E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon zhvillimin festivali i Jazz-it në Tiranë

TIR JAZZ FEST, muzikë elitare për metropolin shqiptar

Vazhdon zhvillimin e tij duke gjallëruar e duke i dhënë frymë jetës artistike e kulturore të metropolit shqiptar në këto ditë të nxehta të sezonit veror, TIR JAZZ FEST, që është Festivali Ndërkombëtar i Jazz-it të Tiranës, drejtuar nga muzikanti i njohur Fatos Qerimaj, me president nderi legjendën gjermane të muzikës Jazz, Hans – Joachim Rodelius dhe mbështetjen e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango. Një eveniment ky i cili ka nisur më datën 3 korrik dhe do të mbyllet më 9 korrik 2006. Në të marrin pjesë instrumentistë të njohur me famë botërore. Festivali organizohet për të katërtin vit radhazi në vendin tonë në bashkëpunim me televizionin Vizion Plus. Drejtori Fatos Qerimaj, thotë për gazetën “Albania” se “Publiku i Tiranës e përzgjedh këtë festival që ka muzikë elitare, pasi ne e kemi krijuar publikun tonë”. E në të vërtetë, pjesëmarrja në netët e para të TIR JAZZ FEST ka qenë vërtet e admirueshme.
Veçantia e këtij festivali, sipas drejtuesit artistik Qerimaj konsiston në faktin se tashmë, ai ka një profil të konsoliduar.
“Të gjitha grupet që vijnë në festival janë grupe, të cilat i janë përshtatur një ideje dhe projekti të tyre. Ata përbëjnë kombësi të ndryshme që ndërsjellin kultura, tradita, shkolla e sentimente të ndryshme”.

Intervistë/ Flet para koncertit në Durrës violinisti i njohur Tedi Papavrami
“Ju rrëfej jetën time mes Parisit dhe Tiranës”
Në moshën 4-vjeçare, Tedi Papavrami nis të studiojë për violinë nën kujdesin e të atit, Robertit, nje mesues i njohur që pati ndikim të madh në zhvillimin e mëvonshëm artistik të të birit. Kur Tedi ishte 8 vjeç performon për herë të parë në publik me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe vetëm një vit më vonë, ai do të japë koncertin e tij të parë për violinë me pjesë nga Paganini. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron bursë studimi në Francë. Pierre Amoyal ishte mësuesi i tij në konservatorin e Parisit Fitues ne Konkursin Rodolfo Lipitzer ne Itali ne 1985, nje vit me pas me vendim unanim fiton çimin e parë në Konservatorin e Parisit dhe në 1987-n, ai merr licensen e Konservatorit të Lausannes. Më pas, ushtron i vetëm kërkimin muzikor, i udhëhequr nga Zino Francescatti e Viktoria Mullove, përpara se të fitonte çmimin “George Enescu” nga SACEM në vitin 1992, ndërkohë që më 1993-shin, ai fiton çmimin e parë në Konkursin e Sarasate në Pamplona, ashtu sikurse edhe çmimin special të publikut. Që atëeherë Tedi Papavrami ka performuar në Europë, në Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, etj., me orkestra të njohura të tilla si Orkestra Simfonike Gjermane Bayerische Rundfunk, Orkestra e Bolonjës, Orkestra e Parisit, Orkestra Simfonike e Radios Kombëtare Polake, Orkestra Filarmonike e Radios së Francës, Orkestra Filarmonike e Monte Karlos etj., ashtu sikurse edhe në festivale prestigjoze. Gjithashtu, pjese e axhendes se tij të pasur ka qenë Japonia, ku prezantohet me pjesen 24 Kapricot nga Paganini (Papavrami është ndër të paktët violinistë qe luan këtë pjesë për violinë solo koncert) si dhe Amerika e Jugut. Si një artist virtuoz, Tedi Papavrami ka performuar rregullisht edhe në muzikën e dhomës. Disa prej partnerëve të tij të preferuar kanë qenë Philippe Bianconi, Huseyin Sermet, Paul Meyer, Raphael Oleg, Gary Hoffman, Gerard Caussé, Isabelle Faust, etj. Tedi Papavrami ka lënë gjurmët e tij edhe në kinematografi, kur ftohet për herë të parë të interpretojë në filmin “Les Liaisons Dangereuses (part of Danceny), përkrah Catherine Deneuve, Rupert Everett, Nastassja Kinsky and Danielle Darrieux, në një rol të dyfishtë si aktor dhe si violinist. Performancat e tij më të fundit janë vlerësuar maksimalisht si nga publiku, ashtu edhe nga kritika. Interes të jashtëzakonshëm Tedi ka shfaqur edhe në botën e letërsisë, ku në vitin 2000, paralelisht me aktivitetin e tij si muzikant do të njihet si përkthyes zyrtar i Ismail Kadaresë në botimet e shtëpisë botuese “Fayard”. Një ditë para performancës së violinistit Papavrami në Amfiteatrin e Durrësit, Vizion Plus, që ka dhe të drejtën ekskluzive të regjistrimit të aktivitetit ka zhvilluar një intervistë me të.
Sa herë që keni ardhur në Shqipëri e keni pasur një arsye. Këtë herë vini për të dhënë një koncert në Amfiteatrin e Durrësit, një vend të cilin nuk e kishit provuar më parë.
Eshtë e vërtetë. Kam vetëm kujtimet e fëmijërisë kur e kam vizituar për herë të fundit, gjë e largët.

Nëse mund të zbuloni diçka nga ky koncert. Bashkë me ju është edhe një pianiste. Çfarë do të kemi dhe si do të vijë ajo te publiku?
Shoqëruesja është një pianiste e re që kam zbuluar pak kohë më parë. Sapo ka përfunduar Konservatorin e Gjenevës. E dëgjova në një koncert, më pëlqeu dhe përderisa edhe vetë banoja në Gjenevë dhe meqë mu dha edhe rasti, mendova të punonim bashkë në këtë projekt. Eshtë një pianiste shumë interesante, që ka një personalitet të vetin, edhe pse është shumë e re. Kemi punuar të dy në perspektivën e këtij koncerti.

Çfarë do të përmbajë koncerti?
Do të ketë një Sonatë të Bethoven, shumë të njohur për artdashësit shqiptar, e quajtur Sonata e Krojdzerit, që është sonata e 9-të. Pjesa e dytë do të përmbajë Poemën e Shusonit, gjithashtu, një pjesë shumë e njohur e repertorit të violinës. Do të jetë Sonata e Ravelit, mbase jo shumë e njohur për publikun shqiptar, Ciganja e Ravelit, etj. Me pak fjalë, do të ketë një program tradicional të recitalit për violinë dhe piano.

Kohët e fundit ju kemi parë shpesh në Shqipëri. Ka ndonjë arsye, ndërkohë që më parë një gjë e tillë nuk vihej re te ju?
Kësaj radhe është iniciativa e Agron Gjikondit, distributor i markës Raimond Ueill, për të cilën jam ambassador në Shqipëri, ndërsa herët e tjera ka qenë iniciativa e Ilda Mares, e cila më ftoi në Gjirokastër për Festivalin e Argjirosë dhe më pas hodhi idenë e një koncerti në Tiranë me orkestër. Gjithmonë kam qenë gati të vij të luaj në konditat normale, sigurisht që më pëlqen të luaj në Shqipëri, për më tepër edhe për të ushtruar zanatin tim siç bëj gjithandej.

Një pyetje klishe por që nuk i shpëtojmë dot. A keni ndonjë libër nëpër duar këto kohë?
Kam një libër të Ismail Kadaresë. Madje edhe gjatë udhëtimit isha duke u marrë me të, por preferoj që titullin të mos e them për momentin. Nuk e di nëse Ismaili do të pajtohet me të, apo do ta ndryshojë.

Përsa i takon kinemasë, a vazhdoni të punoni si aktor, apo jeni tërhequr?
Jo, unë as e kërkoj e as heq dorë. Varet nga ofertat. Deri tani nuk kam pasur ndonjë ofertë. Për momentin, po pres gjithmonë të dalë filmi që u xhirua në Shqipëri, me skenar të Ylljet Aliçkës dhe regji të Artan Minarollit.

Pas Tiranës, cili do të jetë destinacioni i radhës
Do të jem në një koncert në jugperëndim të Francës, për të vazhduar me të tjera koncerte, po në Francë. Më pas, mendoj për pak pushim, për tu përgatitur për shtatorin, që parashikohet gjithashtu, si një muaj tepër i ngarkuar.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›