E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama “Berisha, përgjegjësi moral dhe politik i tragjedisë, të largohet”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon largimin e Berishës, si përgjegjës për tragjedinë e Butrintit. Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në LSI, Luan Rama, në emër të partisë së tij ka shprehur ngushëllime për familjen Jaho nga Lapardhaja e Beratit për humbjen e njerëzve të saj të dashur në tragjedinë më të fundit. Rama tha se kjo tragjedi ishte si pasojë e mosveprimit të strukturave të shtetit për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të këtij vendi. “Rikthimi i fenomenit kriminal të trafikut të qenieve njerëzore, është dëshmia e radhës se qeverisja e këtij vendi është Qeveri e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, e cila merakoset më shumë për fatin e Fazliçit sesa për jetët e qytetarëve shqiptarë”, - tha ai. Sipas Ramës, konflikti ndërinstitucional, ndërsimi i një pjese të shtetit kundër pjesës tjetër, vënia e Ministrisë së Brendshme kundër Prokurorisë apo konflikti i Ministrisë së Drejtësisë me Gjyqësorin dhe Prokurorinë, krijojnë klimën e mosveprimit të strukturave që ngarkohen me zbatimin e ligjit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër motivon grupet kriminale, të cilët janë në unison me sjelljen abuzive dhe korruptive të Ekzekutivit. Këto fakte sipas tij, dëshmojnë se deklarata qeveritare për tolerancë zero kundër krimit dhe trafiqeve është vetëm demagogji e një qeverie që vepron e kapur dhe që ushqehet nga krimi, korrupsioni dhe trafiqet e paligjshme. Për Ramën nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur Qeveria mendon për Fazliçin dhe fatin e tij, kur Qeveria preokupohet që Fazliçi të mos shqetësohet, ndërkohë që nuk do t ia dijë për fatin e viktimave të Gërdecit, siç nuk bëri asgjë për zbardhjen e tragjedisë së 9 janarit, dhe që nuk bëri asgjë të parandalohej tragjedia më e fundit ajo e Butrintit. “Prandaj LSI kërkon largimin e Berishës si personi kryesor përgjegjës jo për trill apo sepse duam që të largohet Berisha, por sepse largimin e tij e kërkon shumica e shqiptarëve, pasi moralisht ai është përgjegjës, pasi politikisht ai është përgjegjës dhe që të të ballafaqohet ligjërisht me institucionet e zbatimit të ligjit”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›