E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër një grevisti: Rreziku që vjen nga të sëmurët psikikë, që marrin pushtet

I dashur mik!
është fatkeqësi për një vend, kur një parti politike nuk përfaqëson opozitën legjitime nënjë sistem ku njëra palë ushtron pushtetin dhe një tjetër e kundërshton qeverinë në pushtet duke u njohur si pjesë e ligjshme e peisazhit politik. Duke u bazuar në idenë e një sistemi partiak, kemi të drejtën të përcaktojmë opozitën si legjitime dhe demokratike atëherë kur kjo e fundit në vetvete është e përgjegjshme, efektive dhe një opozitë që respekton ligjin dhe dispozitat kushtetuese. Kur ne flasim për një opozitë si të përgjegjëshme, do të thotë se ajo përmban në vetvete edhe mundësinë e alternativave të qeverisjes aktuale, si kritikë e politikave ekzistuese. Alternativat nuk duhet të jenë thjesht si përpjekje të egra, të dhunshme dhe të ashpra, të cilat kërkojnë të tejkalojnë në sasi premtimet e qeverisë ekzistuese, por një përpjekje për të matur e për të formuluar politika alternative të cilat ajo beson të kenë mundësi të implementohen brenda kornizës ekzistuese historike dhe ekonomike në të cilat kalon vendi. Me fjalë të tjera, një parti në opozitë duhet të japë një program praktik alternativ për hapa të mëtejshme të zhvillimit të vendit dhe jo programe për destabilitet të vendit.
... Kur ne flasim për një opozitë që të jetë efektive, nënkuptojmë jo thjesht vetëm që programet e saj priten të implementohen, dhe se politika e saj alternative është e vërtetë, por se aftësia e saj për të fituar pozicionin dhe poltronin e drejtimit të vendit është gjithashtu e vërtetë, se ajo ka strukturën dhe staturën institucionale dhe forcën publike të cilat e bëjnë të mundur që populli të presë herët a vonë, që kjo opozitë në të vërtetë do të marrë detyrën dhe do të sjellë në pushtet një personel alternativ, të aftë për të marrë në dorë dhe për të zgjidhur problemet më themelore të vëndit. Një parti në opozitë duhet të ketë një strukturë që e angazhon publikun nëpërmjet komunikimit të hapur me të, dhe jo nëpërmjet “revolucionit si lokomotiva të shoqërisë”. Opozita në një vënd antarë të NATO-s mund të vijë në pushtet vetëm me anë të zgjedhjeve të lira dhe të pranuara nga palët; dhe në këtë mënyrë krijohen premisa për bërë përpjekje për të zbatuar programin e saj.... Kur ne flasim për një opozitë që zbaton parimet kushtetuese, do të thotë se opozitarët janë të gatshëm të zbatojnë rregullat e një lloj konsensusi kushtetues. Një parti në opozitë ka të drejtën e saj të vërë në pikpyetje politikat qeverisëse dhe jo legjitimitetin e qeverisë, pasi që të dyja palët janë të detyruara të respektojnë të njëjtin grup ligjesh themelore, ato të Kushtetutës. Kushtetuta është “bibla” dhe “kurani” i një shteti. Por të gjitha sa shkruhen më sipër marrin jetë kur lidershipi ka mendësinë për të vepruar në këtë mënyrë, pasi ky i fundit ka rëndësi të madhe në jetën politike botërore në përgjithësi dhe në atë shqiptare në veçanti. Por ja që ndodh që kreun e opozitës apo edhe lidershipin e saj shpeshherë e kapin njerëz të papërgjegjshëm për pozicionin e tyre. Ka krerë të sëmurë mendorë, që e rrethojnë veten me njerëz fanatikë, pasues të përkushtuar dhe të verbër të cilët jetojnë në errësirë të paditur dhe nuk kuptojnë se çfarë do të thotë të ndjehesh qenie njerëzore. Një udhëheqës i pabalancuar nuk është një karikaturë groteske për satirë politike, por një pamje e zymtë e një katastrofë të mundshme në të ardhmen. Lideri, në të tilla raste, është mendërisht i sëmurë dhe shumë i rrezikshëm. Nëse jo të gjithë, por shumë nga pasuesit, duket se ndjehen shpirtërisht në të njëjtën gjëndje si edhe lideri i tyre, pasi ndoshta e kanë kaluar pjesë të jetës së tyre të izoluar në spitale psikiatrike apo në institucione penale. është tashmë e njohur se disa prej liderëve të tillë kanë qenë mjaft të shkathët dhe kanë hyrë në historinë e njerëzimit, duke krijuar katastrofa të paimagjinueshme. Në përgjithësi, lideri me çrregullime mendore, nuk ka asnjë ndryshim në karakteristika të caktuara të përbashkëta që ka grupi i njerëzve me këtë sëmundje, ai kurrë nuk e braktis idenë se ai është mbi të gjithë dhe nuk lejon dhe nuk pranon asnjë ide që kundërshton stilin e tij që i duket më i përsosuri. Kompromisi me njeri të tillë të çmendur është i pamundur, për shkak se ky lider nuk është vetëm fillikat, ai është shpesh një produkt i një sistemi të tërë.
Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, mjekët filluan të shpjegojnë natyrën e kësaj kategorie shqetësuese të qenieve njerëzore të cilat ne tani i quajmë të sëmurë mendorë; historia tregon se ata kanë qenë gjithmonë shoqërues të jetës sonë. Një udhëheqës politik me probleme mendore, mund të jetë i çmendur për një ideologji, për një fe, ose kult, si Hitleri, Stalini apo Enveri ose shumë diktatorë të tjerë të mëdhenj dhe të vegjël fanatik. Ai mund të jetë edhe një diktator megalomaniak i cili përdor pasuesit për pasionet e tij primitive (besim fetar integralist, aggression e terror, pushtet pa kufi e të tjera…). Duke mos patur asnjë lloj droje, ai mëson të imitojë të shprehë fjalë që të japin disa emocione të forta si dhembshuri, simpati, shoqëri, dhe moral, por reagimet e tij vështirë se budallallepsin çdo intelektual të qëndrueshëm pasi ata e kuptojnë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe origjinale në sjelljen e tyre. Sjellja e tyre mashtruese e dallon atë nga njerëzit e zakonshëm. Lideri i sëmurë mund të përdorë fjalë të mëdha kur është e nevojshme - një gjë e lehtë për një psikopat inteligjent - por ligjërata e tij nuk ka përmbajtje emocionale në ato që thotë. Tek ai nuk ka asgjë të re apo të habitshme, parimet dhe politikat nga të cilat udhëhiqet, si frika dhe mashtrimet, përdoren për të kontrolluar njerëzit dhe grupet e popullsisë të cilët ai i manipulon më lehtë. Frika është më shumë selektive dhe e më e përhapur në të gjitha sistemet e organizative diktatoriale. Frika është një motiv i fuqishëm në zbatimin e konformitetit, bindjes dhe i bën njerëzit të dorëzohen para autoritetit, besimit dhe të sundimit të një diktature në përgjithësi, duke e futur atë edhe në hierarkinë partiake në veçanti. Historikisht, me anë të manipulimit, frika ka qenë gjithmonë një kërcënim ndaj politikave dhe praktikave në të gjitha sistemet e kultit.
Por një udhëheqës i sëmurë nuk është i vetëm në skenë, pasuesit dhe mbështetësit e tij janë ndihmesa më e besueshme për të. Një diktator nuk fiton pa ndihmën e pasuesve të tij. Një ndjekës i diktatorit duhet të jetë i përkushtuar dhe i bindur i verbër. Ndërsa i sëmuri politik nuk jep dashuri të vërtetë, ai është mjaft i aftë për të frymëzuar dashuri e ndonjëherë të shkallës fanatike në të tjerët. Në veprimtarinë e vet, ai nuk ka cilësi fisnike njerëzore.
Normalisht, udhëheqësi kult ka një aftësi të madhe të hipnotizojë dhe të fitojë mbi ata që e ndjekin nga pas; këta të fundit mashtrohen dhe binden lehtë deri në sakrificë të jetës së tyre…. Ndërsa është duke shijuar kohën e “artë” në zotërim të plotë të aftësisë së tij politike,udhëheqësi diktator tregon një paaftësi të madhe për të kuptuar rëndësinë e sjelljes së tij për njerëzit e tjerë të thjeshtë dhe për të gjykuar reagimet e tyre të mundshme për sjelljen e tij. është pikërisht fusha e politikës që e bën liderin e sëmurë të jetë më afër gjëndjes së tij psikotike. Diktatori i sëmurë mendërisht mbetet shpesh i habitur kur në fund merr vesh se njerëzit janë irrituar nga bëmat e tij. Edhe pse ai e di se çfarë “dënimi” do të marrë intelektualisht ai vë përpara gjykime mbrojtëse, dhe e ka të vështirë të kuptojë se ai është “dënuar” në të vërtetë dhe me të drejtë.
Lideri i sëmurë mendor është i lirë prej ankthit. Ai mund të jetë nën rrethana të rralla krijuese ku mund të marrë rolin e një shpëtuesi të partisë, një hero i luftës politike, por më së shumti ai është një kundërshtar i interesave të vëndit. Nëse ai konsiderohet hero, e cila është një gjë pothuajse shumë e rrallë, atëherë “guximi i tij" ndihmon të fitojë dashurinë e pasuesve të tij por jo të të njerëzve të ndershëm patriot. Njerëzit të caktuar, tubohen rreth heroit "të tyre", hyjnë në grevë duke rrezikuar edhe jetën, bëjnë edhe veprime akoma më të rënda , duke parë në figurën e tij një pasqyrim të vetes dhe ndoshta duke marrë një premtim për "fitore", si shpagim për fatin e tyre të keq dhe të pashpresë. Sigurisht ajo që ata nuk e kuptojnë është se lideri i tyre, kur është në një gjëndje të çrregullimit mendor, as nuk i shkon nëpër mend fati i tyre në veçanti dhe i kombit në përgjithësi. Për të tillë udhëheqës të sëmurë fanatikë, njerëzit që e rrethojnë janë vegla qorre dhe përdoren mish për top për qëllimet e tij personale, dhe atdheu, vendi dhe populli ka vlerë vetëm si një masë amorfe kur komandohet prej tij.
Tragjikisht, një komb, një popull, një vend do të mbetet politikisht duke u endur në konflikte të errëta ndarëse e përçarëse, për sa kohë që do të vazhdohet të idealizohen, tolerohen apo të zgjidhen si liderë të tyre njerëz të pastabilizuar mendërisht.
Me shpresë se kjo letër (nëse do të kesh fuqi ta lexosh) do të bëjë sadopak të mendohesh më gjatë për veten tënde.
Uroj përmirësim të shëndetin tënd!
Kadri Gega

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›