Letër “55”-s/Spiun për një ditë të vetme
Kur dola nga shtëpia u gjenda përballë me një grua. Ndonëse nuk ishte e re, ishte pashme, me sy të bukur dhe açik, mbi të gjitha. – A vjen me mua për një kafe?- u fut drejtpërdrejt në temë. Jam nga ato të Tepelenës tani lexoj vazhdimisht “55-n”. Po përse nuk vazhdon më ajo rubrika “Letërkëmbim”? Ne, ish-të përndjekurit politikë, e lexonim se kishte edhe hallet tona. - Por tani bëhen shumë komente në gazetë dhe përfshihen edhe ato halle. Por shpesh dalin edhe letra, ku mund të përmbahet edhe jotja – i thashë në kafe, ku po flisnim me “ti”. -Mirë, unë flas dhe ti e shkruan; por dua të ma rregullosh që të mos dalin gabime! – më tha. -Patjetër. Ta jap fjalën. Veçse do të vëmë edhe titullin tënd edhe timin. Pasi mbaruam së shkruari, e ndjeva për detyrë ta pyesja: - “Spiun për një ditë të vetme”. – Edhe unë e kisha ndërmend! - më tha Vera R. – Po e shkruaj si në “Letërkëmbim”.
***
Jam me tetëvjeçare. Burrin ma vranë në Postribë. Unë përfundova në kampin e internimit, në Tepelenë. Atje linda edhe djalin. Një ditë prej ditësh djali m’u zhduk. Ishte fare i ri, atëherë. U interesova dhe më dhanë një përgjigje të shkurtër: Desh të arratisej dhe u mbyt në det. Një tmerr i papërshkrueshëm për mua. Në internim kisha me vete edhe motrën, me gjithë të shoqin. Të tre u liruam, me ardhjen e demokracisë. Na shpëtoi Perëndia, Partia Demokratike dhe Dr Berisha. Puna e parë që bëra ishte kërkimi i djalit me anë të Kryqit të Kuq ndërkombëtar.. S’u besoja atyre lugetërve. Por ja që një zë nga lart më thoshte të kisha shpresë. Vajta edhe në Shoqatën tonë të Helsinkit. Por atë e kryesonte njëri ndër ata, që aman o Zot! Burri i motrës sime, që kishte qenë edhe në burg, ishte teknik ndërtimi. Sesi kishte marrë vesh, mik pas miku, se babai ynë, (imi dhe i motrës), kishte një pronë në Durrës nga babai i vet, po hajde e gjeji dokumentet. Dhëndri gërmoi, gërmoi, e ndihmoi edhe një avokat dhe na dha lajmin e mirë: I kishte gjetur. Ishte një truall i blerë, i zënë me pallate, por kishte hapësirë të bollshme të lirë. Dhëndri. Na gjeti edhe një ndërtues, që e bleu me lekë në dorë! U bëmë me pare! Shumë i mirë, ai burri i motrës. I vuajtur. E dini ç’më tha? -“Të rri mendja ditë-natë te djali. Merri edhe gjysmat e motrës dhe shko, njëherë, në Itali, në Bari në fillim. Ka shqiptarë të shumtë që mund të të ndihmojnë.
Vërtet takova mjaft prej tyre. Njëri, më habiti: - E ke në Romë. Mbaroi shkëlqyeshëm si financier. Por nuk e ke me emrin Fatmir, por Bamir. Mbiemrin e ka ruajtur. Është nëndrejtor i një banke, nuk e mbaj mend mirë në cilën. Ngulmoi të më blinte edhe biletën e trenit, por i thashë se kisha lireta, dhe me bollëk! U përqafuam me Palushin dhe përfundova në Romë. E gjeta menjëherë. –Dua Bamirin – thashë në sportel. Egli è il mio figlio. (kisha bërë një kurs për italishten). –Bamiri! - ulërita sa e pashë te dera. Mamma! – shpërtheu i ngashëryer, djali. Të dyja nëpunëset e sportelit s’dinin kë të mbanin më parë: mua, apo djalin. Hapën frigoriferin dhe na dhanë fërnet. Lotët s’kishin të reshtur. Përqafimet nuk mbaronin.
Kur e morëm veten, djali më çoi në makinën e tij luksoze. Isha në parajsë? Vajtëm në njërin ndër kuartieret e famshme të Romës. Kishte tri dhoma e një kuzhinë. Ç’mrekullie. Ishte beqar! Të gjitha dhomat, përplot me libra. Në italisht, në frëngjisht, në anglisht, madje edhe në shqip. Ngriti receptorin e telefonit: - Nesër do të jem në San Benedetto del Tronto, Ma dini numrin. – Ricevuta, signor direttore. -Ku bie kjo del Tronto? -Afër Riminit, në bregdet, përballë jush. Ta dish, mami, sa lot kam derdhur atje, në vilën time! Shihja Shqipërinë me mend. Dhe përlotesha... - Por ne, o biri im Fatmir, na u duk sikur na braktise! -Kurrën e kurrës. Gjithmonë me lot në sy. Prandaj s’doja as të martohesha. Këtu kisha lëndinën e lotëve. Por ja që Zoti bën edhe çudira, për ne të vuajturit. Ti, moj mami (sikur isha fëmijë!), duket se kishe vendosur të më gjeje edhe sikur të isha në Andet! -Siç kishte shkruar Karduçi në “Cuore-n” e tij. Po më habit! Edhe këtë e ditke?
Na ka dhënë pjesë të këtij libri ai profesori... privatisht, në Shqipëri. -Po përse ke ndërruar edhe emrin, o Fatmiri i mamit? - Kërkova të bëhesha tjetër njeri, Për pak sa nuk u bëra murg. Kam qenë spiun!
Sikur na kaloi një rrymë elektrike, si ato të karrigeve për ekzekutim. - E tmerrshme!- më shpëtoi nga goja. Fillova të belbëzoja. – Po... ku? Po... si? -Atje, në kamp, më gjeti të vetmuar ai buzështrembëri, togeri i sigurimit. E filloi me urtë e butë. Partia kishte nevojë për ndihmën time. Ti duket se e ke bërë procesin e riedukimit...etj. Pastaj drejt e te propozimi! Më kërcënoi: - Ti je pa baba. Kërkon të mbetesh edhe pa nënë? A do ta pësosh si nëna e Muharrem Bajraktarit, që e hodhën nga ura në lumë, kur do ta çonin në ambulancë? Më tmerroi. E vura firmën...Dy net të tëra s’ më zuri gjumi fare. Do të vdisja nga marazi. Palushi më pa të shpërfytyruar. - Vdekur se vdekur, -më tha. A ia mbathim? Afër Sarandës ai shoku im kishte një mik familjar. Na dha dy goma të ngjitura. Natën ishte një kohë që nuk shihje dot as pesë metra. Iu drejtuam Korfuzit. U lodhëm. Afër bregut tjetër pamë një velierë që kishte dalë për peshk. Ulëritëm me sa zë që kishim. Kur ta bën për mbarë Perëndia! Ania na u afrua, na futi brenda, u ngrohëm. Na thanë se një mbrëmje më parë ishin mbytur dy veta. Kushedi ku do t’i çojë deti... - Mirë, o bir, por sa kohë mbeti ajo firma jote tek ai gojështrembëri? -Një ditë! Por do të më vinte radha e denoncimeve kot më kot, e të bëhesha sebep për dënime të pafajshmish. -Por ja që nuk erdhi ajo kohë! - Veçse... firma ime kishte mbetur aty! E bisedova me një psikolog. Dhe ai më mirëkuptoi. Më tha ta shkëpusja trurin nga ajo mynxyrë. Njëherë, megjithatë, vendosa të kthehesha Por do ta kisha vrarë atë gojështrembërin kur e dëgjova në radion e tavolinës se kërkonte të ngrihej sërish statuja e Enverit...Eh! Ku është katandisur vendi im! Pastaj vendosa siç e di, të isha anonim për Shqipërinë. Më dhimbseshe ti, tezja dhe i shoqi i saj, zotni burrë. Isha me të gjitha të mirat. Por asgjë s’ më hynte në sy. Veçse tani, sa të vemi në Romë, do të bëj bashkim familjar, për të tre! Duhen procedura. Por tani ti e ke marrë vesh se unë jam ‘pezzo grosso’, këtu... – e ktheu në të qeshur.
***
Tani treshja bën vara-vinga Shqipëri- Itali dhe anasjellas. Por Bamirit nuk i bën zemra të vijë... se mos bën ndonjë hata!
...