E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet afati për Gjykatën Administrative

29/03/2012  Konsensusi, miratohen 8 nenet e para të ligjit nga 50 të tilla

PD e PS debate te Ligjet për përbërjen e trupit gjykues

Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensusin mes tyre për 8 nenet e para të ligjit për Gjykatën Administrative, por kanë shtyrë diskutimet për të hënën e ardhshme për nenet e tjera. Palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme për sa i përket përbërjes së trupit gjykues në shkallën e parë. Socialistët propozuan gjykimin me një gjyqtarë për efekt shpejtësie, por edhe përgjegjësie, propozim që nuk u pranua nga Ministria e Drejtësisë. “Një gjyqtarë do të jetë shumë më i përgjegjshëm, sepse vendimi do të lidhet me emrin e tij personal, sepse prishja e vendimit në dy shkallët e tjera është element që ndikon në karrierën e tij”, - tha nënkryetari socialist i komisionit Fatmir Xhafa. Por maxhoranca i qëndroi variantit të saj se duhet të jenë tre gjyqtarë.

“Me tre gjyqtarë vështirësia për tu manipuluar trupi gjykues është më e madhe, ndërsa me një gjyqtarë është më lehtësisht për të ndodhur”, - tha deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj.

Një tjetër nën për të cilin palët shprehen qëndrime të ndryshme ishte gjykimi i kontratave të rrugëve. “Janë kontrata që sjellin pasoja te palët, sepse kemi të bëjmë me prokurime publike. Këto duhet të gjykohen nga këto lloj gjykatash, pra kemi specializim më të madh dhe shpejtësi më të madhe në gjykimin e çështjeve”, - u shpreh deputetja socialiste Shegush Ligori. Por demokratët kanë këmbëngulur që çështja të trajtohet si padi civile. “Koncesionet, prokurimet, furnizimet e mallrave, ku njëra palë është shteti, nuk janë kontrata administrative. Shteti aty nuk del si figurë e së drejtës publike, por del si figurë e së drejtës private. Në një kontratë administrative shteti ka gjithmonë të drejtë ta ndërpresë kontratën, të mos japë shërbimin apo të ketë të drejta të tjera dhe nuk lindin të drejtat për palën tjetër bazuar në Kodin Civil”, - tha Alibeaj. Për këto dy nëne Komisioni i Ligjeve ra dakord që palët ti rishikojnë dhe një herë qëndrimet e tyre.

Gjykata Administrative, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, duhet të votohet deri në fund të muajit, gjë që duket e vështirë, pasi nga 50 nene të tij janë miratuar vetëm 8.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›