E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, afatet e aplikimit për pension dhe dokumentet që duhen

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore aprovoi dje rregullat dhe procedurat e reja për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve

TIRANË - Çdo person, që është në prag të daljes në pension pleqërie, do të gëzojë të drejtën që të aplikojë për pension, një vit para arritjes së moshës. Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, aprovoi dje rregullat dhe procedurat e reja për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve. Sipas kësaj rregulloreje,personat në prag të daljes në pension pleqërie, kanë të drejtë të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore, një vit para arritjes së moshës për pension. Që do të thotë, që çdo person që është në prag të daljes në pension, ka të drejte që një vit para, të fillojë procedurat paraprake, pra të dorëzojë një fotokopje të librezës, ku vërtetohet edhe historiku i punës. Në fakt, miratimi i kësaj rregulloreje, për Insitutin e Sigurimeve Shoqërore, është konceptuar një hap pozitiv, si për personin e interesuar për pension, ashtu edhe për administratën e sigurimeve shoqërore.

Qëllimi

Koha njëvjeçare, do të vlente për të verifikuar në kohë historikun e punës, e cila në mjaft raste, është në qendra të ndryshme të punës, por edhe në qytete apo fshatra të ndryshme të Shqipërisë. Një aplikim i tillë, pra 12 muaj përpara mbushjes së moshës, sipas ISSH-së, do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu edhe strukturat e ISSH-së për verifikim. Aktualisht, afati i caktimit të pensionit, është 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension. Pra, paraqitja e kërkesës paraprake për pension, do t’i jepte mundësi administratës së sigurimeve shoqërore, që të fitojë kohë për të caktuar pensionet, me qëllim që vetë aplikuesit, ta përfitonin pensionin menjëherë pas arritjes së moshës.

Inspektori i Përgjithshëm

Në qëllim të zbatimit të kësaj rregulloreje, Insituti i Sigurimeve Shoqërore, ka krijuar edhe një post të ri pune, që është ai i Inspektorit të Përgjithshëm Koordinues. Krijimi i këtij posti, është bërë me qëllimin e vetëm se, dokumentacioni i vjetërsisë në punë, ka nevojë të verifikohet në origjinë, pra të bëhen aktverifikime të rregjistrave themeltarë, të borderove etj., verifikime të cilat, duhet të kryhen në rrethe të ndryshme, pikërisht atje ku është edhe dokumentacioni.

Dokumentet

Çdo aplikues duhet të kërkojë pajisjen me një mandat, ku njoftohet data e tij e aplikimit. Aplikimi do të pranohet i firmosur nga vetë aplikuesi. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake të një aplikuesi për pension janë: a) Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj deklaratë personale për vitet e punës; b) Certifikatë lindjeje me fotografi; c) Certifikatë martese për kërkueset femra.

Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake janë:

Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj deklaratë personale për vitet e punës.

Certifikatë lindjeje me fotografi

Certifikatë martese për kërkueset femra

Përmes rregullores së re, ISSH-ja synon përmirësimin e shërbimit, me qëllim që çdo pension, të jepet në kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›