Graali është jashtë kutive
Të shtunën, më 13 shkurt, pritet që Presidenti i vendit, Bamir Topi, të jetë në tryezë me kreun e mazhorancës, Sali Berisha, dhe atë të opozitës së pabashkuar, Edi Rama. Kryebashkiaku, që paradite thotë do të jem pjesë e diskutimeve, pasdite thotë nuk do të jem, ka nisur turin e tretë brenda javës, pas atij brenda partisë, tjetrit me gazetarët nëpër disa rrethe, e tani në Strasburg për të lypur ca ndihmë se si të dalë edhe këtë herë nga shtegu i dështimit, ku ka hyrë prej shumë muajsh. Të gjithë ndërkombëtarët, që përfaqësojnë institucione të rëndësishme, janë shprehur qartë se një veprim i patjetërsueshëm është ai që opozita, 64 deputetë të endur jashtë Parlamentit, duhet të kthehen aty për ku i drejton vota që kanë marrë. Ashtu si Miti i Sizifit, përkundja e Ramës në ëndrrën e kutisë këtë gjysmë viti, u rrek të përfshinte ndërkombëtarët në mbështetje në shumë pak orë para se të ulej në tryezën e premtuar të Presidentit të Republikës, me një ide se do t’ia dilte ta dështonte atë me një axhendë që ai do të sillte nga Strasburgu, ku kishte bërë takimet e tij partiake. Pa e marrë në konsideratë rezolutën e Këshillit të Evropës që rekomandonte kthim të opozitës në Parlament dhe hetim parlamentar të zgjedhjeve, atë që kishte ofruar prej shumë muajsh mazhoranca me ftesë të përsëritur të Kryeministrit Sali Berisha, kreu i pushtetit lokal sërish u soll si lokal, duke tentuar të impresionojë bashkë me ekipin e tij që të shkëpuste fjalën hapje kutish e ta sillte triumfator në Tiranë. Por pa përdorur ndjesitë politike, këtë herë u zu ngushtë, se nuk mori në dijeninë e tij efektin e së vërtetës se koka është në Strasburg, por trupi është në Tiranë. Sapo një nga eurodeputetët e përmendi në bashkëbisedim hapjen e pjesshme të kutive që edhe mund të konsiderohej në një bisedë mes palëve politike, një tjetër rezolutë në pak minuta del nga Presidenca e BE-së, duke bërë të ditur se tashmë ata nuk kanë ndërmend të merren me shakatë e Ramës, që ka për hobi udhëtimet dhe jo performancën e të qenit lider, për atë që pretendon të jetë. Zotëria që mendon se ngjarjet globale trajtohen njëlloj si ato bashkiake, pasi provoi diversionin që të merrte gojarisht premtimin për hapje kutish, duke mos besuar atë që ishte zyrtarisht rezoluta, mori dhe një përgjigje të dytë, duke detyruar të reagojë Presidencën e Bashkimit Evropian. Kryebashkiaku, pasi informoi homologët e tij socialistë, që në disa vende e respektuan dhe ngjashmërisht ai mendoi se janë dakord me idetë e tij dhe tani Tirana priste atë që të hapte kutitë e 28 qershorit. E në këtë nismë pa krye ku delegacioni ‘Rama’ shfrytëzoi takimet partiake që t’’i përdorte si institucionale, Presidenca e BE-së qartësoi se BE ka përcjellë drejt Tiranës një rezolutë dhe pret nga politika shqiptare që ta respektojë, pret që palët me ndërmjetësimin e presidentit të ulen dhe të diskutojnë për të zgjidhur ngërçin politik. Presidenca e BE-së ka shuar shpresat e qiririt për Ramën që në pak minuta e përhapi në Tiranë lajmin në mediat e shumta të tij, që Strasburgu, Brukseli etj. e mbështesnin atë që të hapeshin kutitë. Edhe në Tiranë diplomatët përfaqësues të Bashkimit Evropian, SHBA-së ishin të qartë në këshillat e tyre, duke mos lënë dyshime që të abuzoheshin nga lideri në dëshpërim dhe duke i rekomanduar kryetarit të PS-së të përgatitej seriozisht për tryezën e ofruar nga Presidenti, që ka marrë gjithë mbështetjen e duhur. Prania e miqve të vendit nuk ka munguar dhe janë gjithnjë të vëmendshëm e të përkushtuar për të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate. Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe OSBE-së, të ftuar në një tryezë për rolin e Gjykatës Kushtetuese, iu kthyen vlerësimit për zgjedhjet si një standard i rëndësishëm për demokracinë dhe kërkuan që të respektohej pavarësia e pushteteve, duke çuar mesazhin e respektit të atyre vendimeve që mbajnë në këmbë institucionet. Ambasadori Withers, kreu i OSBE-së, Bosch, ambasadorja britanike, ambasadori Lohan, ambasadori spanjoll, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së Unionit, janë të gjithë në një refren dhe presin zgjidhjen nga takimi Topi-Berisha-Rama të shtunën. Edhe Presidenca e BE-së, në një deklaratë publikuar, pasi Rama mendoi se gjeti Graalin e Shenjtë, tha qartë e prerë se mirëpret nismën e Presidentit të vendit, Bamir Topi, për mbajtjen e tryezës mes Berishës dhe Ramës. Evropianët ishin konkretë, duke thënë se prisnin një përgjigje pozitive nga të dy liderët për të marrë në konsideratë në mënyrë të përbashkët rrugën për të ecur përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Parlamenti Evropian ka rikonfimuar perspektivën evropiane për Shqipërinë dhe inkurajon veprimet që do të sigurojnë që Shqipëria mund të marrë hapa të mëtejshëm në këtë proces. Atë që nuk mendon Rama në këto ditë të nxehta politike, e mendojnë ndërkombëtarët kur thonë se “në këtë kontekst, ngërçi politik duhet të tejkalohet nga udhëheqësit politikë shqiptarë, duke marrë parasysh të gjitha pasojat që bllokimi i mëtejshëm do të ketë për interesat e përgjithshme kombëtare”. Në udhëtimin e tij për të gjetur Graalin, Rama nuk po përjeton një histori masonësh, as po përpiqet të hiqet si personazh i ndonjë libri të Dan Brown, ai nuk po arrin të kthejë në perceptim real se Graali është në të vërtetë diku, por jo në kutitë e 28 qershorit. Ky mesazh i shenjtë, kjo kupë e Krishtit gjendet jashtë këtyre kutive, gjendet në zgjidhjen e kërkuar dhe të ofruar. Por ai sërish nuk heq dorë nga përdorja e të vetëve me shpresën se do t’ia dalë të turbullojë gjithçka. Kështu ka dërguar nënmisionarin, vartësin e tij, Erion Veliaj, që të kërkojë kutitë te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe partia e madhe G 99 me zero deputetë, me 0.000001 elektorat do të braktisë bisedimet e kështu Shqipërisë do t’i humbasin shanset për liberalizim vizash e integrim në bashkësinë evropiane. Misionari bindet se Graali do të gjendet e për këtë ka angazhuar Veliajn, Ngjelën dhe është braktisur nga ata që janë shumë gjatë në politikë dhe po shohin shembjen e së majtës nga ai që s’di të ndërtojë politikisht asgjë. Me veprimet e orëve të fundit, Presidenti mbetet të presë, pasi përgjigjen e Ramës e ka marrë me lëvizjet e tij të orëve të fundit. Ndoshta dikush në PS mundet të shpëtojë kryetarin Rama dhe bashkë me këtë ngjarje shpëton edhe Partinë Socialiste nga ai, duke ia rikthyer atë elektoratit, që ia ka marrë me pa të drejtë, vetëm me dy vota të Ruçit dhe të vetën.