E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Shteti nuk po mbron jetën e qytetarëve”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ndihemi të dëshpëruar që dita e Nënë Terezës së shenjtë, që dha gjithçka për njerëzimim, u kthye në ditë zie për shkak të varfërisë që shtyu në korridorin e rihapur të trafikut të klandestinëve burra, gra e fëmijë, të cilët s e arritën dot bregun tjetër dhe u kthyen të vdekur në bregun e atdheut të mbetur pa shtet”

Tragjedia e Butrintit ku humbi jetën një nënë 22-vjeçare dhe fëmija i saj tremuajsh ka sjellë reagimin e ashpër të opozitës shqiptare. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, pasi shprehu në emër të gjithë deputetëve të PS-së, ngushëllimet për familjen Jaho, e cila humbi dy pjesëtarë të familjes së saj, akuzoi shtetin, që nuk po arrin të mbrojë jetën e qytetarëve të vet. Sipas Leskajt, njerëzit po tentojnë të ikin nga Shqipëria në çdo mënyrë për shkak të dëshpërimit dhe varfërisë. Duke e quajtur këtë tragjedi si pjesë të një korrupsioni vrastar, numri një i deputetëve socialistë i kujtoi Qeverisë se nuk mund të lëvdohet as me moratoriumin antiskaf të vendosur kohë më parë. Ndërkohë që deputeti socialist Stefan Çipa ka pohuar se mungon kontrolli i nevojshëm në kufirin shqiptar. Sipas tij, zonat kufitare nuk menaxhohen si duhet dhe ka mungesë logjistike. Pjesë e kësaj dhimbjeje është bërë dhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka vizituar familjen Jaho.
Deklarata
“Ndihemi të dëshpëruar për tragjedinë e radhës, që mori jetë njerëzish në këtë vend, ku plagët hapen njëra pas tjetrës, duke dëshmuar mungesën e frikshme të shtetit. Ndihemi të dëshpëruar që përsëri bëjmë ngushëllime për të tjera familje shqiptare, që janë sot në hall e në dhimbje të parrëfyeshme, për shkak se shteti nuk mbrojti jetën e njerëzve të tyre”, - theksoi Leskaj. Sipas saj, dy ditë më parë, të tjerë shqiptarë të pafajshëm e të braktisur në varfërinë e tyre të pangushëllueshme, sakrifikuan jetën e fëmijëve. Leskaj theksoi se një tjetër vdekje në grup tregon një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit vrastar, këtë herë në detin ku Qeveria krenohet se ka ndaluar me ligj çdo mjet lundrimi. “Ndihemi të dëshpëruar që dita e Nënë Terezës së shenjtë, që dha gjithçka për njerëzimim, u kthye në ditë zie, për shkak të varfërisë që shtyu në korridorin e rihapur të trafikut të klandestinëve burra, gra e fëmijë, të cilët s e arritën dot bregun tjetër dhe u kthyen të vdekur në bregun e atdheut të mbetur pa shtet. Ne u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjarëve e të afërmve të viktimave për humbjen e madhe”, - përfundoi Leskaj. Ndërkohë që deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka shkuar dje në familjen Jaho, e cila humbi tragjikisht vajzën 22-vjeçare, Elvira dhe foshnjën e saj, Klara, vetëm 3-muajshe. Nëna e re, së bashku me bashkëshortin e saj dhe fëmijën u ndodhën në varkën me 24 klandestinë që u mbyt të dielën në brigjet e liqenit të Butrintit, teksa tentonin të shkonin në Greqi. Deputeti socialist Braçe u shprehu ngushëllime famijarëve për humbjen tragjike. Trupi i pajetë i nënës e bijës mbërritën dje paradite në banesën e tyre në Lapardha të Beratit nga ku dhe do t u jepet dhe lamtumira e fundit. Tragjedisë i mbijetoi vetëm bashkëshorti Dritan Jaho, i cili aktualisht ndodhet në gjendje shoku për humbjen e madhe të familjarëve të tij. Ndërkohë që një tjetër i ri, vetëm 17 vjeç, konsiderohet ende i zhdukur në ujërat e liqenit të Butrintit. Burimet policore kanë konstatuar se shkaku i kësaj tragjedie ka qenë mbipesha e varkës, në të cilën ishin imbarkuar plot 24 persona.
Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›