Rilindja e Shevës: Ka qenë një mbrëmje e mrekullueshme
Sulmuesi ukrainas nuk ka qenë i sigurt për përfshirjen e tij në listën e 23 lojtarëve të kombëtares, por falë punës së madhe është rikthyer golashënuesi i dikurshëm
Si një ditë perfekte? Si ajo që Andri Shevçenko ka jetuar të hënën, duke shënuar dy gola në shtëpinë e tij, sepse Kiev është me të vërtetë shtëpia e tij. Aty është rritur, është kthyer atje për të mbyllur karrierën.
Kievi e ka shpërblyer me një mbështetje të ngjyrosur me të verdhë, e verdha e fanellës së Ukrainës që në tribunat e stadiumit Olimpisky ngatërrohej me atë të Suedisë. Ai ka shpërblyer Kievin me një ndeshje që duket një përrallë. Për të dhe për të gjithë vendin që e jeton këtë Europian si një revansh.
HISTORIA Revanshin duhej ta merrte Sheva ndaj një karriere që ka qenë e mbushur me shumë gjëra, suksese, por edhe ndalesa. Dy sezonet e fundit te Dinamo e Kievit nuk kanë qenë siç mund ti kishte imagjinuar dhe për këtë Europian është përgatitur në mënyrën e duhur, me zemërimin e atyre që besojnë se kanë akoma diçka për të dhënë.
Dy njerëzit që kanë çuar Ukrainën deri në çerekfinalet e Botërorit të 2006-ës janë bashkuar në momentin më të rëndësishëm. Të shkruajmë bashkë historinë, ka qenë slogani i zgjedhur nga qyteti ku do të zhvillohet finalja e një korrikut. Dhe historinë e bëjnë ata si Bllohin (Top i Artë) dhe Sheva (Top i Artë). Bllohin disa javë më parë ka thënë:
Nuk i grumbulloj lojtarët nga emrat që kanë, Shevçenko për të luajtur në Europian duhet të tregojë se është në formë, nëse në fushë do të zbriste e kaluara atëherë do të luaja edhe unë. Sheva ka qëndruar në heshtje.
Thuhej se ndoshta nuk do të kishte qenë pjesë e listës së 23 lojtarëve. Ka punuar, ka djersitur, ka humbur tre kile. Ka shënuar dhe ka shpërthyer deliri.
EMOCIONE Deri pak orë para ndeshjes, Sheva ka bërë sikur nuk e dinte se do të kishte luajtur që nga minuta e parë. Trajneri nuk na ka thënë akoma asgjë dhe unë nuk bëj pyetje, nuk dua të vë nën presion askënd.
Ai është si një fëmijë në parkun e lojërave: mbyllja e karrierës në shtëpinë e tij, përpara tifozëve që akoma e duan (fanellat e tija janë më të shiturat, mbi të gjitha midis të rinjve) është finalja perfekte. Ndërkohë, të hënën kanë ardhur golat.
Dhe dueli me Ibrën, pasardhësi i tij te Milani, ka përfunduar kështu: Sheva që ka fluturuar para suedezit për të shënuar golin e avantazhit. Ibra e ka prekur 57 herë topin, pothuajse dyfishin e rivalit (34) por ka humbur 10 përplasje, ndoshta fillimi i fundit për Suedinë.
Sheva në fundin e pjesës së parë ka këmbyer fanellën me Ibrën, e kaluara dhe e tashmja e Milanit, një fotografi e bukur për tifozët. Por Sheva e ka mbyllur takimin me lavdi: Jam i lumtur, është gjithçka e mrekullueshme, faleminderit tifozëve që kanë ardhur për të na mbështetur.
Ne i kemi shpërblyer me një futboll të bukur. Ibra, siç i ka ndodhur shpesh në muajt e fundit, është kthyer në dhomat e zhveshjes i zhgënjyer dhe i zemëruar.
Talenti i tij i madh nuk i ka mjaftuar Suedisë dhe goli i avantazhit, i shënuar pasi ka goditur një shtyllë, nuk është një ngushëllim për një njeri që kishte objektiva të tjerë, ndërsa ka humbur menjëherë duelin me të shkuarën. Por koha është akoma nga ana e tij dhe Ibra nuk ka ndërmend të dorëzohet tani që po afrohet Anglia.
Bllohin: Dy golat e Shevës i kam parë në ëndërr
Trajneri i Ukrainës, Oleg Bllohin, ka bërë të ditur se ai ka parë një ëndërr se Andrei Shevçenko do të shënonte dy gola. Sheveçenko ka realizuar dy gola përrallorë me kokë, ndërsa Ukraina ka arritur të marrë tri pikë të rëndësishme, duke përmbysur rezultatin kundër Suedisë në ndeshjen e tyre të parë në Euro 2012-të.
Atij nuk i besohej se unë kisha parë në ëndërr se ai do të shënonte dy gola. Mendoj se ne kishim një avantazh në pjesën e parë, nëse nuk marrim parasysh rastin e Ibrahimoviçit, por ne kemi luajtur më mirë. Kemi pësuar një gol, megjithatë unë duhet të falënderoj ekipin që ka arritur të shënuar dy gola.
Mendoj se nuk kemi bërë një punë të mirë në minutat e fundit, sepse kemi vuajtur shumë për të mbrojtur këtë rezultat. Duhet të them se Suedia ka një skuadër shumë të mirë dhe është shumë e vështirë të luash kundër tyre, ne dinim gjithçka për ata, por unë mendoj se do të jenë një skuadër e vështirë për tu mundur, ka thënë Bllohin.
Timoshuk: Ukraina në finale? Pse jo!
Lojtari i ndeshjes ka qenë Andri Shevçenko, por të gjithë lojtarët e Ukrainës që kanë zbritur në fushë kanë bërë një paraqitje të mirë kundër Suedisë. Duke përfshirë edhe Anatoli Timoshuk… Dua të falënderoj tifozët tanë, – ka thënë lojtari ukrainas në përfundim të takimit.
- Në stadium ka qenë një atmosferë fantastike. Kemi qenë në disavantazh të një goli, por kemi arritur të rimarrim kontrollin e ndeshjes me një vendosmëri të madhe. Tani duhet të qetësohemi pak dhe të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e ardhshme.
Pengesat e ardhshme në rrugën e Ukrainës për të arritur në çerekfinale janë Franca dhe Anglia… Janë dy skuadra shumë të forta, – ka thënë Timoshuk. – Duhet të luajmë me të njëjtën vendosmëri dhe agresivitet që kemi treguar kundër Suedisë. Nëse do të luajmë përsëri në Kiev më një korrik (data e finales së Europianit)? Pse jo…(qesh).
