Leskaj:Largimet e gjyqtarëve, antikushtetuese
• Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, i cilësoi vendimet e KLD-së “të kundërligjshme e jo kushtetuese”, me të cilat kandërprerë ushtrimin e detyrës së drejtuesve të 14 gjykatave të vendit në Shkallë të Parë edhe në Apel. Sipas saj, këto vendime janë të kundërligjshme e jo kushtetuese, pasi në asnjë dispozitë ligjore të ligjit për Organizimin e Drejtësisë apo ligjin për KLD-në, nuk parashikohet kufizimi i mandatit apo i kohës së ushtrimit në detyrë nga ana e KLD-së. Leskaj tha se një veprim i tillë merret kur në Kuvend po diskutohet reforma në gjyqësor. Kryetarja e grupit parlamentar socialist i kërkoi Presidentit Topi “të mos kthehet në pengesë për Parlamentin e as në një problem për opozitën, e cila, duke e pasur fare të qartë se ai nuk është president mbi palët, ka të drejtë të shqetësohet kur një maxhorancë nga njëra anë ulet në tryezë për reformën, nga ana tjetër vijon aksionin e saj deformues”. “Partia Socialiste i kërkon Presidentit të Republikës të shprehet publikisht për Paktin Kombëtar për Drejtësi dhe në se ai e përkrah idenë e këtij konsensusi të veprojë në frymën e tij dhe të kontribuojë për forcimin e kësaj fryme”, tha Leskaj.