E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër Berishës: Miratoni draftin e PS

29/03/2012  Ish të përndjekurit e tryezës së Ramës, kërkojnë dëmshpërblimin

Në krye të listës Bazhdari , dhe personi që goditi Rusmalin

Partia Socialiste nuk heq dorë nga përpjekjet e saj për të tërhequr sa më shumë elektorat përkrah vetes nga shtresa e ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Pjesë e këtij lobimi është dhe letra e djeshme drejtuar Kryeministrit Berisha, ku së bashku me një grup ish-të përndjekurish dhe të burgosurish në kohën e komunizmit, që i kërkojnë të japë miratimin për propozimin e PS-së për uljen e moshës së dëmshpërblimit, përkatësisht në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat. Ajo që bie në sy është se lista e këtyre ish-të përndjekurve kryesohet nga ish-kryetarja e PS-së në Shkodër Keti Bazhdari, por edhe Gjergj Ndreca, ish i përndjekuri që akuzohet për goditjen e deputetëve të djathtë. Pak ditë më parë Bazhdari dha dorëheqjen nga posti i saj për t’u emëruar nga shefi i selizë rozë Edi Rama në krye të grupit të punës të PS-së për të përndjekurit.

Letra e djeshme

Në letrën e hapur ish-të përndjekurit i kujtuan dje Kryeministrit se vendimi për të dëmshpërblyer vetëm ata të përndjekur që kanë mbushur 85 vjeç është një përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë ndaj shtresës së përvuajtur të ish-të burgosurve. “Kishim shpresuar, edhe pse me rezervë, në një angazhim serioz nga ana e qeverisë suaj për t’u dhënë fund zvarritjeve në këtë drejtim. Por mbetemi të revoltuar me mënyrën se si u argumentua nga ana juaj zmbrapsja e variantit të miratuar në Komisionin e Ligjeve. Vendimi juaj për të dëmshpërblyer menjëherë vetëm ata të përndjekur që kanë mbushur tanimë 85 vjeç është një përpjekje krejt e lexueshme për t’i ikur përgjegjësisë që keni ndaj shtresës sonë. Jo vetëm në Shqipëri, ku jetëgjatësia mesatare arrin 72 vjeç, por edhe në vendet më të përparuara të Europës e të botës vetëm një grusht njerëzish kanë fatin të kapin moshën 85-vjeçare. E ky numër i kufizuar reduktohet pastaj në gishtat e njërës dorë kur bëhet fjalë për të përndjekurit shëndetshkatërruar nëpër burgjet e kampet e internimit të diktaturës komuniste. Për më tepër, zoti Kryeministër, qëllimi i dëmshpërblimit nuk mund të barazohet me qëllimin politik për të përfituar pushtet prej viteve të vuajtjeve e torturave të kësaj shtrese duke thënë tjetër gjë e bërë një gjë krejt tjetër për të”, - shkruajnë ish-të përndjekurit.

Akuzat

“Plot 45 vjet burgosje, internime e pushkatime nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës dhe 22 vjet të tjerë braktisje e nëpërkëmbje nën qeveri, që me ne janë sjellë si të ishin regjime shurdhërie, përbëjnë bilancin dëshpërues të shtresës sonë. Ky bilanc e mbulon me turp çdo forcë qeverisëse që gjatë kësaj kohe nuk ka arritur as ta shohë problemin tonë si një çështje drejtësie sociale dhe as të ketë për të përndjekurit një politikë dinjitoze përtej interesave të veta politike”, - thuhet në letrën e hapur.

Kërkesa

“Ne ju bëjmë thirrje ta rishikoni propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen menjëherë në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat. Por në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish”, - shkruajnë të përndjekurit në letrën e djeshme.

Grupi i ish-të përndjekurve

1. Keti Bazhdari

2. Bilal Kola

3. Roland Ilia

4. Helidon Bele

5. Perikli Spiro Shqevi

6. Xhemal Zhuri

7. Gjergj Ndreca

8. Xhaferr Xhomo

9. Ylli Gjonçaj

10. Vangjeli Cufaj

11. Konstandin Gjokdani

12. Petrit Muka

13. Gazmend Muka

14. Gjetë Kadeli

15. Fatma Muda

16. Sadik Muzhaqi

17. Pëllumb Gega

18. Agjon Imeri

19. Mirela Brahimi

20. Fran Qafa

21. Agron Tale

22. Aisha Tota

23. Nesti Margjokaj

24. Luigj Shllaku

25. Mëhill Gjinaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›