Akuzat, Veliaj padit Bogdanin në gjykatë
TIRANË - Erion Veliaj, drejtuesi i G99-ës, dorëzoi dje në gjykatën e rrethit të Tiranës dhe në prokurorinë e Tiranës, një kërkesë për fillimin e procedurave penale ndaj zëdhënësit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. "Zotërinjve Berisha e Bogdani, do duhet t'u provojnë shpifjet e ulëta shqiptarëve. Jam gjithë sy e vesh se ku do t'i prodhojnë vilat e imagjinatës së tyre mashtruese. Pasi sulmuan ndërkombëtarët, sot sulmojnë dhe organizatat që punojnë me ndërkombëtarët”, - tha Veliaj. Ai theksoi se, zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, kishte shpifur teksa kishte deklaruar se, “kreu i G99-ës,kishte ofruar për llogari të Edi Ramës 500.000 euro dhe një vend në listën për deputet, Kosta Trebickës për të bërë dëshmi të rreme”. Veliaj u shpreh se duhet të jenë organet e drejtësisë, që do të zbardhin të vërtetën dhe kjo duhet t’u shërbejë gjithë djemve, vajzave dhe shqiptarëve të ndershëm, “që hezitojnë të ëndërrojnë nga frika se, mosangazhimi i tyre politik, mbytet nga një mal me akuza të ulëta”. Kreu i Lëvizjes G99, i kujtoi Kryeministrit Berisha kohët kur ai e mbështeste për kontributin që jepte në MJAFT,kur sulmet i drejtoheshin kundërshtarëve të vetë Berishës, duke deklaruar kështu se konflikti i vërtetë midis Veliajt dhe Partisë Demokratike, është “ndeshja edy civilizimeve, midis shpifjes dhe të vërtetës”.