Gazetat kanë të ardhme
Jemi në mes të një revolucioni informativ dhe një nga ironitë më të mëdha të kohës sonë është se gazetat rrezikojnë të zhduken - sepse shihen si pa lidhje për botën tonë të internetit - pikërisht në momentin që ato janë më të nevojshme se kurrë. Shtimi tej mase i medieve të tjera informative, përhapja e internetit dhe komuniteteve dixhitale dhe kriza ekonomike e bëjnë të domosdoshme ekzistencën e hetimeve dhe analizave serioze në një botë të pasigurt.
Deri tani vetëm gazetat (me gazetarë të shkolluar dhe me përvojë), janë shfaqur të afta ta ofrojnë këtë shërim.
Njerëzit e gazetave - me një përzierje narcizmi, fatalizmi dhe fërkim-qafe - regjistrojnë detajet pikëlluese të profesionit të tyre. Duke lexuar gazetat, të krijohet bindja se fundi i tyre është çështje e pak viteve, në mos pak muajve.
Faktikisht, kronikat e vdekjes së gazetave janë mbresëlënëse. Në Shtetet e Bashkuara janë mbyllur ose rrezikojnë të mbyllen gazeta të mëdha.
Të premten e shkuar lexuam se gazetat britanike, “Independent” dhe “Independent on Sunday”, po shkojnë drejt shitjes ose mbylljes, për shkak të borxheve që i kanë kaluar një miliard eurot (sigurisht, askush nuk do të pëlqente t’i blinte).
E famshmja “New York Times” dhe “Washington Post” po shkurtojnë stafet për të pakësuar humbjet me çdo mënyrë që të jetë e mundur.
Në këtë klimë paqartësie, Kongresi i dhjetë vjetor i Gazetave Evropiane në Vjenë, javën e kaluar, ofroi një mundësi për të diskutuar sfidat me të cilat përballen gazetat dhe propozime për të ardhmen e tyre. Ne shkuam aty duke pritur nekrologji dhe humor të zi rreth rregullimit të karrigeve në Titanik. Në vend të kësaj, për dy ditë, njerëzit e gazetave nga shumë vende diskutuan problemet e tyre me seriozitet të madh, por edhe me optimizëm, shkëmbyen ide se si gazetat mund të hedhin hapin e madh përpara.
Liderët me famë botërore për dizajn, si Mario Garcia dhe Juan Antonio Giner, analistë të medieve dhe redaktorë të gazetave të mëdha dhe të vogla (që shiten dhe jepen falas), të gjithë ishin pjesë e një bote të vetme me të njëjtin problem: gazetat janë të çmuara, por produkte të shtrenjta që do të duhet të përqafojnë mundësitë e ofruara nga teknologjitë e reja dhe të mos zhyten poshtë peshës së inercisë apo valëve të shkaktuara nga konkurrenca. Të gjithë ishin të mendimit se një dizjanimi dhe riorganizimi i përmbajtjes mund të rinovojë një gazetë ekzistuese dhe mund të tërheqë lexuesit që janë rritur në kohën e internetit, celularit etj.
Siç u shpreh Garcia: “Në 2012, njerëzit që nuk kanë kujtime për jetën para Google apo internetit do të mbushin 21 vjeç.” Për Garcian, gazetë tani është ajo me botim online, shërbimet në celular, mesazhe etj. “Ju jeni njerëz të lajmit, jo njerëz të gazetës”, - u tha ai pjesëmarrësve në takimin e Vjenës. Ai shpjegoi se gazetarët duhet të rishikojnë përmbajtjen sipas llojit të botimit që ata do të përdorin për të mbërritur te publiku, sepse ajo që shkon në shtyp mund të mos shkojnë online dhe e kundërta. “Investoni në internet, - këshilloi ai. - Dhe kujdesuni për botimet e fundjavës në formë të shtypur.”
Në këtë botë të re, gazetarët punojnë për botimet e gazetës në letër dhe online e ata mund të mund ta përshtatin punën e tyre në përputhje me llojin e botimit. Dizajni luan një rol të madh në joshjen e lexuesit - njerëz që do të paguajnë për diçka, të cilën mund ta gjejnë pa pagesë në internet ose gazeta falas. Por, siç vërejtën të gjithë apo e morën të mirëqenë, arma më e fortë e gazetave është gazetaria serioze - jo me lajme që tashmë janë bërë të njohura përmes internetit, investigimet dhe komentet, të cilat i japin lexuesit të gazetës përparësi. Kriza do të kalojë. Nevoja për lajme të mira është e përhershme. Sfida e gazetave nuk është që të jenë të parat me lajme, por të jenë më të mirat në atë që bëjnë në lidhje me analizat dhe trajtimin e duhur të ngjarjeve të mëdha. Gazetat më të mira do të mbijetojnë.