Leskot: Luajtëm me krenari dhe pasion
Mbrojtësi shënoi golin e vetëm për luanët në barazimin ndaj Francës në Donjeck: Ishte një performancë e shkëlqyer kolektive
Heroi i golit të Anglisë, Xholeon Leskot, ka lavdëruar vendosmërinë e skuadrës së Roi Hodgsonit në ndeshjen e parë të Europianit, në barazimin 1-1 kundër Francës në Donjeck.
Leskot e kaloi Anglinë në epërsi gjysmë ore pasi kishte nisur ndeshja, por nëntë minuta më vonë ishte shoku i tij i skuadrës te Mançester Siti, Samir Nasri, i cili shënoi golin e barazimit dhe i dha një pikë Francës.
Por Anglia tregoi vendosmëri dhe cilësi organizative për të marrë një pikë jetike para ndeshjeve kundër Suedisë dhe Ukrainës vendase. Leskot ka thënë: “Ishte një performancë shumë e mirë kolektive. Ishte një ndeshje e vështirë për të nisur turneun.
Ne duhet të ishim të organizuar dhe dihet se çfarë mund të japë një skuadër angleze. Loja jonë pati shumë krenari dhe pasion, por mendoj se ne menduam edhe për sulmin dhe mund të shfrytëzojmë anët pozitive të kësaj ndeshjeje.
Patëm një plan loje për këtë ndeshje dhe kemi vetëbesim kur futemi në fushë. Nuk kemi frikë nga askush, por etika e punës ishte shumë e rëndësishme. Skot Parker dhe Stiven Xherrard luajtën shumë mirë dhe ishin solidë. Xhejms Milner dhe Aleks Okslade-Çambërlein po ashtu.
Pavarësisht lojës sonë, ishte e rëndësishme që nuk u mundëm dhe kjo na ka vendosur në një pozicion të mirë në grup para ndeshjes së radhës.” Leskot shënoi golin e tij të parë në një ndeshje me përfaqësuesen pas një krosimi shumë të saktë nga kapiteni Stiven Xherrard.
Ai ka thënë: “Është bukur kur shënon dhe për mua ishte tepër e veçantë. Është nga ata gola që i ëndërron. Por krosimi ishte aq i bukur, saqë e bëri shumë të lehtë shënimin e golit.