E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e hapur për Ilir Metën

 

Pak javë më parë, së bashku me disa nga bashkëthemeluesit e degës së LSI-së në qytetin e Fierit, vendosëm të zgjedhim një alternativë të re, duke u shkëputur nga forca politike për të cilën kemi dhënë një kontribut të vazhdueshëm gjatë katër viteve të fundit. Nuk ishte aspak një vendim i lehtë, aq më tepër duke marrë parasysh faktin se shumë prej nesh nuk ishim thjesht anëtarë të kësaj lëvizjeje, por e kishim krijuar atë, me pasionin e qytetarit që kërkon të përmirësojë politikën e të mos bjerë pre e politikës së shurdhët e verbër përkarshi qytetarit. Por fatkeqësisht ose ndoshta fatmirësisht, sot, të njëjtat arsye që na çuan në ndarjen nga Partia Socialiste dhe papërgjegjshmëria e Fatos Nanos, duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, na detyruan të ndaheshim nga LSI dhe papërgjegjshmëria e Ilir Metës, për t'u rikthyer sërish në PS.

Sot, duke kthyer kokën prapa e analizuar të shkuarën, të krijohet përshtypja se i njëjti degradim që ndodhi me Fatos Nanon katër vjet më parë, po përsëritet tek ai që asokohe vuajti më shumë nga megalomania e ish-kryetarit të PS, Ilir Meta. Ashtu sikundër Nano e trajtonte Partinë Socialiste si të ishte pronë e tij, sot Ilir Meta e ka kthyer Lëvizjen Socialiste për integrim në një sipërmarrje private, me vetëm një aksioner: atë vetë.

Vitet e para të ekzistencës së LSI gjërat justifikoheshin lehtë. Vetëm pak muaj përpara fushatës zgjedhore të 2005, pak kohë kishte për analiza të gjata, pasi nevojitej shumë punë për ta kthyer LSI në një forcë përcaktuese në jetën politike shqiptare. Për më tepër, vetë sulmet e Fatos Nanos dhe fushata e socialistëve që u përqendrua më shumë kundër nesh sesa partisë demokratike, e bënte të thjeshtë dhe të justifikueshme luftën brenda llojit. Edhe vetë dalja e të majtës në politikë, për të cilën rolin kryesor e luajti LSI, ishte sërish e pranueshme, pasi, në fund të fundit, dalja e socialistëve në opozitë shënoi edhe fundin politik të Nanos.

Por më pas, sa më shumë ndryshonte dhe reformohej Partia Socialiste, aq më shumë vihej re ndrydhja dhe ndjenja e parehatshmërisë brenda LSI. Gjatë zgjedhjeve lokale të 2007, edhe pse ndihej fryma e ngërçit mes PS dhe LSI, fushata e përbashkët zgjedhore e detyroi Metën të ruante qetësinë dhe të tregohej bashkëpunues me Ramën. Por, ndërkohë që në pamje të parë klima mes krerëve të dy forcave dukej pozitive, në bazë, tensionet ishin mëse të dukshme.

Pikërisht gjatë vitit të fundit, kthesa e dukshme e Ilir Metës dhe kursit politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, jo vetëm tingëlloi e habitshme dhe jologjike, por qartazi provoi dyshimin se vendimmarrja në LSI qëndronte brenda një grupi shumë të vogël njerëzish, të cilët as nuk dënonin të konsultoheshin me forumet, ndërkohë pretendonin ekzekutimin e verbër të urdhrave që vinin nga selia në Tiranë, dhe që ndonëse favorizonin ambiciet e Metës, shkonin përkundrejt interesave të anëtarëve.

Ende sot mbetet e pashpjegueshme arsyeja pse Ilir Meta po bën më shumë opozitë brenda opozitës, sesa me qeverinë. Kjo sjellje e LSI dhe kryetarit të saj kërkon qartazi të nxisë tension brenda të majtës, duke avantazhuar në këtë mënyrë Sali Berishën. Ndonëse Meta akuzon Ramën për bashkëpunim me Berishën, në thelb, sjellja e tij opozitare përkarshi Ramës dhe PS veç e ndihmon Berishën, dhe duke u kthyer kësisoj në aleatin më të ngushtë të Kryeministrit.

Nëse Ilir Meta është i gatshëm të rrezikojë fitoren e së majtës në zgjedhjet e ardhshme vetëm e vetëm për të plotësuar ambicien e tij kryeministrore, ky veprim nuk gjen asnjë lloj mbështetje në pjesën dërrmuese të anëtarësisë së LSI. Madje, ky kundërshtim është dhe një nga arsyet thelbësore të shkëputjes time dhe shumë të tjerëve nga kjo forcë. Është normale që mes forcave dhe liderëve të ndryshëm të ketë mosmarrëveshje apo pikëpamje të ndryshme, por kur me kokëfortësi kërkohet diçka materiale, që nuk i shërben as Shqipërisë dhe as shqiptarëve, situata bëhet alarmante. Nëse disa njerëz që sot drejtojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim mund t'ia lejojnë vetes të qëndruarit edhe për katër vjet të tjera në opozitë, pasi ndërkohë jetojnë në ishull dhe e kanë siguruar jetën e tyre dhe fëmijëve të tyre, për të gjithë ne të tjerët është e pafalshme të lejojmë që Sali Berisha të qëndrojë qoftë edhe një ditë të vetme më tepër në pushtet. Për të gjithë ne që kemi zgjedhur të angazhohemi në politikë për të plotësuar ëndrrat e fëmijëve tanë e jo të udhëheqësve tanë, është e patolerueshme të rrezikojmë, qoftë edhe në mënyrë periferike, fitoren e së majtës.

Sot, thuajse katër vjet pas themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duket sikur jemi kthyer prapa në kohë e kemi adoptuar të njëjtat metoda e mënyra organizimi që aq shumë donim të luftonim brenda PS-së së vjetër. Sot, Partia Socialiste drejtohet nga një ekip i ri që po përpiqet të krijojë hapësira për angazhimin e sa më shumë shqiptarëve përpos bindjeve të tyre politike, që sulmeve të LSI po i përgjigjet me urtësi e pjekuri, duke lënë të hapura rrugët e bashkëpunimit. Sot, Fatos Nano dhe mënyra e tij e drejtimit është larguar nga politika, duke marrë me vete dhe arsyen për të cilën LSI u krijua. Sot, ka ardhur koha e bashkimit që mundëson fitoren, jo e ndarjes që siguron humbjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›