Reforma në Drejtësi, avokatët: Dhoma Kombëtare e Avokatisë s’duhet të heshtë
• TIRANE - Reforma në drejtësi mblodhi dje avokatët kryeqytetas në forumin e Lëvizjes së Avokatëve për Reformën në Drejtësi, organizuar në mjediset e Hotel “Sheraton”. Sipas organizatorëve, avokatëve Idajet Beqiri dhe Genti Mete, qëllimi i këtij forumi ishte debati dhe ndihmesa e tij në punën që ka nisur për reformimin e drejtësisë në Shqipëri. Gjatë diskutimeve avokatët vlerësuan së në kuadrin e formimit, LARD të bëhet një zë i veçantë në “korin” e përgjithshëm të gjithë faktorëve në vend për një reformë të thellë, sa më profesionale, të vërtetë dhe dobiprurëse për qytetarët e këtij vendi dhe për një progresin të mirëpritur të demokracisë, të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Më tej ata theksuan se LARD nuk do të veprojë jashtë apo kundër Dhomës Kombëtare të Avokatisë. “Ne jemi pjesë përbërëse e saj, nuk jemi oponenca e saj, por jemi një zë që nuk mund të durojmë indiferencën e komunitetit tonë prej afro 4000 anëtarësh që individualisht punojmë dhe sakrifikojmë shumë, por institucionalisht bëjmë “gjumin” e ariut”, tha avokati Beqiri. Ndërsa Mete pohoi se avokatisë nuk i falet kjo indiferencë, posaçërisht sot kur i gjithë vendi është përfshirë në diskutimin e mirëpritur për reformën në drejtësi, nisëm e politikës, por detyrë jo vetëm e politikës. Diskutantët në forum pohuan se kjo reformë përmes një diskutimi të gjerë duhet të përfshijë në radhë të parë sistemin gjyqësor, organin e akuzës, institucionin e avokatisë, policinë e shtetit, auditet e ndryshme dhe KLSH-në, gjithë juristët dhe Fakultetet e Juridikut në institucionet mësimore universitare publike e private të vendit. Pasi të realizohet kjo, do të ishte mirë të fliste politika si zë i fundit, e cila me pushtetin e saj legjislativ që është Kuvendi i Shqipërisë, do të bënin ndryshimet e duhura në gjithë legjislacionin që rregullon sistemin gjyqësor në vend, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjet në Kushtetutë. Duke pranuar se në radhët e tyre ka edhe elementë që janë bërë pjesë e korrupsionit në drejtësi dhe që fatkeqësisht, për më tepër kanë rolin e sekserit, LARD pohoi se gjente rastin të kërkonte ndjesë dhe të reflektonte për rolin e avokatisë në sistemin e drejtësisë. fa.ma.