, vërtetohet se PDSH dhe BDI do të jenë pjesë e qeverisë dhe do të menaxhojnë pesë ministri”, shkruan gazeta. Kjo do të vendoset në raundin e ardhshëm dhe të fundit mes kryeministrit Gruevski dhe dy liderëve të partive shqiptare.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›