BE embargo vajit nga Ukraina
Bashkimi Europian pas shumë analizash të vajit të importuar ka vendosur sot të bëjë embargo importit nga Ukraina.
Zyra e Bashkimit Europian për Sigurinë Ushqimore ka thënë para dy javës se vaji i kontaminuar mbart një normë shumë të ulët toksiciteti dhe nuk përmban rrezik për shëndetin, megjithatë nga deklaratat e sotme mësojmë se ajo ka vendosur embargo për importet nga Ukraina.
Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të vajit të parafinuar të lulediellit në Europë. Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u importuan 6.2 milionë euro vaj i parafinuar nga ky vend.
Pesë vende europiane kanë hapur dy javë më parë gjuetinë për të identifikuar dhe bllokuar rreth 40 mijë tonë vaj me origjinë nga Ukraina, që konsiderohet se përmban një nivel të lartë të vajit lubrifikant. Deri më 1 maj, shumica dërrmuese e këtij vaji është tërhequr nga tregu, ndërsa një zbulim i fundit në Greqi, risolli në vëmendjen e medias problemin.
Ukraina ka ndërprerë eksportet e vajit të lulediellit, pak para zbulimit të nivelit të mbetjeve minerare të larta. “Masat që ne po ndërmarrim janë parandaluese”, vijoi deklarata e djeshme e agjencisë. Dyshohet se kontaminimi i një sasie vaji nga Ukraina ka qenë aksidental.
Në Greqi, kompanitë që kanë dy markat kryesore të vajit të lulediellit, “Elais” dhe “Minerva”, tërhoqën produktet e tyre nga supermarketet, me qëllim verifikimin e plotë për të garantuar siguri, njoftoi agjencia e lajmeve “21food.com”. Në Greqi janë bllokuar deri tani 1200 tonë vaj, ndërsa janë në proces bllokimi edhe 835 tonë të tjera, sipas një njoftimi të agjencisë greke të Sigurisë Ushqimore. Në të gjitha rastet, rreziku për shëndetin është minimal.
Media dhe popullata janë shumë të ndjeshme ndaj lajmeve të kësaj natyre. Në vitet ’80, një sasi vaji që përmbante anilinë, një ekstrakt i nxjerrë nga qymyri, u akuzua si shkaktar për vdekjen e qindra njerëzve.
Korçë, kontrolle për vaj të intoksikuar
Policia e Korçës mori para një jave listën e firmave që kanë importuar vaj ushqimor nga pika doganore e Kapshticës, në përpjekje për të verifikuar nëse në Shqipëri ka hyrë apo jo vaj i kontaminuar me lubrifikant dhe për ta identifikuar atë.
Policia nuk bëri të ditur emrat e kompanive importuese, por deklaroi se firma “Dessina Ballkan”, nuk është e vetmja që ka importuar vaj nga kompania greke “Manos S.A.”. Burime konfidenciale bëjnë të ditur gjithashtu se deri më sot në Shqipëri nuk rezulton të jetë importuar vaj i papërpunuar dhe se sasia e bllokuar në Greqi, janë vaj i parafinuar. Media greke ka bërë të ditur se janë dy ngarkesa të dyshimta që janë nisur për në Shqipëri, përkatësisht në datat 27 prill dhe 2 maj të këtij viti.
Burime nga Drejtoria e Policisë në Korçë bëjnë të ditur për gazetën se specialistë të kësaj drejtorie kanë verifikuar në doganën e Kapshticës të gjithë dokumentacionin që lidhet me importin e vajit dhe të ngarkesave që kanë ardhur nga shteti grek, me destinacion tregun vendas.
Tonelata me vaj luledielli dhe ngarkesa të firmave të ndryshme mësohet se kanë hyrë në mënyrë të vazhdueshme në vendin tonë, madje edhe nga firma greke “Manos S.A.”. Kjo e fundit, sipas burimeve policore ka sjellë nëpërmjet firmave shqiptare sasi të shumta vaji luledielli, ndërkohë që dy ngarkesat e fundit të kësaj firme mbajnë datën, njëra në 27 prill 2008 dhe tjetra 2 maj 2008. Përsa i përket ngarkesave të lartpërmendura, ato kanë hyrë transit, nëpërmjet doganës së Kapshticës, për t’u zhdoganuar në doganën e Tiranës. Sasia në fjalë ka qenë rreth 50 tonë.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur gjithashtu se vaji grek i firmës “Manos S.A.”, i bllokuar pas skandalit në shtetin fqinj, është vaj i papërpunuar. Në vendin tonë, sipas policisë së Korçës ka hyrë vetëm vaj i përpunuar në rafineri, ndërkohë që, sipas të dhënave nga burime konfidenciale, mësohet se policia ka marrë edhe listën e firmave që kanë kryer importin e vajit nga kjo pikë doganore për të verifikuar më tej, llojin dhe cilësinë e vajit që është shpërndarë në tregun vendas. Edhe pse janë disa firma vendase që kanë marrë vaj nga firma greke, policia nuk i ka deklaruar emrat e tyre, por konfirmon se janë disa të tilla me shtrirje në rang kombëtar dhe se firma nga Korça “Dessina Ballkan” nuk është kontraktorja e vetme. Duket se misteri mbetet tek dy ngarkesat që janë bërë me dije dhe nga mediat greke të datës 27 prill dhe 2 maj, të cilat janë konfirmuar dhe nga policia e Korçës se kanë hyrë transit nëpërmjet kësaj pike kalimi.
Ajo që është më misterioze në këtë histori, është fakti se nuk dihet se cilat firma shqiptare e kanë sjellë atë në vend, ndërsa tregu i destinuar i shitjes për ngarkesat e fundit ka qenë metropoli shqiptar. Kështu pra, në listën e bashkëpunimit mes firmës greke “Manos S.A.” nuk është vetëm firma nga Korça “Dessina Ballkan” ajo që ka marrë në mënyrë të vazhdueshme, prej gati 6 muajsh, vaj nga firma greke e akuzuar për shitjen në treg të vajit ushqimor i përzierë me lubrifikantë, elementët e dëmshëm të të cilit rrezikojnë jetën e konsumatorit. Policia e Korçës, nga ana e saj, siguron se vaji i importuar nga firma “Dessina Ballkan” ka qenë vaj i përpunuar dhe sipas analizave, ka rezultuar në të gjitha rastet i pastër dhe pa përzierës, brenda të gjitha parametrave të duhura për konsum të gjerë. Ky përfundim vjen nga Inspektorati i Bujqësisë dhe Ushqimit, që ka kryer analizat për të gjitha ngarkesat me vaj që kanë hyrë nga kjo pikë doganore nga ana e firmës në fjalë, por dhe për të tjera, kur zhdoganimet janë kryer në doganën e Kapshticës. Nga verifikimet e dokumentacionit që ka bërë në doganë policia, në asnjë rast nuk është regjistruar nga ana e specialistëve që ushtrojnë kontroll për cilësinë e këtij produkti ushqimor, ndonjë problem për konsumimin e tij.