Po i dalin petët lakrorit të manipulimit të zgjedhjeve nga soc-komunistët
Vetëm pak ditë më parë në një shkrim timin për gazetën “55”, kam theksuar se shumë shpejt kemi për të mësuar batërdinë e manipulimit të zgjedhjeve të 23 Qershorit nga bolshevikët soc-komunistë. Ky nuk ishte një konstatim i rastit por një fakt i qindra dhe mijëra fakteve që shqiptarët i panë me sytë e tyre ditën për diell. Atë që panë shqiptarët ditën për diell ishin blerja e votës me para në dorë, derë më derë dhe rrugë për rrugë. Ka patur raste kur blerja e votës ka futur në konflikt grupe të ndryshme militantësh deri edhe në përleshje të armatosur. Është mjaft për t’u çuditur se shteti nuk u ndje, institucionet e shtetit bënë syrin qorr e veshin e shurdhër. Mijëra vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë “nuk kanë parë asgjë” dhe zgjedhjet u konsideruan si “më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri”. Nga ana tjetër edhe Partia Demokratike pranoi humbjen në mënyrën më të çuditshme pa asnjë kontestim të rezultatit të zgjedhjeve. Kryeministri Berisha pranoi publikisht me anën e një deklarate humbjen dhe dha dorëheqjen si Kryetar i PD. I gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar nuk ishte i bindur në një rezultat kaq të thellë të një fitoreje të së majtës ish-komuniste, ishte një rezultat befasues edhe për sondazhet që ishin mbajtur deri në atë ditë në Shqipëri nga institucione të besueshme ndërkombëtare. Të gjitha sondazhet nxirrnin dy koalicionet me një rezultat pothuajse fifti-fifti kur marzhi i gabimit ishte deri 2%. Pa asnjë fjalë kishte ndodhur kjo që po shohim tani me vetëm majën e ajsbergut të manipulimit të zgjedhjeve në Lezhë e në Shkodër. Se çfarë është bërë në të gjithë Shqipërinë nuk dimë asgjë, por gjasat janë se ka qenë një strategji e mirëpërgatitur nga e majta për vjedhjen e manipulimin e zgjedhjeve në çdo mënyrë dhe me çdo kusht. Nuk ishin të rastit deklaratat e disa Partive Komunistë në koalicionin e majtë se “nëse do te fitojë Berisha, do të rrokim armët”. Edi Rama për karshi vetëm bënte sehir në njëfarë mënyre duke i miratuar deklaratat bolshevike të marrje së pushtetit me grykën e pushkës. Liderët e majtë predikonin me patjetër “rotacionin politik” që duhej të ndodhte, anipse Meta kishte qeverisur për 4 vite në pushtet pothuajse më gjysmën e pushtetit dhe të administratës shtetërore. Rasti i Lezhës, i manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve ishte një rast flagrant që si i thonë fjalës e nxori në dritë e drejta e Zotit. Partia Socialiste humbi aty për aty 1 deputet. Po se çfarë rrokopuje është bërë edhe në KZAZ e qarqeve të tjera po shihet shumë mirë se ne vetëm majën e ajsbergut kemi parë. Po çfarë në të vërtetë e ka shtyrë Sali Berishën të pranojë rezultatin e zgjedhjeve apriori, në gjykimin tim duke qenë i bindur se zgjedhjet ishin tërësisht të manipuluara? Sali Berisha pranoi rezultatin, pa asnjë kontestim mendoj unë, për dy arsye themelore. E para; kontestimi i zgjedhjeve nuk ishte i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar dhe do të bëhej përsëri pengesë për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane. Amerika dhe Europa ishin lodhur nga kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve gjithnjë dhe vazhdimisht nga Edi Rama, ishin lodhur me tam-tamet e trumpetave dhe borive në Parlamentin e Shqipërisë, ishin lodhur nga grevat e demonstratat pa asnjë motiv nga e majta ish-komuniste në këto 8 vite të tyre në opozitë. Institucionet ndërkombëtare kishin pritur këtë radhë një “pranim rezultati”. Dhe Berisha për hir të interesave kombëtare pranoi rezultatin. Se çfarë zgjedhjesh ishin dhe standardet e tyre duket se ua la ndërkombëtarëve t’i gjykonin. Dhe e dyta; nuk pranoi Berisha të ndiqte rrugën e mbrapshtë të Edi Ramës, duke mashtruar gjithnjë dhe vazhdimisht pa asnjë fakt se “zgjedhjet m’i vodhi Saliu”. Në këtë mënyrë autoriteti i tij i padiskutueshëm si politikan i rangut ndërkombëtar do të zbehej në atë që quhet “mania për pushtet”. Dhe këtë Berisha nuk e pranoi. Gjykimin e la në dorën e popullit dhe të miqve të Shqipërisë dhe të demokracisë. Berisha dinte sigurisht shumë gjëra të turpshme që kërcënonin demokracinë por zgjodhi të pranonte atë që po deklaronin ata që kishin në dorë procesin zgjedhor. Ai bëri detyrën duke mbrojtur zgjedhjet dhe mbarëvajtjen e tyre. Dhe ja ku e drejta e zotit kur votuesi e kishte lënë si amanet votën e tij ajo u deformua. Berisha dhe Partia Demokratike nuk foli, nuk bëri publike fakte, qindra mijëra fakte të manipulimit të votës, por folën letrat, ajo që ishte e shkruar e zeza në të bardhë, që ishte e pavërtetë, e gënjeshtërt, absurde, firma të marra nën presionin e dhunë, të kërcënimit, vota të blera me para, mashtrime se do të punësoheshin në administratën publike, kërcënimet e Majkos e co, se do të binte fshesa e hekurit kundër demokratëve. Të tjerë kërkojnë të dërgojnë në burg Sali Berishën dhe një “byro kombëtare të hetimit”. Shkurt një terror i paparë. Në epilogun e këtij shkrimi modest, më lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje. Me pranimin e këtyre zgjedhjeve të vjedhura dhe të manipuluara vallë a është në të vërtetë kjo rruga e vështirë drejt demokracisë që kemi zgjedhur? Vjedhja dhe deformimi i rezultatit të zgjedhjeve të 23 Qershorit, a është vallë një precedent shumë i rrezikshëm për demokracinë? A do të besojë vallë populli shqiptar në zgjedhjet e ardhshme në verdiktin e votë së hedhur kur ajo vidhet e deformohet? A do të rendin të gjitha forcat politike në zgjedhjet e ardhshme që të përfitojnë vota nëpërmjet vjedhjes dhe mashtrimit? Në përgjigje të këtyre pyetjeve, një gjë duhet të zgjedhin shqiptarët por edhe ndërkombëtarët. Duhet të dalë në shesh e vërteta e manipulimit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Duhet dënuar rendja për pushtet të pamerituar të dy aligatorëve të së majtës ish-komuniste Rama – Meta. Të pengohet në të ardhmen por edhe në rastin e pikërishëm revanshi i modelit Bolshevik në kërcënimin kundër demokratëve, duke e konsideruar transferimin e pushtetit si përmbysje e sistemit demokratik. Së fundmi një apel për të gjitha institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë në rrugën e integrimit europian; ju lutem shikoni rastin e Shqipërisë të vuajtur për një gjysmë shekulli nga diktatura komuniste, mos e leni Shqipërinë në dorën mëkatare të Edi Ramës. Demokratët janë një masë e madhe e motivuar dhe e përkushtuar për demokracinë. Demokratët e Shqipërisë, ish-të përndjekurit, nuk u janë frikësuar torturave, pushkatimeve, burgjeve të skëterrës komuniste, duke qenë të bindur në idealin e lirisë dhe të demokracisë. Këtë fakt të njohur botërisht nuk duhet ta neglizhojnë elita e Partisë Socialiste dhe aliazhi i saj LSI që vijnë drejtpërsëdrejti nga Partia Komuniste. Një gjë është e sigurtë; në Shqipëri kurrë më nuk mundet të zbarkojë diktatura komuniste. Por Shqipëria po vuan nga neokomunizmi. Dhe ky fenomen i rrezikshëm për demokracinë duhet ndaluar.
...